More

    Qeveria shqiptare vendos menaxhimin e Butrintit nga një fondacion

    Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Marrëveshja pritet të kalojë në parlament për t’u miratuar.

    Ministrja e Kulturës Elva Margariti shkruante në rrjetin social Facebook se “së bashku me partnerin strategjik, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ministria kishte themeluar fondacionin e posaçëm të menaxhimit të Butrintit”.

    “Ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformime, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit” tha zonja Margariti.

    Sipas Ministres së Kulturës Margariti marrëveshja parashikon që Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes.

    Sipas zonjës Margariti kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

    Një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimsië kulturore në Shqipëri.

    Marrëveshja e miratuar të mërkurën nga qeveria shqiptare mbështetet në Planin e Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit 2020 – 2030, një dokument prej 300 faqesh, hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.

    Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare ngritën shqetësime gushtin e vitit 2020 kur u prezantua Plani i menaxhimit të Butrintit për një formë të tillë menaxhimi përmes fondacioneve jo-shtetërore.

    Arkeologu i njohur Neritan Ceka tha se Plani i Menaxhimit nuk kishte në ekipin e tij asnjë arkeolog shqiptar.

    Ndërsa studiuesi Agron Alibali, tha se Shqipëria ishte në shkelje të Konventës së Parisit, e cila përcakton rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve anëtare, të njohura si “Shtete Palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.

    Në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 ha në 8.622,2 ha në kuadër të shqyrtimit të kufijve të disa parqeve natyrore dhe kombëtare në vend.

    Sipas hartës së bashkëngjitur vendimit të qeverisë për Butrintin një sipërfaqe prej rreth 800 ha nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike.(VOA)

    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu