Feher: Peshëngritja shqiptare, në rrugë të mbarë

Në fillimin e 10-ditëshit të fundit të nëntorit të vitit të shkuar, lektori i Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF), Tamas Feher, drejtoi një seminar teoriko-praktik me trajnerët shqiptarë të shtangës. Duke folur të hënën posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nga Budapesti, eksperti hungarez shpreson që sportistët shqiptarë të jenë duke e përballuar mirë këtë periudhë karantine.
“Ne po jetojmë në një periudhë mjaft të vështirë në sportin e peshëngritjes për shumë arsye. Një nga arsyet është padyshim kriza e shkaktuar nga koronavirusi, që na e ka bërë jetën mjaft të vështirë. Unë shpresoj që të gjithë miqtë e mi në Shqipëri, të gjithë peshëngritësit apo trajnerët, të jenë të paktën duke u stërvitur në shtëpi, për ta përgatitur veten për garën e radhës, që, sipas të gjitha gjasave do të jetë Kampionati Evropian në Rusi dhe nuk do të kenë probleme nga shtyrja e Lojërave Olimpike.”
Një nga aspektet e rëndësishme të seminarit të tij teoriko-praktik në Tiranë vitin e shkuar ishte edhe dopingu dhe hungarezi nuk e ka fshehur kënaqësinë që 7 sportistët që iu nënshtruan testeve gjatë Kupës së Shqipërisë në fillim të marsit, por edhe dy pretendentët olimpikë, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, kanë rezultuar të gjithë negativë.
“Unë mora ca lajme të mira nga Shqipëria dhe nuk e kisha vënë në dyshim që të këto lajme të mira do të vononin, që pas disa vitesh të vështira në këtë drejtim, në kontrollet më të fundit të antidopingut, të gjithë rezultuan negativë, çka unë po e prisja dhe jam i lumtur që kështu ndodhi. Për mua kjo do të thotë që Federata Shqiptare e Peshëngritjes po punon mjaft mirë për të mbuluar siç duhet këtë aspekt të stërvitjes.”
Për 60-vjeçarin, kjo ka ardhur edhe si pasojë e ndërgjegjësimit të komunitetit të shtangës dhe prandaj ai është optimist për të ardhmen e peshëngritjes shqiptar.
“Në krahun tjetër, trajnerët dhe sportistët e kanë kuptuar tanimë se ku janë kufinjtë e tyre në këtë drejtim, se çfarë duhet të bëjnë e çfarë nuk duhet të bëjnë. Dhe kjo më bën të sigurt se Federata Shqiptare e Peshëngritjes është në rrugë të mbarë për një të ardhme të mirë, e drejtuar nga miku im dhe dashamirësi i këtij sporti, Theodhor Masllavica, dhe prandaj i uroj atij dhe gjithë komunitetit të shtangës në Shqipëri të vazhdojnë në këtë rrugë dhe suksese në Evropianin e Moskës.”
Ndërkohë që Calja dhe Qerimaj kaluan me sukses testet e Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA), 7 peshëngritës e testuar nga Organizata Kombëtare e Anti-Dopingut në veprimtarinë e 6 marsit ishin Shqiponja Brahja, Evagjeli Veli, Kleopatra Saliaj, Romario Avdiraj, Mateus Caci, Edison Nelo dhe Krenar Shoraj.

Published
Categorized as Lajme

By SHQIP

Founder and CEO në shqip.info / Ideues dhe krijues për shqip.info! Më moton : Shqipëria do të jetë më pranë jush gjithmonë!

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *