Në dhomën plot dritë ku ushtrohen disa nga vajzat më interesante të Shqipërisë qëndrojnë disa kupa. I kanë fituar me mund vajzat peshëngritëse të ekipit Dritan Kalemi të Elbasanit. Kupat e medaljes qëndrojnë në dritare, dielli ju jep shkëlqimin që meriton të ketë edhe suksesi i pazëshëm i këtyre vajzave.
Në murin e dhomës është flamuri i Shqipërisë, e vajzat thonë me bindje se janë ngjyrat e vetme për të cilat do të dëshironin të stërviteshin gjithnjë.
Vajzat e ekipit të Elbasanit kanë tejkaluar të gjitha paragjykimet e miqve, familjarëve dhe të panjohurve duke u bërë kampione të Shqipërisë. Kampionet tregojnë për mikrofonin e Trending se talenti i tyre në këtë sport është nuk është i lindur, ato kanë arritur në këtë fazë falë punës e vullnetit. Ndërsa me humor pranojnë se sporti i ndihmon edhe jashtë garave, kur në shtëpi duhet lëviyur ndonjë objekt i rëndë.
Marsela Carja është kampione e Shqipërisë në peshëngritje për të rriturit. Ajo e tregon qartë pasionin që ka për këtë sport kur thotë se përfitimi monetar nuk është i domosdoshëm. Trajnerja e pikasi Marselën teksa luante një ndeshje futbolli mes shkollave dhe iu deshën 2 vite stërvitje për të qenë kampione e Shqipërisë.
Teksa Trending ndiqte Marselën gjatë stërvitjes, pati fatin të njihte një tjetër vajzë të talentuar. Në familjen e Marselës ka edhe një tjetër peshëngritëse. Ajo është Enkileda Carja, vetëm 11 vjeç. Ajo është e shkathët dhe me ide të qarta. Ka idhull kampionin Briken Calja dhe dëshiron që një ditë të rrijë majat. Lidhja e veçantë që ka me të motrën e shtyu Enkiledën ta shoqëronte edhe në stërvitje e aty i lindi pasioni për peshëngritjen. Kampionja e babit dhe e Shqipërisë, urojmë dhe besojmë që do të bëhet një ditë kampione botë.
Por pas talentit të këtyre vajzave kampione fshihet një tjetër femër, ajo është trajnerja Eglantina Çuni. Pa frikë mund të quhet zbuluese e talenteve. Ajo flet me krenari për kampionet e këtij ekipi ndërsa thotë se shpreson që dy motrat Carja të kualifikohen në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që do të mbahet në shtator.
Ajo tregon se kampionia Enkileda është 11 vjeç, por në këtë garë kërkon të kapë rekordin për 15-vjeçarët.