More

    Manastiri i Kolkondasit dhe Ali Pashë Tepelena

    Nga: Ilirjan Gjika

    Përgjatë fushës së Myzeqese dhe vetëm dhjetë kilometra në veri të qytetit të Fierit ndodhet Kolkondasi, pjesë e njësisë administrative Libofshë të Bashkisë Fier. I dokumentuar në mesin e shekullit të XVIII-të, vendbanimi i dikurshëm pranë lumit Seman tashmë e ka humbur fizionominë e tij. Disa shtëpi të shpërndara në këtë hapësirë janë dëshmi e ekzistencës së fshatit të dikurshëm, i cili sot përbën më shumë një qëndër fetare dhe historike sesa një vend të banuar. Pikërisht këtu, në vitin 1815 u ndërtua nga Ali pashë Tepelena, manastiri i Kozma Etolit, i cili deri në vitet 1950, kur nisi bonifikimi dhe sistemimi i tokave të fushës së Myzeqesë ishte përmbytur disa herë nga lumi Seman.

    I shpallur monument kulture në vitin 1963 dhe i braktisur nga kleri në vitin 1967, kohë e zhvillimve shekullariste manastiri ju rikthye Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë vetëm në fillim të viteve 1990. Prej tij atëherë kishin mbetur vetëm gjysma e kishës së Shën Marisë dhe pjesa e sipërme e kishës së Shën Kozmait, ku si rezultat i përmbytjeve të dikurshme të Semanit ishin shkatërruar pothuajse të gjithë konakët dhe ishte mbuluar me aluvione e gjithë hapësira e tij.
    Nën kujdesin e KOASH u bë e mundur një ndërhyrje e gjithanshme. Manastiri ju nënshtrua punimeve voluminoze. Të tilla ishin edhe gërmimi dhe zbulimi i objekteve nga dherat, drenazhimi i ambientit, ndërhyrja në kishën e Shën Kozmait ku u krye resaturimi i plotë i saj, restaurimi i kishës së Shën Marisë dhe paraklisit të Shën Kozmait, restaurimi i afreskut të Shën Kozmait, ringritja e konakëve dhe ambienteve të tjera (Stratobërdha, 2010: 6).
    Më pas manastirit ju shtuan edhe muret rrethuese dhe porta monumentale të cilat i dhanë pamjen e sotme, tërheqëse, imponuese dhe të vizitueshmë për turistët, pelegrinët dhe vizitorët në çdo kohë.

    Ndërkohë që nga biografitë e shumta të shkruara rreth jetës së Kozma Etolit mësojmë edhe për miqësinë që ai kishte me Ali Pashë Tepelenën. Njohja e tyre u bë fare rastësisht kur Aliu ishte në fillimet e karrierës së tij. Sipas Ilo Mitkë Qafëzesit, një autori shqiptar që ka shkruar për të, takimi u bë pranë Tepelenës në malin e Leklit, ku murgu Kozma i parashikoi të ardhmen (Qafëzezi, 1937).

    “Do të bëhesh njeri i madh, do te zotërosh të tërë Arvanitinë, Prevezën, Pargën, Sulin, Delvinën, Janinën dhe zotërimet e Kurt pashait. Më pas do të shkosh në Stamboll, por me mjekër të kuqe’’, tregohet se i tha atij Kozmai. Që prej asaj kohe Aliu e bëri mik dhe e vuri nën mbrojtjen e tij. Kjo mund të ketë qenë një prej arësyeve që pasi Ali Pashë Tepelena e pushtoi Pashallëkun e Beratit, të urdhëronte, që për të nderuar murgun të ngrihej në vendvarrimin e tij, manastiri i sipërmendur.

    Kështu edhe të dhënat e para për Manastirin e Kolkonasit na vijnë prej nga Anthim Aleksudhit. Në librin e tij të sipëpërmendur ai shkruan se manastiri i quajtur ‘’I gjithë shenjtorëve dhe Shën Kozmait’’ u ndërtua me punën e të gjithë të krishterëve nën drejtimin e mitropolitit të Beratit Joasaf II dhe të këshilltarëve Nikolla Mitro Kapedani dhe Haxhi Joan Xhixhu (Alexoudes, 1868: 80).

    Manastiri u ndërtua në vendin ku më parë ndodhej kisha e “Shën Marisë” së Kolkondasit ndërkohë që kjo faltore ishte ndërtuar në fund te shekullit XVIII. Një gjë të tillë e vërteton edhe mbishkrimi që ndodhet sot në pjesën e mbetur të absidës së saj, ku lexohet teksti “Eshtë pikturuar ky tempull i hijshëm me kontributin e të gjithëhirshmit Mitropolitit të Beratit Joasaf, me shpenzimet dhe mundimet e të gjithë të krishtereve priftër dhe laikë, 30 korrik 1782” (Adhami, 1985: 77).

    Ky tempull pati fatin e keq për shkak të pozicionit të tij në bregun e lumit Seman, të kthehej nga përmbytjet e tij në gërmadhe. Sot prej tij kanë mbetur vetëm muri verior së bashku me absidën dhe afresket murale. Kështu, në pjesën veriore të kishës së Shën Marisë u ndërtua kisha e Shën Kozmait dhe konakët e manastirit. Një gjë e tillë ndodhi në vitet 1813-1814 me porosinë e Ali Pashë Tepelenës. Ky fakt dëshmohet edhe nga dy letrat që pashai i drejton të krishterëve të Beratit dhe Myzeqesë. Ja seç thuhet në to: Letra e parë: ‘’Juve rum të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vlleh grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma, ndihmova dhe unë me aspra e të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe pastaj do t’i paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi’’.

    Në Gjirokastër, më 12 shtator 1813. Dhe letra e dytë: “Hair duaxhitë e mi, mitropolit i Beratit, Kolë Mitro dhe Haxhi Janko. Ju përshëndes dhe ju kallzoj se i mora vesh sa më shkruat dhe u informova me anën e igumenit dhe u gëzova shumë që u kujdesët për plakun Kozma. Ja tek po vjen aty tani igumeni dhe Nikolla bashkë me kryemjeshtrin dhe të vini të ndreqni odat dhe kullat e manastirit, i cili të bëhet më i miri nga të gjithë manastiret, sepse me ardhjen time aty dëshëroj ta gjej të mbaruar. Pra, të kujdeseni të gjithë që ta ndreqni dhe të gjithë rumët e Beratit, të mëdhenj e të vegjël, të ndihmojnë. Po i shkruaj dhe Ibrahim Arapit t’ju ndihmojë në çdo punë. Të bëni si ju shkruaj. Ju përshëndes’’. Në Janinë, 12 shtator 1813.

    Tekstet e këtyre dy letrave janë të shkruara në kodikun e këtij manastiri. Ato u publikuan për herë të parë nga mitropoliti i Beratit, Anthim Aleksudhi, në librin e tij ‘’Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit’’, botuar në Korfuz në vitin 1868. Më pas ato patën ribotime të tjera. Për ndërtimin e këtij manastiri u përdorën gurë gëlqerorë të marrë nga kodrat aty pranë të Libofshës dhe Ardenicës. Po kështu si në të gjitha kishat e Myzeqesë u përdorën edhe gurë të ndërtimeve antike të sjellë nga Apolonia.

    Sipas specialistëve të fushës, Kisha e Shën Kozmait, është ana arkitektonike e tipit bazilikë me kupolë. Ajo përbëhet nga naosi prej tre absidash, narteksi, altari dhe këmbanorja. Planimetria e kësaj faltoreje është në formë kryqi të jashtëshkruar që i jep pamjen e një ndërtimi piramidal. Hyrja kryesore ndodhet në anën veriore dhe sipër saj ndodhen dy mbishkrime që kanë të bëjnë me kohën e ndërtimit. Ndërsa një hyrje e dytë është ajo e narteksit në anën perëndimore të kishës. Elementë arkitektonikë të saj janë edhe absida shtatëfaqëshe dhe tamburi me kupolën (Adhami, 1985: 75-77).

    Mbi portën kryesore të kishës, në anën veriore, ndodhen dy mbishkrime që flasin për ndërtimin e kishës. Të shkruara në formën e tabelave në to lexohejmë tekstet: “Në vitin 1814, maj 22. U ndërtua ky tempull i Shën Kozmait në kohën e të gjithhirshmit mitropolit të Beratit, zotit Joasaf, në kohën e igumenit të hirshëm gjithoshënar Theoklitit në kohën e kujdestarisë së zotit Nikollë, Dhimitrit dhe Haxhi Jankut dhe të Protosingjel Parthenit, me përpjekjet dhe mundimet e të gjithë të krishterëve të devotshëm klerikë e laikë’’, thuhet në parin. Ndërsa i dyti ka këtë përmbajtje: ”Në
    1817 Kozma me mbikqyrjen e të birit Kapedan Kostës, nga katundi Furkë, eparkia e shenjë e Vellasë” (Popa, 1998: 122-123).

    Kurse mbishkrimi i absidës tregon rreth kontributit të Ali Pashë Tepelenës. Midis të tjerave në të lexojm: “U ndërtua nga themelet ky tempull hyjnor e i hirshëm me nxitjen e të shumëlartit, Vezir Ali pashës nga Tepelena” (Po aty, f. 144).
    Mjeshtrat e parë që nisën ndërtimin e këtij tempulli thuhet se u vranë nga Aliu, sepse nuk e ndërtuan dot kishën sipas idesë së pashait (Saqellari, 1962). Mjeshtrat e dytë që e përfunduan këtë ndërtesë i lanë portretet e tyre të gdhendura në dru. Interesant është fakti që në frontonin e këmbanores së kishës është gdhendur edhe portreti i bashkëshortes së Aliut, Vasiliqisë (Adhami, 1985: 78).

    Këtu kemi një tjetër mbishkrim në të cilin thuhet se: “U ndërtua…i kambanave të shën Kozmait dhe në kohën e kujdestarisë së saqellarit at Petros, me dorën e Pashtro Gjergjit” (Popa, 1998: 143).
    Pasi u ndërtua Manastiri në 24 Gusht 1815 me urdhër të Ali Pashës u bë transferimi i eshtrave të Kozma Etolit nga kisha e vjetër e Shën Marisë për në kishën e re. Po kështu, në vitin 1942, midis dy kishave u ngrit një kishës e vogël, ku u vendosën reliket e murgut Kozma. Këtu ndodhet kenotafi (varri imagjinar) sepse eshtrat u rivendosën në një sarkofag druri dhe xhami në naosin e kishës së Shën Kozmait (po aty, f. 80).

    Sipas dëshmitarëve të kohës koka e munguar e murgut Kozma me porosi të Ali Pashës u bë prej ari dhe së bashku e trupin u fut në një arkë në të cilën mund ta vizitonin dhe ta nderonin besimtarët. Por fati i keq e bëri që ajo grabitej gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore (Saqellari, 1962).
    Ndërsa eshtrat kanë qëndruar në këtë manastir deri në vitin 1987, kohë kur u larguan prej tij dhe u morën në ruajtje nga institucionet shtetërore. Por për manastirin e Kolkondasit kanë lënë shënimet e tyre edhe udhëtarë të huaj. Njëri prej tyre, piktori anglez Eduard Lir, kur e vizitoi atë në 18 tetor të vitit 1848, midis të tjerave shkruan se, kisha ka një një pamje që se ka shoqen. Më pas ai na tregon edhe për kishën dhe kuvendin e ndërtuar nga Ali Pasha, shkollën, fëmijët që ndiqnin mësimet dhe për priftërinjtë që shërbenin aty (Leear, 2008: 146).
    Manastiri përbëhej prej 60 dhomash dhe me dy kate. Në katin e sipërm banonin klerikët dhe shërbyesit e manastirit, si dhe nxënësit konviktorë, pelegrinët dhe tregëtarët që vinin ditët e panairit. Kati i poshtëm përbëhej nga hauret dhe magazinat (Adhami, 1985: 74).

    Një tjetër porosi e Pashait ishte që manastiri i Kolkondasit të kthehej në një qender fetaro-kristiane të të gjithë trevës së nga Shkumbini, Berati dhe Vjosa. Gjithashtu manastirit, Aliu i dha prona të shumta tokësore në fshatrat: Kolkondas, Bubullimë, Mujalli, Korkutas, Nartë, etj (Po aty, f.75).
    Mendohet se këtë rol manastiri e luajti deri diku në vitin 1822 kur pas rënies së Pashallëkut të Janinës dhe fundit tragjik të Ali Pashë Tepelenës, ai u rikthye në një institucion fetar në varësi të Mitropolisë së Beratit.

    Manastiri i Kolkondasit do të shndërrohet edhe në një qendër arsimore dhe kulturore. Mendohet që shkolla në këtë manastir u hap me porosi të Ali Pashës dhe ishte e tipit fillore e pajisur edhe me një konvikt prej 100 nxënësish. Ajo u shndërrua në shkollën me të madhe të kësaj treve, ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën greke me qëllim përgatitjen e klerikëve për nevojat e vetë kishës si institucion fetar (Adhami, 1985: ).

    Fillimisht mësuesit e parë të shkollës ishin të huaj ndërsa më vonë ata u zëvendësuan me mësues shqiptarë, të cilët në mënyrë të fshehtë nisën të jepnin mësim shqip dhe të punonin për arsimin dhe çështjen kombëtare (Bardhi, 1998: 46). Mësuesit mbanin lidhje me shoqërite e Beratit dhe fusnin libra që botoheshin nga shoqërite kulturore jashtë atdheut. Një nga këta libra ishte edhe Dhiata e Re botuar në gjuhën shqipe nga Kostandin Kristoforidhi. Edhe sot në Muzeun Historik Lushnje ruhet një fletë e këtij libri të përdorur nga at Spiro Saqellari, klerik i këtij manastiri.
    Manastiri i Kolkondasit u shdërrua në një vatër të shkollës shqipe. Pikërisht aty në vitin 1895 redifët turq bënë disa herë raprezalje për të arrestuar Kovi dhe Spiro Saqellarin. Ata bastisën edhe shkollën e manastirit ku gjetën dhe dogjën librat shqip (Kule, 2008: 105-107)
    Në këtë manastir, papa Spiro Saqellari, hapi në 20 tetor 1905 shkollën shqipe. ‘’Ky sukses alarmoi autoritetet osmane dhe reaksionin klerikal’’, shkruan në librin ‘’Historia e Arsimit të Myzeqesë’’, autori Rrapi Bardhi (Bardhi, 1998: 56).

    Kështu me titullin ‘’Gjendja arsimore në Myzeqe’’, gazeta zyrtare e qeverisë së Vlorës, ‘’Përlindja e Shqipërisë’’, në shtator 1913 shkruante se: ‘’Në Kolkondas dilnin mësues shumë të fortë, të pjekur në arsim, që i mernin si mësonjës në Berat dhe Myzeqe’’.

    Kjo shkollë ka patur edhe një bibliotekë mjaft të pasur të cilat në shumë raste kanë habitur edhe udhëtarët e huaj. Fati i keq bëri që kjo bibliotekë të digjej dy herë në vitet 1889 dhe 1914. Një pjesë e librave u transferua në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës. Në këtë bibliotekë ruheshin libra dhe kodikë të ndryshëm, të cilët kanë qenë dorëshkrime me karakter të ndryshëm fetar dhe kishtar. Përveç kodikëve me karakter fetar, mitropolitë, i pajisnin kishat dhe manastiret që vareshin prej tyre edhe me kodikë që luanin rolin e regjistrave dhe që shërbenin për të regjistroheshin çështjë të ndryshme. Të tlla ishin llogaritë, lindjet, martesat, shkurorëzimet, vdekjet, testamentet, etj.

    I tillë është edhe kodiku i këtij manastiri i quajtur dikur edhe kodiku i Shën Kozmait. Ai ishte një libër që përdorej për regjistrimin e lindjeve, martesve dhe shkurorëzimeve dhe i përkiste viteve 1819-1843. Historia e tij është vërtet interesante për tu treguar. Mbi këtë bazë mitropoliti i Beratit, Joasafi e kishte paisur edhe manastirin e Shën Kozmait me kodikë të tillë (Mitrushi, 1965: f. 179-181). Ky kodik qëndroi në këtë manastir deri në vitin 1957, kur u dorëzua në zëvendësinë e Fierit, nga Vangjel Lule. Më pas në ai kaloi në selinë e mitropolisë së Beratit, ku u mor ne ruajtje dhe më pas u arkivua në sektorin e etnografisë së Akademisë së Shkencave. Pasi u përkthye ai u botua pjesërisht nga etnografja Llambrini Mitrushi, në revistat shkencore si: ‘’Studime Historike’’, vëll III në vitin 1965 dhe ‘’Etnografia Shqiptare’’, vëll III, viti 1966.

    Kodiku është i mbuluar nga tre kapakë pergamene, në njërin prej të cilëve shkruhet: ‘’Ky regjistër i përket të shënjtit të Beligradit, Joasafit për kontratat e martesave’’. Ndërkohë që fletët e tij janë prej letre të bardhë me një format 22.5 cm x 15.5 cm. Kodiku përmban gjithsej 96 fletë të ndara në 5 fashikuj dhe të qepur me spango. Ai është shkruar me dorë në gjuhën greke, ku është përdorur bojë e zezë dhe kafe. Në fletët e kodikut janë regjistruar 315 kontrata martese në vitet 1819-1843. Rëndësia e të tyre është se sot shërbejnë si burim etnografik për studimin e zakoneve dhe dokeve të krahinës së Myzeqesë (Mitrushi, 1965: f. 179-181).
    Sot ai ruhet në Arkivin Qënror të Shtetit me emrin Kodiku i Fierit si pjesë e koleksionit të odikëve të Shqipërisë.

    Të tjera vlera që ruan ky manastir janë edhe afresket e kishës së vjetër të Shën Mërisë. Duke u nisur nga stili dhe paraqitja e figurave mendohet se kjo kishë është pikturuar me afreske nga një prej piktorëve të familjes Çetiri (Adhami, 1985: 78).

    Disa studjues aludojnë se autori i këtyre mbishkrimeve të jetë piktori Joan Çetiri.
    Pikturat murale janë realizuar në vitin 1782, kohë kur u dërtua kisha e shën Mërisë (Popa, 1998: 108). Sipas studjuesit Theofan Popa, Joan Çetiri, ishte jo vetëm piktori më i mirë i kësaj familje ikonografës (çetirëvë) por edhe piktori më i mirë gjatë shekullit të XIX-të, në këtë gjini në krejt Ballkanin (Popa, 1960).
    Ndërkohë që gjatë gërmimeve të zhvilluara në manastir në paraklisin (kishën e vogël) ku ndodhet kenotafi i Shën Kozmait u zbulua edhe një afresk i tij. Specialistët mendojnë se këtu kemi të bëjmë ‘’Me një paraqitje laike dhe realiste të tij, ndoshta nga dikush që e kishte parë, nga një artist që e kishte jetuar’’. Në mbishkrim e këtij afresku ku ai paraqitet vetëm me veshjen e tij të zezë kemi mbishkrimin ‘’murgu Kozma’’ (F.G.K Vatra e Tiranës, 2012: 7.30).

    Sot manastiri ka një pamje mbresëlënëse me të gjitha objektet dhe vlerat e tij. Aty gjen dy kishat, afresket, mbishkrimet, spoliet antike, pusin e ujit, konakët e ndërtuar rishtazi, pyllin që e rrethon, si dhe jetën monastike që ka rinisur pas një shkëputje të gjatë. Por aty pranë kalon edhe lumi Seman, një ‘’bashkëudhëtar’’ dhe njëhkohësisht edhe një ‘’protagonist i heshtur’’ i ngjarjeve që lidhen me këtë objekt kulti.
    Por manastiri përbën edhe të vetmin objekt në krahinën e Myzeqesë që është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. Ai na dëshmon një pjesë të trashëgimnisë sonë kulturore e cila së bashku me historinë e shumta si dhe legjendat që lidhen me të, i duhet servirur zhvillimeve të turizmit kulturor. Kështu, zona e Libofshës, me kishat e saj-monumente kulture dhe manastirin e Shën Kozmait përbën tashmë një atraksion të prekshëm të turizmit kulturor, historik dhe fetar.

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu