Galeria “Two Temple Place” në Londër, ka ekspozuar mes të tjerash edhe jelekun dhuratë nga shqiptarët, dashamirëses së madhe të vendit të tyre, Edtih Durham.
Është e hapur prej të shtunës, ekspozita “Unbound: Visionary Women Collecting Textiles”, me veshje tradicionale të grave gjatë shekullit XX, nga Ballkani e deri tek ato aziatike.
Pjesë e kësaj ekspozite është edhe jeleku i veshjes tradicionale shqiptare, qëndisur me ar, dhuratë e popullit të Beratit, më 1918, për Edith Durham. Ekspozita do të qëndrojë e hapur, deri më 19 prill.
Jeleku është i punuar mjeshtërisht me qëndismat ngjyrë ari të endura me ornamente. Aq fort i kishte pëlqyer, sa udhëpërshkruesja angleze, Edith Durham, do ta vishte atë sipër një fustani të lehtë.
Kjo veshje e grave, ishte dhuratë e popullit të Beratit në vitin 1918, për anglezen që asokohe kishte fituar namin e “mbretëreshës së maleve”. Sipas studiuesve, jeleku simbolizon mjeshtërinë e lartë artizanale shqiptare. Jeleku pa mëngë dhe i qëndisur me fije ari, ishte një veshje e aristokracisë së lartë beratase.
Ky jelek i qëndisur sipas traditës shqiptare është vetëm një, prej veprave të paraqitura në ekspozitën e tekstileve nga Ballkani dhe Azia. Panorma artistike që vijon prej të shtunës në “Two Temple Place” në Londër, me tekstilet që i përkasin shekullit XX, nga shtatë gra, konsiderohen mirëfilli vepra artistike.