Lefter Koxhaj, i njohur me emrin e luftës Komandant Teli, ishte ushtarak dhe një nga dëshmorët e shquar të luftës së vitit 2001 në Maqedoni. Ai drejtoi njësinë speciale të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të njohur si “Teli 69”, e cila u bë simbol i qëndresës shqiptare. Për guximin dhe aftësitë e tij luftarake, u përshkrua shpesh si “tmerri i forcave maqedonase”, duke u bërë veçanërisht i njohur në betejën e Haraçinës.
Kontributi në luftërat çlirimtare
Komandant Teli ishte gjithashtu një nga figurat udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998–1999, ku dha kontribut të drejtpërdrejtë në organizimin dhe drejtimin e formacioneve luftarake kundër forcave serbe. Përvoja e tij në Kosovë dhe Preshevë e bëri një ndër strategët më të njohur të lëvizjes çlirimtare shqiptare.
Jeta dhe veprimtaria
I lindur në Nishovë, Skrapar, Shqipëri, me mbiemrin Bicaj, ai mori pjesë aktivisht në disa fronte të luftës shqiptare. Në vitin 2001, iu bashkua UÇK-së në Maqedoni, ku mori emrin luftarak Lefter Bicaj dhe u emërua komandant i njësisë speciale shkruan shqip.info.
Rënia heroike
Më 7 gusht 2001, ndërsa ndodhej në Gazibabë të Shkupit, Komandant Teli u vra nga forcat speciale maqedonase, së bashku me pesë bashkëluftëtarët e tij, në shtëpinë e Muzafer Halilit ku po pushonin. Operacioni ushtarak përfshiu rreth 600 forca maqedonase, të cilat rrethuan shtëpinë dhe hapën zjarr pa paralajmërim rreth orës 01:00 të natës.
Përveç Telit, atë natë ranë dëshmorë edhe:
Arben Bajrami, 24 vjeç, nga Shkupi
Ndriçim Koxhaj, 30 vjeç, nga Librazhdi
Abaz Beqiri, 42 vjeç, nga Haraçina (Shkup)
Pajtim Roci, 21 vjeç, nga Kukësi
Vrasja e Komandant Telit nga pala maqedonase u konsiderua prej tyre si një ndër “sukseset më të mëdha ushtarake”, por për shqiptarët mbetet një akt i rëndë tradhtie, i kryer vetëm tre ditë pas armëpushimit të 4 gushtit 2001 dhe gjashtë ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur.
Trashëgimia
Komandant Teli mbetet një figurë e pavdekshme në kujtesën historike shqiptare. Ai simbolizon guximin, rezistencën dhe sakrificën për lirinë kombëtare shkruan shqip.info. Edhe sot, për shqiptarët, ai kujtohet si një luftëtar i pathyeshëm, tmerri i ushtrisë maqedonase dhe frymëzim për brezat e ardhshëm./shqip.info