More

    Gjuha Shqipe

    Gjuha shqipe (ose thjeshtë shqipja) është gjuhë dhe degë e veçantë e familjes indo-evropiane të folur nga më shumë se 6 milionë njerëz, kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Republikën e Maqedonisë, por edhe në zona të tjera të Evropës Jugore ku ka një popullsi shqiptare, duke përfshirë Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Është gjuha zyrtare e Shqipërisë dhe Kosovës. Komunitetet shekullore që flasin dialektet shqiptare mund të gjenden të shpërndara në Kroaci (Arbëreshët në Zarë), Greqi (Arbëreshët në Greqi, Çamëri dhe disa komunitete në rajonet e Maqedonisë Perëndimore dhe Trakës Perëndimore), Itali (Arbëreshët në Italinë Jugore,Sicili dhe Kalabri) si dhe në Rumani dhe Ukrainë. Ekziston poashtu edhe një diasporë e madhe shqiptare.

    Shqipja, si gjuhë moderne, përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Shkruhet me shkronja latine. Gjuha shqipe përfshin gjuhën standarde ose gjuhën e njësuar letrare shqipe, e cila u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes në vitin 1972 në Tiranë, dhe të gjitha dialektet, nëndialektet e të folurat që fliten nga shqiptarët. Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: gegërishten, toskërishten, dhe një kronolekt: arbërishten. Fjalori i shqipes ka disa huazime nga greqishtja e lashtë, si dhe nga latinishtja; huazimet pastaj vazhdojnë nga gjuhët sllavo-jugore, greqishtja dhe osmanishtja, si dhe nga italishtja e frëngjishtja dhe gjuhët tjera. Aktualisht gjithnjë vijnë duke u shtuar huazimet nga anglishtja.

    Shpërndarja gjeografike

    Është gjuha amtare e 2,765,610 njerëzve në Shqipëri (v. 2011[8]), 1,644,865 në Kosovë (v. 2011), 507,989 në Maqedoni (v. 2002), 176,293 në Zvicër (v. 2013[11]), rreth 66,000 në Turqi (v. 2014), 63,835 në Serbi (v. 2002), 32,671 në Mal të Zi (v. 2011), 23,820 në Kanada (v. 2011) 17,069 në Kroaci (v. 2011), rreth 10,000 në Rumani (v. 2009), 7,177 në Slloveni (v. 2002), 4,925 në Bosnjë dhe Hercegovinë (v. 1991), 1,740 në Ukrainë (v. 2001) e në vende të tjera si dhe ka rreth 100,000 folës të arbërishtes në Itali dhe rreth 50,000 folës të arbërishtes në Greqi (v. 2007).

    Gjuha Shqipe