More

    Letra e plotë që kongresistët ia dërguan Bidenit, plot ankesa për Serbinë

    Shtatë kongresistë amerikanë ia kanë dërguar një letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden, përmes së cilës i kërkojnë që të vendos sanksione ndaj atyre që e destabilizojnë Ballkanin Perëndimor.

    Dokumenti është i nënshkruar nga kongresistët Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa.

    Në qendër të kritikave të kongresistëve është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për thellim të korrupsionit dhe presion ndaj mediave.

    “Gjatë vizitës suaj në Beograd në vitin 2016, ju folët për një të ardhme shpresëdhënëse për Serbinë dhe popullin serb. Për fat të keq, për të arritur në atë të ardhme më optimiste, ne besojmë se veprimet e mëtejshme diplomatike nga SHBA-ja dhe nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë në veçanti janë vendimtare për t’u siguruar që Serbia mund të jetë efektive në zbatimin e reformave demokratike, duke bërë këtë, ata do të jenë në gjendje të përmirësojnë marrëdhëniet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën”, thuhet në letër.

    Në letër i bëhet thirrje Bidenit që ta shqyrtojë përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, për t’ua bllokuar pronat dhe për t’ua ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara njerëzve që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

    “Ne ju bëjmë thirrje ta konsideroni përdorimin e Urdhrit Ekzekutiv 14033, “Bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”, aty ku është e përshtatshme, për të nxitur për një qeveri serbe më transparente dhe të përgjegjshme që respekton demokracitë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, thuhet më tej në letër, transmeton KP.

    Po ashtu, në letër theksohet se liria e medies nuk është vetëm një vlerë kyçe amerikane e përfshirë në Kushtetutë, por se kjo çështje është gjithashtu e rëndësishme për politikën e jashtme të Uashingtonit dhe për luftën kundër autoritarizmit në mbarë botën.

    “Fatkeqësisht, liria e medias në Serbi ka arritur një nivel të ulët. Siç vërejnë Reporterët pa Kufij: “Serbia është një vend ku gazetarët janë të ekspozuar ndaj sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare. Është gjithashtu e qartë se mediat pro-qeveritare po bëjnë përparim dhe janë në një marrëdhënie reciproke të dobishme me qeverinë”, thonë kongresistët amerikanë.

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu