More

    Protesta për rritjen e çmimit të naftës në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë, bllokohen disa akse rrugore

    Sot është dita e dytë që qytetarët protestojnë para kryeministrisë për rritjen e çmimit të naftës. Dhjetëra protestues janë mbledhur për të kërkuar që të hiqet taksa e naftës në mënyrë që të ulen çmimet e produkteve të tjera.

    Njësoj si ditën e djeshme, ata kanë dalë në rrugë për të bllokuar qarkullimin e mjeteve, të cilëve i kërkojnë që të fikin makinat në shenjë proteste. Protestuesit janë ulur në kryqëzim ndërsa i janë bashkuar dhe disa shoferë mjetesh, por u shpërndanë pas ndërhyrjes së policisë. Megjithatë kanë paralajmëruar se të shtunën do të bëhet marshim në Tiranë në orën 11:00.

    “Nuk mund të komunikohet live nga Facebook. Ja ku jemi të gjithë. I ftoj të gjithë që të marrin pjesë dhe të bëhen bashkëbisedues me njëri-tjetrin këtu dhe për të shpërfaqur të gjithë mjerimin. Të gjithë ata qytetarë që ndjejnë se revoltën e tyre duhet ta shpërfaqin, ta ndjejnë veten sot të bashkuar është e vetmja mënyrë”, tha një aktivist.

    “Një qëndrim shmë kritik ndaj opozitës, e cila e la situatën të vijë deri këtu. Zot i Madh ruaji këta njerëz, ruaj këtë vend shqiponjash. Rrofshi ju, respekte të gjithëve”, tha një tjetër qytetar.

    Një tjetër protestuese u shpreh e shqetësuar për rritjen e çmimeve sepse bashkë me burrin marrin 150 mijë lekë pension. Bashkëshortit të saj, i cili është invalid i kanë hequr kempin, ndaj tek ata ndikojnë shumë shifrat e produkteve ushqimore që vijnë si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.

    “Jam një nënë 62-vjeçare, më kanë hequr kempin e burrit. Me 150 mijë lekë vij vërdallë, ju lutem, vij në emrin e të gjithë njerëzve invalid, njerëzit nuk kanë bukë në shtëpi, e para jam unë. Me çfarë të mbahem unë, me 70 mijë lekë? Invalidetin e kanë hequr gjithandej, përse, për 70 mijë, invalidi ato pret, nuk kemi dru as zarf”, tha ajo.

    Ndërkohë po zhvillohen protesta paralele edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

    Lushnje – Dhjetëra protestues janë mbledhur tek rrethrrotullimi i Plukut në Lushnje në shenjë proteste për rritjen e çmimit të naftës. Protestuesit kanë bllokuar aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnje. Forca të shumta policie janë në këtë pikë dhe po negociojnë me protestuesit për hapjen e rrugës.

    Durrës- Në ditën e dytë të protestës, bllokohet hyrje-dalja e Durrësit te stacioni i trenit. Qytetarë të shumtë po protestojnë kundër ngritjes së çmimeve. Protestuesit bllokojnë qarkullimin edhe në aksin që lidh unazën e qytetit me hyrjen e Durrësit. Protestues të tjerë dhe te Ura e Dajlanit.

    Korçë – Banorët e Bilishtit dhe të Devollit janë ngritur në protestë këtë pasdite, pasi kërkojnë uljen e çmimeve, veçanërisht të naftës. Protesta po mbahet në qendër të qytetit. Pjesë e protestës janë bërë edhe fermerët e zonës së Devolli të cilët thonë se me këto çmime e kanë të pamundur të prodhojnë. Protesta po mbikëqyret në distancë edhe nga policia.

    Shkodër – Qindra qytetarë shkodranë kanë dalë të protestojnë këtë pasdite kundër rritjes së çmimeve. Në shenjë proteste për naftën, ata kanë vendosur të bllokojnë qarkullimin duke fikur automjetet në qytet dhe kërkojnë reagimin e qeverisë. Me pankarta në duar, ata kanë kërkuar edhe uljen e çmimeve të produkteve të shportës, të cilat kanë pësuar rritje në ditët e fundit.

    Bulqiza – I ftohti dhe dëbora nuk ka ndaluar banorët e Bulqizës të dalin në protestë këtë pasdite, për të protestuar për rritjen e çmimit të naftës. Ata kanë bërë thirrje për uljen e çmimit të naftës dhe produkteve të tjera që kanë pësuar rritje, ndërsa ka ndërhyrë edhe policia.

    Çmimet e karburanteve vazhdojnë të thyejnë rekorde në vend. Të mërkurën, shifra arriti në 260 lekë/litri, ndërsa të gjitha produktet e shportës po ashtu janë shtrenjtuar në tre muajt e fundit.

    Pasditen e djeshme, qytetarët u ngritën në protesta në qytetet kryesore të vendit. Në kryeqytet ishte pjesëmarrja më e madhe. Nën moton as të majtë, as të djathtë, por popull, qytetarët kërkuan nga qeveria uljen e taksave, subvencione dhe ngrirjen e çmimeve për produktet e shportës. Protesta u mbyll me ndërhyrjen e policisë pasi qytetarët po bllokonin rrugët duke bindur shoferët që të fiknin makinat, ndërsa mbetet për tu parë se si do të shkojë protesta sot.

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu