More

    Portreti enigmatik i Apolonisë. Cilën figurë përfaqëson kapiteli i Kishës

    Nga: Ilirjan Gjika

    Historia e Bizantit të fut natyrshëm në një botë fantastike tragjedish, të mbështjella me një mjegull ngjarjesh ku kemi përballje qytetërimesh, perandorësh, prapaskenash politike e fetare, konfliktesh, luftërash apo ngjarjesh nga më të ndryshmet. E kështu të shfaqet edhe vetë historia e një pjese të kësaj perandorie, Shqipërisë, e shoqëruar me zhvillime pushtimesh, marshimesh drejt pushtetit, rrebelimesh ndaj qëndrës, kryengritjesh, etj.

    Ashtu si kronikat e analet edhe burimet materiale arkeologjike e kulturore, na kumtojnë edhe zhvillimin e një kulture të shkëlqyer e të shumëllojshme, që bashkëjetoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe me ngjarje e njerëz të përmendur të mesjetës.

    Të tilla materiale të kësaj kulturë të vjetër e të pasur i gjejmë edhe sot në objektet e epokës, ku një e tillë është edhe kisha e Shën Marisë së Apolonisë. Në të ruhen shumë vlera artistike midis të cilëve edhe një imazh enigmatik, siç është koka e panjohur e gdhëndur në një prej kapiteleve të saj.

    E vendosur sot në dyshemenë e kishës ajo është e prekshme nga të gjithë, vizitorë, pelegrinë apo studjues. Por deri më sot askush nuk eshtë marrë me të. Prandaj dhe qëllimi i këtij shkrimi është që të zgjojë interesin e studjuesve të fushës rreth portretit të panjohur të Apolonisë.

    Kisha e Shën Mërisë së Apolonisë është një nga monumentet më të rëndësishme arkitektonike të kultit mesjetar në Shqipëri, të cilën e kanë konsideruar si një kryevepër të artit bizantin. Por në këtë objekt midis stileve arkitektonike që ndërthuren, spolieve antike të murosura, mbishkrimeve dhe kolonadës, ruhen edhe disa imazhe të rralla, unike një pjesë e të cilave janë bërë qysh herët objekte studimi. Të tilla janë afresku mesjetar i Paleologëve, mbishkrimi i Joanit dhe Kalies, si dhe portreti i ‘’padeshifruar’’ i kapitelit të njërës prej kolonave të interierit të naosit.

    Mbishkrimi i Joanit dhe Kalies
    Mbishkrimi i Joanit dhe Kalies

    Por le ti shohim me radhë këto vlera.

    Në murin perëndimor të parasallës së kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Apolonisë sot ndodhen mbetjet e një afresku tëpër të rrallë. Me përmasa 1.32 x 3.30 m, ai paraqet familjen e Perandorit Mihal VIII-të, së bashku me të shoqen Teodorën, të birin Andronikun e II-të, Shën Marinë dhe disa persona të tjerë. Në qendër të pikturës ndodhet figura e Perandorit Mihal VIII-të, i cili paraqitet në moshë të thyer me kurorë në kokë, mbi të cilën ndodhet mbishkrimi: “Kostandini i ri Komnen, Dukë, Angelos, Paleologu si krishtdashës dhe murgdashës i vërtetë”.

    Për këtë mbishkrim Theofan Popa, një nga studjuesit e artit ikonografik mendon se emërtimin ‘’Kostandin i Ri’’, Mihali VIII-të, e ka marrë si çlirues i Kostandinopojës nga Latinët, duke e krahasuar me themeluesin e këtij qyteti, Kostandinin e Madh.

    Mihali i VIII Paleolog, njihet në historinë e Bizantit si njeriu që dëboi latinët dhe rikrijoi Bizantin në vitin 1261. Në Shqipëri dhe pikërisht në Berat ai luftoi në vitet 1280-1281 kundër Anzhuinëve të Napolit. Ndërsa i biri i tij, Androniku II, që bashkësundoi me të atin (1272-1282) luftoi në këto vise kundër po të njëjtit kundërshtar në vitin 1290, ku pati sukses.

    Ndërkohë që në anën tjetër të afreskut pranë figurës së perandorit ndodhet perandoresha Teodora. Ndërsa midis tyre është vendosur pak më poshtë figura e Andronikut II, edhe ajo me kurorë në kokë. Mbi të ndodhet mbishkrimi “Androniku, besnik në krishtin, perëndinë, mbret i Romejve, Komnen, Dukë, Angelos, Paleologu”. Ndërkohë që në anën e majtë të Perandorit ndodhet Shën Mëria që mban në dorë Maketin e kishës. Një figurë tjetër e afreskut është edhe një shenjt i pikturuar me veshje hierarkike, i cili mund të jetë Shën Kolli. Ndërsa tre figurat e tjera të afreskut janë të dëmtuara. Paraqitjen e kësaj familje në murin e kësaj kishe Theofan Popa e lidh me idenë se kjo kishë është ndërtuar ose rindërtuar nga këta perandorë në vitet 1280-1290 (Popa, 1967).

    Afresku i Paleologeve
    Afresku i Paleologeve

    Interesant është fakti, se në të njëjtën kohë me tezën e mësipërme të Th. Popës që u publikua në vitin 1967, ishte formuluar një tjetër hipotezë oponente me të. Ajo lindi nga kërkimet e dy studjueseve të njohura të artit kishtar bizantin. Sipas autoreve të saj, Viktori Puzanovës dhe Dhorka Dhamos, në këtë afresk si figurë qëndrore paraqitet Androniku i II-të, me të shoqen e tij perandoreshën Irena dhe të birin Kostandinin IX. Sipas studjueseve të mësipërme ky afresk mendohet se është fiksuar në momentin e dorëzimit të diplomës perandorake, për rimëkëmbjen e Peshkopatës Ortodokse të Kaninës, në vitin 1307 (Puzanova-Dhamo, 1965).

    Sipas studjuesit Aleksandër Meksi, kjo pikturë është e vetmja në artin bizantin që paraqet së bashku këto figura historike (Meksi, 1982). Gjatë kohës së sundimit të Andronikut të II-të rëndësia e kishës dhe roli i saj në jetën shpirtërore arriti kulmin. Kjo periudhë u konsiderua e artë për manastiret në disa aspekte si në ato kulturore, shpirtërore dhe materiale. Këto institucione u përkrahën nga perandori me diploma, prona tokësore dhe privilegje të shumta.

    Kolona e kishes se Apolonise
    Kolona e kishes se Apolonise

    Ndërkohë që në pjesën veriore të kishës në një mur që lidh faltoren me paraklisin (kapelën) e Shën Mitrit, ndodhet një fragment pikture me një mbishkrim që flet për një zonjë bizantine, Kalien dhe Sebastokratorin Joan. Mbishkrimi i përket vitit 1291, ndërsa sebastokrator është titulli i tretë në hierarkinë shtetërore bizantine. Nga literatura historike dimë se Qefali i Beratit, pra kapiten apo mëkembës të perandorit bizantin kanë qenë dy persona me emrin Joan. I pari, ne vitin 1277, ka qene Joan Paleologu, vëlla i perandorit Mihal VIII Paleolog, ndërsa i dyti ka qenë ne vitin 1314, Joan Pinkerni (Xhufi, 2009).

    Ndërsa imazhi i tretë që ka të bëjë me kishën e Shën Marisë së manastirit të Apolonisë është koka e gdhëndur në njërin prej kapiteleve romanike të saj.
    Por cilin përfaqëson ky portret? Njërin nga paleologët e mësipërm, ndonjë zyrtar lokal të kohës, apo ndoshta ndonjë nga kalorësit e mëdhënj të perëndimit, të cilët në shekujt XI-XIII kryen pushtime në brigjet tona.

    Në vitet 1984-1989, Instituti i Monumenteve të Kulturës, ndërhyri duke restauruar brendinë në mënyrë të gjerë ambiente e manastirin të Apolonisë. Midis tyre u bë edhe restaurimi përfundimtar i kishës së Shën Marisë ( vitet 1987-1989) dhe sjella e saj në natyrën dhe format fillestare (Gega-Meksi, 1989). Midis dëmtimeve të shumta si çarjet dhe plasaritjet ishin dëmtuar edhe katër kapitelet e kolonave të naosit (sallës) dhe pllakave që ndodheshin mbi to. Si rezultat i ndërhyrjeve restauruese u ndërruan katër kapitelet e kolonave të kishës të cilat u zëvendësuan me kapitele të kopjuara me përpikmëri, të derdhura nga specialistët me çimento të bardhë dhe pluhur guri gëlqeror (po aty, f. 11).

    Kapiteli origjinal i kishes
    Kapiteli origjinal i kishes

    Për qëllime muzeale kapitelet që u zëvendësuan u vendosën pranë kolonave në dyshemenë e kishës. E veçanta e tyre është se kapiteli i kolonës jugperëndimore ka të skalitur midis zbukurimeve të tjera edhe një figurë burri me kapelë perandorake në kokë. Ndryshe nga të tjerat që kanë motive bimore portreti është gdhëndur në të katër anët e kapitelit.

    Kisha e Shën Marisë ka një të veçantë. Në të mungon mbishkrimi i ndërtimit të saj si edhe emri i ndërtuesit. Kjo ka bërë që autorë të ndryshëm të hedhin disa hipoteza për kohën e ndërtimit të saj. Ndërkohë që specialistët që janë marrë me studimin e këtij objekti kulti mendojnë se ajo është ndërtuar në shekullin e XIII ose më parë (Meksi, 1983).
    Pa u futur në analizën e tij mund të themi se ky portret arkaik është një nga enigmat që mban të fshahur ky objekt kulti. Ai edhe sot mbetet enigmatik, me format e plota, por pa ndonjë tipar të veçantë dallues ku të shquhet portreti i ndonjë figure historike. Kjo ndodh nga fakti se gurgdhëndësi ishte mjeshtër në realizimin e kapiteleve, por jo mjeshtër në realizimin e figurës së njeriut.

    Megjithatë aludimet nuk mungojnë. A është ai portreti i perandorit bizantin që ndërtoi kishën në shekullin e XIII?! Apo mos ndoshta përfaqësuesi vendor i pushtetit perandorak gdhëndi në të portretin e tij? Për hipotezën e dytë mund të na shërbejë edhe pohimi që kanë bërë edhe autorët e restaurimit, të cilët theksojnë se: ‘’… programi i ndërtimit të kishës ka ardhur nga qendra’’ (Gega-Meksi, 1989). Pra bëhet fjalë për Kostandinopojën, kryeqytetin e Perandorisë Bizantine. Biles njëri prej tyre, Aleksandër Meksi, thekson se ‘’Kisha e manastirit të shën Mërisë të Apolonisë përbën të vetmin rast të variantit kryeqytetas të këtij tipi’’ (Meksi, 1983). Por edhe këto mbeten përsëri aludime hipotezash, të cilat mund të vërtetohen vëtëm nga studimet e mëvonshme./nga Ilirjan Gjika/shqip.info

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu