Categories
Kulturë

7 Marsi! Si lindi festa e mësuesit dhe historia e saj

Në vende të ndryshme të botës festohet Dita e Mësuesve. Ditë që i kushtohet punës dhe vlerësimit të figurës së mësuesve. Por data kur festohet kjo festë, është në ditë të ndryshme, në vende të ndryshme.

Sot festohet “Dita e Mësuesit”, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ( jo fetar ) ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami.

Festa e 7 Marsit, u përforcua më shumë gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte dita më e shënuar për mësuesit. Ishte një traditë e bukur, kur nxënësit zgjidhnin përfaqësuesit e tyre më të mirë, të cilët shkonin për vizitë në shtëpinë e mësuesit. Mësuesi i priste me gjithë të mirat, me ëmbëlsira e fruta, ndërsa dhuratat e nxënësve ishin shumë simbolike: lule ose libër.

Sot kjo traditë ka ndryshuar. Festa e mësuesit organizohet në shkollë, me koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Edhe dhuratat janë më të larmishme, jo thjesht lule.

Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të dalluar shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *