More

    Ilirët në fragmente kulturore

    Kultura ilire u formua me tiparet karakteristike, që e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë, në periudhën e zhvilluar të epokës së hekurit. Ajo ishte një kulturë autoktone që u krijua në truallin historik të ilirëve.

    Në procesin e formimit të vetë etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të brendshëm social-ekonomik të shoqërisë ilire dhe pa dyshim, edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë shprehur në arritjet më të rëndësishme të ilirëve në fushën e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre.

    Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit, karakterizohet me stilin dekorativ të theksuar të epokës së bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.sonë në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror të ilirëve.

    Kjo vihet re qartë sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj., përfaqësohet nga një gamë e pasur figurash gjeometrike, si rrathë të veçantë e bashkëqendrorë, rombe e trekëndësha me fusha të zbrazura ose të mbushura me vija paralele etj., të kompozuara me një fantazi të zhvilluar dhe në një sistem rigorozisht simetrik.

    Në këtë rast, më poshtë shohim “Gruaja veshur me kostum ilir” ose “Gruaja nga Dimali”, i përket shekullit III e II p.k. i gjetur në qytetin e Dimalit, në gërmimet që u bënë më 1963, nën drejtimin e arkeologut Burhan Dautaj.

    Në këtë bust menjëherë bie në sy elementet e detajet etnografike, kushtuar ndoshta ndonjë hyjneshe ilire sipas arkeologut Burhan Dautaj.

    Gruaja ka veshur linjë me mëngë të shkurtra të qepura me tegel të trashë që mendohet të jetë gajtan, me jakë ku në pjesën e parme është e hapur në formë trekëndore dhe e kapur në supin e djathtë me një karficë (broshkë). Sipër ka një petk që mbulon gjoksin, deri nën bel. Brezi i shtrënguar krijon pala të dukshme. Elementi i tretë është një pelerinë e trashë, material leshi, hedhur mbi kokë e vjen deri në shpinë që ngjan me llabanen e Labërisë.

    Profesor Burhan Dautaj njihet si zbuluesi i dy qyteteve të Ilirisë së Jugut, Dimalit në qarkun e Beratit dhe Olympes në Mavrovë të Vlorës. Ai ishte pjesëmarrës i dhjetëra ekspeditave të tjera të zhvilluara në zona të ndryshme arkeologjike në vend. Gërmimet e mirëfillta arkeologjike që bënë të mundur identifikimin e qyteteve antike të Dimalit dhe të Olympes, janë kryer gjatë viteve 1960-1980, nën drejtimin e tij dhe bashkëshortes së tij të ndjerë, shkencëtares Aleksandra Mano. Ata me përkushtim kanë nxjerrë në dritë pasuri për historinë antike dhe të lashtë në territorin shqiptar. Kontributi i profesor Dautajt në lëmin e shkencës së arkeologjisë është tepër i vyer. Ai deri në fund të jetës, nuk reshti në kërkime dhe drejtimin e arkeologëve të rinj në terren.

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu