More

    Karnavalet e Korçës – performanca e kolonjarëve, qershia mbi tortë

    Në karnavalet e Korçës, Kolonja mori pjesë për herë të parë
    Karnavalet e Korçës – performanca e kolonjarëve, qershia mbi tortë
    Rinald Kasko, dr. Qendrës Kulturore të Fëmijëve: Punuam me përkushtim

    Nga Vepror Hasani

    Edhe këtë vit karnavalet e Korçës erdhën të bukura si kurrë ndonjëherë tjetër. Merrnin pjesë 26 grupe. Nuk munguan as të ftuarit: dy trupa të Shkupit dhe teatri i Durrësit, u vlerësua prej banorëve në mënyrë të veçantë. Durrsakët erdhën me veshjet e martesës së Çehovit, kurse shkupjanët me maska plot fantazi. Ndërkohë, kishin mbërritur edhe vizitorë të vendeve të huaja. Me ardhjen e mëngjesit rrugët e qytetit u populluan nga njerëz të shumtë. Ngado shihje vajza të bukura, djem të rinj, burra, gra, fëmijë dhe nuse. Nuk munguan as gjyshet. Nuk kishe ku hidhje kokrrën e mollës. Në Korçë kishin zbritur edhe banorët e fshatrave përreth, kishin ardhur edhe nga Pogradeci, Devolli e Kolonja. Hareja i kishte pushtuar të gjithë. Konkuruesit ishin të mrekullueshëm, lanë mbresa të paharrueshme, por qershia mbi tortë, sipas vlerësimit të publikut, mbeti performanca e kolonjarëve, të cilët u prezantuan me një fabul fantastike që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Interpretimi i tyre u shoqërua me humor dhe kënaqësi. Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Ersekë, Rinalt Kasko kishte bërë të paundurën që performaca e tyre të ishte e përkryer. Për lojën e kolonjarëve do të flasim edhe në vijim. Njeherazi me karnavalet u çel edhe sezoni turistik.

    Karnavalet e Korçës përherë të bukura

    Sipas drejtores së Qendrës Kulturore Korçë, Blerta Belliu, origjina e karnavaleve në këtë qytet është e hershme, ato u bënë më të bukura nga viti në vit, por edhe më të mëdha. Tashmë qyteti përfshihet çdo vit në festën e madhe të karnavaleve. Magjinë e saj e gjen te çdo rrugicë e qytetit, te çdo shesh e bulevard e te çdo qytetar. Korça nuk i humbi karnavalet as vitin e kaluar të pandemisë, pjesëmarrja ishte më paktë, por gjithsesi u festua. Kurse këtë vit, pa mbërritur mirë mëngjesi, çdo rrugë e Korçës u mbush nga njerëzit e veshur me kostume të çuditshme, me maska të frikshme, gazmore e të trishtuara apo edhe të çdo lloji tjetër, që gjithkush ose i ka të përgatitura kohë më parë, ose vijon t’i ruajë në sepetet e qëmotshme. Në Korçë nuk mungojnë as kostumet veneciane. Gjithkush prej grupeve të karnavaleve sjell fabulën e vet, ku çdonjëri prej tyre shkëlqen për nga filozofia që përcjell dhe lojën që interpreteon. Për të gjitha këto ishte menduar edhe nga drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Ersekë, Rinalt Kasko, me qëllim pasjen e një bashkëpunimi me Qendrën Kulturore “Fan Noli”, me gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe shkollën 9-vjeçare “Papa Kristo Negovani”. U aktivizuan 32-33 fëmijë, por edhe të rritur me qëllim kompletimin e fabulës me të gjitha karakteret e nevojshme.

    Programi

    Karnavalet e këtij viti sollën në qytetin e Korçës edhe një sërë surprizash e befasish. Grupe njerëzish do të gjendeshin gjatë gjithë ditës kudo në qytetin e Korçës. Atmosfera do të mbahej e ndezur minutë pas minute. Në rrugë do të shiheshin grupe karnavalesh prej 30-40 vetash me maska njëngjyrëshe; një grup do të ishte, (fjala vjen), vetëm me maska rozë, një tjetër vetëm me maska blu, një i tretë me maska jeshile apo dhe maska me ngjyra të tjera. Gjithashtu, herë pas herë, do të shfaqeshin edhe sfinksa (qenie që, sipas mitologjisë së lashtë greke, përfytyrohej me krahë shpendi, me kokë e gji gruaje, me trup luani ose qeni e me bisht gjarpri dhe që u jepte udhëtarëve kalimtarë gjëza të vështira e i gëlltiste ngaqë nuk i zgjidhnin dot). Festimi i karnavaleve filloi në orën 10.30 minuta. Aktorët e karnavaleve, (15 grupe) u shpërndanë në të gjitha pikat e qytetit, me qëllim që argëtimi të ndihej kudo, në çdo cep të tij. Kjo panoramë karnavalesh në lëvizje ishte gjithkund e pranishme deri në orën 14.00. Pas kësaj ore deri në orën 17.00 pati një pushim prej 3 orësh, jo vetëm për aktorët pjesëmarrës por edhe për njerëzit e shumtë që ndiqnin këtë eveniment të madh. Në orën 17.00 u krye parade e madhe e karnavaleve e cila nisi te Lëndina e lotëve dhe përfundoi te Pazari i vjetër i Korçës. Në orën 18.00, të gjithë bashkë, (15grupe karnavalesh), të mbledhur te Pazari, ku u bashkuan edhe të ftuarit nga Shkupi dhe Durrësi, shënuan pikën më kulmore të festës. Të gjithë sollën fabulat e tyre të përgatitura me shumë kujdes e profesionalizëm.

    Kostumografia e Kolonjës

    Siç e thamë edhe më sipër, Kolonja mori pjesë për herë të parë në këtë eveniment të madh të Korçës. Me këtë rast, Rinalt Kasko na tha: “Fal përpjekjeve maksimale të Qendrës tonë Kulturore të Fëmijëve në Ersekë, ne mundëm të krijojmë një garderobë me veshjesh karnavalesh, të cilat, tashmë, mund t’i shfrytëziojmë edhe në aktivitete të tjera. Megjithatë, më duhet të them se gjithçka u bë e mundur fal talentit, zotësisë dhe përkushtimit të kostumografes Lirika Pojani, e cila çdo kostum e punoi me shumë pasion, fantazi dhe dashuri njëherazi. Përvoja e saj në profesionin e kostumografes është e gjatë dhe e suksesshme. Znj. Pojani ka punuar edhe për karnavalet e qytetit të Korçës. Për fëmijët e qytetit të Ersekës bëri më të mirën në realizimin e kostumeve të tyre, që jo vetëm të ishin të pëlqyeshëm për ta, por edhe të përcillnin atmosferën e moshës së tyre. Çdo ditë që kalonte në këto përgatitje pasionante, ne kuptonim që po rriteshim, po u jepnim formë ideve tona, madje ishte kjo arsyeja që kërkuam shumë për gjetjn e një fabule të goditur dhe besoj që e gjetëm.

    Kolonja, qershia mbi tortë

    Dhe vërtetë, kolonjarët sollën historinë e një dhendri që nuk e donte vjehrra. Nuk e deshi sepse kur e pa për herë të parë, dhendri iu duk i vogël, nuk ia mbushi syrin. Pikërisht ky moment solli humor e të qeshura. I thanë vjehrrës si dhendri ishte i pasur, por sërish nuk iu mbush mendja, si mund të ishte i pasur një dhendër aq i vogël. Por, si me magji para vjehrrës u shfaq një dhendër i madh dhe gjithë situata ndryshoi. Si ndodhi kështu? Përgjigjet filozofike janë të shumta, ashtu si edhe humori ishte i pafund, ndoshta shpjegimi qendronte jo te pamja, por te zotësia.

    Gjithkush që pa shfaqjen e Kolonjarëve, mori me vete edhe mesazhin: ”Njeriu nuk vlerësohet vetëm nga pamja”. Karnavalet e kolonjarëve u pëlqyen nga gjithë të pranishmit, ishin vërtetë të zotë.

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here