Më shum

    Flamuri i Shqipërisë

    Flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të kuqe dhe një shqiponjë dykrenare të zezë në mes. Flamuri shqiptar e ka prejardhjen nga simboli i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili i udhëhoqi shqiptarët në një kryengritje të përbashkët në shekullin XV kundër Perandorisë osmane duke i sjellë trojeve shqiptare pavarësinë për një kohë të shkurtër (1443-1478). Shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti e cila e ka zanafillën në Perandorinë bizantine.

    Prejardhja

    Shqiponja ka qenë prej fillimit të Kulturës Ilire në Ballkan simbol shumë i rëndësishëm. Edhe në periudhën e Romës antike Shqiponja ka qenë simbol i këtij shteti. Si simbol i Romës shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh,Çezari, etj. P.sh. : ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Çezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i madh. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për 10 shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej "qytetit të amshuar", (Romës). Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri Bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562) Perandorit me origjinë Ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e Shqiponjës ti identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë me kalimin e kohës me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ja dhuroi simbolin Perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumë kombëshe si: Princave Rumunë, Bullgarë, Gjermanë, Rusë, Serbë, Grekë, Shqiptarë, etj. Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një dyzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë pasur kontakte kulturore me Bizantin. Ndërkohë që ai shfaqet si simbol i kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Lindjes, Bizantit. Flamuri Bizantin ruhet sot në një nga manastiret e malit të Shenjtë (Atos) në Greqi, në ngjyrat e tij origjinale Shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.

    Skënderbeu

    Deri më sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri I tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi se kur Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenore. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princ (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika Shqiptare. Tirane 2000, fq 27). Shqiponjën dykrenore e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lek Dukagjini, etj. Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V-të, Mbreti i Napolit me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës 26 mars 1451. (Gj. Varfi. Heraldika Shqiptare, fq. 32). Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arrnaldo Fonoleda. Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog Venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti i biri i heroit mori titullin "Fisnik i Republikës". (Akademia e Shkencës, Historia e Popullit Shqiptar, fq.434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Marisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali). Njëlloj si në flamur Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër, edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentat zyrtare. (Historia e Popullit Shqiptar, fq.433). Ndërkohë kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut me 17 janar 1468, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të Heraldikës së tyre

    Historia

    Sipas prof. Kasem Biçoku, shqiponja dykrerëshe është përdorur si simbol pushteti dhe dokumentohet se është përdorur për herë të parë nga perandori Kostandin dhe më pas u bë traditë vendëse në të gjithë Ballkanin. U përdor edhe nga Skënderbeu, për të treguar se ishte përfaqësues i sundimit paraosman. Profesor Kasem Biçaku tregon: Në lashtësi ka qenë shumë i përhapur totemizmi (lloj besimi që adhuronte kafshët dhe shpendët, duke i konsideruar si mbrojtës dhe themelues të njerëzimit). Shqiponja është konsideruar si bashkudhëtare e perëndive dhe vetë perëndi. Ajo dhe luani janë konsideruar kudo si mbretër, përkatësisht të shpendëve dhe të kafshëve, për këtë arsye figura e shqiponjës dhe luanit janë më përfaqësueset në heraldikat (stemat, shenjat) e vjetra. Shqiponja është simbol pushteti, guximi dhe lartësimi shpirtëror. Ka qenë simbol pushteti perandorak, prandaj është dhe në heraldikat e shumë vendeve. Shqiponja me dy krerë është përdorur si simbol që në shekullin VII para erës sonë në Turkmenistan. Shqiponja e zezë me një kokë është përdorur si simbol në perandorinë romake dhe me përhapjen e Krishtërimit u përdor edhe nga kisha katolike. Shqiponja dykrerëshe është përdorur për herë të parë nga perandori me origjinë iliro-shqiptare, Kostandini (306-337), themelues i Kostandinopojës, duke i krijuar perandorisë romake dy qendra administrative; Romën dhe Kostandinopojën dhe shqiponja simbolizonte keto dy vende. Gjatë sundimit të perandorit iliro-shqiptar Justiniani I (527-565) u bë bashkimi i dy kishave dhe si simbol i përbashkët kishtar u bë shqiponja dykrenare, prandaj gjendet si simbol nëpër kishat mesjetare të Shqipërisë dhe Ballkanit. Në shekullin XX në Perandorinë Bizantine shqiponja dykrenare shfaqet me krahë gjysmë të hapur dhe vazhdoi të shfaqej ashtu. Në Shqipëri, si simbol pushteti, shqiponjën e kanë përdorur familjet sundimtare shqiptare të mesjetës si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët, po ashtu edhe Çernojoviçët e Malit të Zi. Duke përdorur shqiponjën si simbol të pushtetit të tyre, dëshmohet se këto familje kanë qenë funksionare të larta gjatë Perandorisë Bizantine. Me shembjen e Perandorisë Bizantine në vitin 1453, shohim që nga Skënderbeu u përdor edhe ngjyra e flamurit të Bizantit dhe me këtë donte të tregonte se ishte vazhdues i pushtetit paraosman, megjithëse i bëri dallime qoftë stemës dhe flamurit, për ta dalluar nga ai i Bizantit. Në vulën e Skënderbeut, ku është shqiponja dykrenare, ndërmjet dy krerëve të saj është vendosur një yll me 6 cepa. Mbi këtë yll është një yll tjetër me 8 rreze. Kurse në stemën e Kastriotëve që është gdhendur 2 herë në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Kostandin Kastrioti, ylli është me 8 cepa dhe mbi krerët e shqiponjës janë dy kurora mbretërore. Me këto simbole Skënderbeu tregonte pretendimin se kishin prejardhje nga Aleksandri i Madh, gjë që e kemi të shprehur në epigrafin e Alfonsit në një kishë të Valencias në Spanjë. Pra shqiponja dykrenare është përdorur masivisht nga sundimtarët si simbol pushteti dhe mund të konsiderohet traditë romako-bizantine. Flamuri i Shqipërise nga 1914-1920 Gjatë kohës së Rilindjes, aktivistët e saj të të gjitha feve e grupeve punonin dhe vepronin nën hijen e këtij flamuri edhe pse ai nuk ishte i standardizuar deri në kohën e krijimit të shtetit të parë shqiptar. Me kthimin e Ismail Qemailit në Vlorë, dhe krijimin e shtetit të parë të shqiptarëve bëhet edhe standarizimi i flamurit kombëtar shqiptar i cili ishte gjithashtu edhe flamuri shtetëror i qeverisë së parë të Shqipërisë. Faik Konica ishte i pari që ideoi se si duhet te ishte forma dhe përmbajtja e flamurit kombëtar në këtë periudhë. Ky flamur llogaritet si një ndër elementët kryesore të kombit të tyre. Në Shqipëri dhe Kosovë janë bërë disa ndryshime të flamurit kombëtar dhe janë përdour si flamuj shtetëror apo administrativ nga qeveri e sisteme të ndryshme. Ndër ndryshimet e bëra nga shqiptarët kanë qenë ndryshimet që i janë bërë shqiponjës në nivel kombëtar, ndërsa ndryshimet tjera kanë humbur diku në histori si ndryshimet qeveritare, partiake, lokale etj

    Rrugëtimi i flamurit

    Don Alandro Kastrioti ishte një Princ Spanjoll. Një stërgjysh i tij kish qenë nënmbret i Napolit. Në vitin 1600 ky fisnik ishte martuar me Markezen Auleta Kastrioti. Me një origjinë të tillë Don Alandroja e shpalli veten në fillim të viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërisë. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, Alandro Kastrioti pati meritën që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike Europiane. Diku në vitin 1907 Eqrem Bej Vlora, një nga kushërinjtë e Ismail Qemalit dhe njëri prej personaliteteve më të shquara të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris (E.B.Vlora, Kujtime. Tirane 2003. fq.215). Takimin me këtë "Personazh të çuditshëm" ai e përshkruan kështu : "....Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur.... dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxorri prej andej një flamur shqiptar, një shqiponjë e zezë dykrenore në fushë të kuqe dhe ma dha mua....". Pesë vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhdë anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë.

    Në vend të mbylljes

    Ka ardhur koha që shumë e shumë probleme hipotetike që mbart historia jonë kombëtare të sqarohen siç duhet. Kështu mund të themi në mënyrë të argumentuar se flamuri ynë, "flamuri i Skënderbeut", është trashëgimi e ndikimeve romako-bizantine në Shqipërinë e shekujve të kaluar. I marrë në trajtën e një difuzioni kulturor ai ruan dhe sot ngjyrat e vërteta dhe formën e përgjithshme të simbolit bizantin. Vetëm shqiponja është ridimensionuar me kalimin e kohës, duke marrë një formë më të plotë e më të bukur, e cila i ka krijuar edhe origjinalitet të veçantë. Flamuri i ngritur ditën e 28 nëntorit 1912 në Vlorë, i cili kurorëzoi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishte flamuri i Kastriotëve, i ruajtur prej tyre gjatë brezave dhe i sjellë në Shqipëri nga Eqrem Bej Vlora, kushëriri i Ismail Qemalit.

    TË REJA