More

    Greqia e ngjallur prej Shqiptareve

    Shohim me të math trishtim mosdashjen e disa shqipëtarëve të ndërtojnë e të zbukurojnë gjuhën e tyre. Është nevojë të mos e lëshojmë Shqipen si ka qenë, se ashtu s’munt të quhet gjuhë. Kemi për të shpallur më tutje ca mendime mbi këtë çështje. Le të bëjmë sot vetëm dy lutje: fjalët ‘gaj’ e ‘jake’ mos i përdorni, se janë fjalë leskoviqare. Forma e tyre e qëruar është nga ‘eja’. ‘Jake’ është foshnjërisht për ‘eja këtu’, sa për ‘gaj’ e kam dëgjuar veç prej Evgjitëve. Le të thomi, duke shkuar, edhe rrënjën e të dy fjalëve; ‘nga’ vjen nga Greqishtja e vjetër ‘eneka’, ‘eja’ vjen nga latinishtja ‘eja’ që do me thënë-afro si në shqipen-haide.

    E zgjata ca për këto dy fjalët se shoh disa shkronjëtorë toskë që i përdorin pa kursim megjithë që e dinë mirë gjuhën.

    ***

    Më 1497, domethënë 30 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, udhëtoi nëpër Shqipëri një Flamand (nga Belgia) që ia thonin Arnalt van Harff. Kish udhëtuar edhe në shumë vise të tjera të Lindesit e la një libër me të madhe rëndësi në të cilën ndodhet edhe një mbledhje fjalësh shqip; po e shpallim më tutje. Libri i Arnaldit van Harff është më i vjetri te i cili shkruhet gjuha shqipe.

    Kombësia

    Sot për sot në Shqipëri nukë ka Shqipëtarë; ka vetëm ‘Turq’ edhe ‘Kaurë’ do me thënë Shqiptarë që e kanë turp ta thonë veten Shqiptarë. Por, a ka qenë gjithherë kështu? Nuk ka qenë një kohë kur edhe Shqiptarët e ndjenin në funt të shpirtit se ç’është kombësia?

    Shkronjëtori ingledhetar Hobhouse, i cili kish udhëtuar nëpër Shqipëri bashkë me lordin Byron në 1809 thotë këto fjalë: kur pyet njerëzit e të tjerë viseve të Turqisë se ç’janë të përgjigjen ‘jemi turq’ e ‘jemi të krishterë’; po një njeri i Shqipërisë të përgjigjet vetëm ‘jam Shqipëtar’. Se mendimi kombëtar është shumë i shkëlqyer në Shqipëri.” Do me thënë Shqiptarët ishin mëmëdhetarë që një shekull më parë; sot na u bënë ‘Turq’ edhe “Kaurë’!

    Kur kërkon më në thellësi njeriu shkakun e kësaj prapësie, i duket që kombësia jonë zu të humbasë kur u ngjall Greqia. Gjer atëherë Shqiptarët e krishterë rronin vëllazërisht me të tjerë; po si u bë e veçantë Greqia, nga një anë shqiptarët muhamedanë u shtrënguan t’i lidhen më fort Turqisë, nga ana tjetër të krishterët shqiptarë iu qasnë të voglit shtet të krishterë gjersa u bënë fare fare Grekër.

    Me këtë mënyrë, Greqia e ngjallur prej Shqiptarëve u bë shkak për vdekjen e tyre.

    Marrë nga revista Albania nr. 10, 30 tetor 1899, Vitit i tretë i botimit.
    Materiali është përshtatur nga gjuha origjinale dhe është sjellë në shqipen e sotme, me përpjekjen për të ruajtur të paprekur disa prej fjalëve.

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu