Pasditja e 1 qershorit do t’i gjejë socialistët zyrtarisht në fushatë elektorale e cila do t’i ndezë motorët e saj nga Parku Olimpik në Tiranë.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu ka mësuar se socialistët nuk do të zhvillojnë një fushatë euforike dhe me risi si në zgjedhjet e shkuara.
Paçka se në 35 bashki socialistët nuk kanë rivalë, për ata ka rëndësi parësore zhvillimi i këtyre zgjedhjeve më 30 qershor përfshi realizimin e tyre me standarde.
Në sallën qëndrore të Parkut Olimpik kanë nisur përgatitjet. Ora 16:00 e të shtunës do t’i mbledhë të 61 kandidatët në këtë sallë bashkë me të gjithë kandidatët për këshillat bashkiak.
Çelja e fushatës elektorale nga PS është konceptuar si një prezantim i kandidatëve dhe jo paraqitje e forcës mbështetëse që gëzon kjo forcë politike ndryshe nga fushat e shkuara.
Për të folur në çeljen e kësaj fushate janë zgjedhur kandidatët të cilët do të garojnë në ato bashki që janë qeverisur nga PD dhe LSI.
Në fjalët e tij kryeministri Edi Rama pritet të rikthesojë se për socialistët këto zgjedhje janë një bast që duhet fituar përballë PD dhe LSI të cilat nuk marrin pjesë në zgjedhje, por kanë deklaruar se më 30 Qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën.
Për të gjithë mbështetësit e PS që duan ta ndjekin nga afër çeljen e fushatës, jashtë sallës kryesore të parkut olimpik do të vendosen dy ekranë gjigantë.
Një prej anëtarëve të shtabit elektoral socialist i tha Top-Channel se krahas vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Partia Socialiste ka kërkuar një prezencë të shtuar të vëzhguesve të huaj.
Ftesa i janë dërguar gazetarëve dhe televizioneve të ndryshme ndërkombëtare për të mbuluar procesin e votimit më 30 Qershor.
Socialistët nuk i përjashtojnë incidentet në ditët e votimit, por si zgjidhje nëse në qendra caktuara do të pengohet, votimi ato do të përsëriten disa javë më pas.
Përmes një qarkoreje të brendshme dërguar shtabeve elektorale ato u porositën të dokumentojnë me foto dhe video të gjithë ata të cilët do të tentojnë të bllokojnë vullnetin e qytetarëve për të votuar./Top Channel