Categories
Turizmi

152 turistë zviceranë dhe francezë vizitojnë Vlorën

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ditën e sotme në portin e Vlorës ka mbërritur kroçera “La Belle de l’Adriatique” me 152 turistë francezë dhe zviceranë, raporton ATSH.

“Turistët janë mirëpritur nga stafi i portit dhe iu është ofruar informacion në lidhje me portin dhe zonat turistike të qytetit”, bën të ditur porti i Vlorës.

Pas vizitës në port dhe në qytetin e Vlorës, turistët do vizitojnë qytetin antik të Apolonisë, ndërsa më pas do vizitojnë qytetin e Durrësit.

Kroçera “La Belle De L’Adriatique” mbërriti për herë të parë këtë vit në portin e Vlorës me 183 turistë më 16 shkurt, ndërsa deri tani është ankoruar disa herë në portin e dytë më të madh në vend.

Masat e marra gjatë sezonit të fundit turistik për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve turistike kanë bërë të mundur që gjatë 2018-ës numri i jahteve, kroçerave dhe anijeve turistike në vendin tonë të rritet ndjeshëm krahasuar më 2017-ën.

Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej në javët në vazhdim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *