Categories
Histori Shqipëria

Pse nuk lejohen shkollat në gjuhën shqipe në Greqi e Turqi

Dr. Hasan Luçi

Shkollat e shumta të niveleve të ndryshme, nga fillore në universitete, të Turqisë dhe Greqisë në Shqipëri u ngritën sa hap e mbyll sytë qysh në fillimin e tranzicionit të quajtur demokrat në vitet ’90. Kjo sjellje kolonizuese e këtyre shteteve nuk përputhet  aspak me marrëdhëniet e ndërsjellta shtetërore e shoqërore, që vendi ynë i quan normale, biles edhe partnerë strategjikë këto dy shtete, të cilët ende e kanë të ndaluar hapjen e shkollave shqipe edhe të arsimit fillor, pa le më lart. Në Greqi nuk bëhet fjalë as për shkollat shqipe në Çamëri por edhe aspak edhe për arvanitët, arbëreshët në vite, që jo vetëm flasin gjuhën ende në shtëpitë e veta, por janë edhe shumicë në 676 fshatrat e tyre, por edhe si perqindje popullsie në Greqi.Kjo falë shovinizmit grekomadh dhe mëtimeve për Vorio Epirin edhe në ditët tona.Në Turqi u fol para dy vitesh se në 2018 do të fillonin shkolla fillore për shqiptarët, por ende heshtin si mediat e shkruara edhe ato pamore, ndërsa qeveria as e ka në program këtë problem madhor për dinjitetin tonë kombëtar dhe mbështetjen e domosdoshme të mërgimtarëve tanë fatkeq në çdo kohë deri edhe sot e kësaj dite. Po si ka rrjedhur kjo histori ndalimi kaq kriminues?

Qysh në 1827 sulltani osman dhe Patriarkana Ortodokse e Stambollit vendosën ndalimin e gjuhës shqipe në krejt territoret e perandorisë osmane. Iu dha liri vetëm hapjes së shkollave osmane, serbe, greke, bullgare e rumune. Shkolla shqipe u ndalua me ligj perandorak e politikën shovene ortodokse të Patriarkanës së Stambollit, pasi synohej që shqiptarët të bëheshin nënshtetas muslimanë të perandorisë, me që shumica kishin përqafuar atë fe, dhe të mos kishte komb shqiptar, ndërsa Patriarkana synonte përfshirjen e ortodoksëve shqiptarë nën pushtetin e kishës greke.Mbreti Oton i Greqisë dhe shqiptari tradhëtar kryeministri Jani Koleti ndaluan përdorimin e gjuhës shqipe jo vetëm se flitej në parlament nga shumica shqiptarë që i dhanë lirinë e pavarësinë Greqisë, por u ndalua plotësisht dhe vijon ende sot, jo vetëm në trojet shqiptare nën Greqi, por edhe në fshatrat shqiptare, nga të cilat mbi 20 në rrethinat e Athinës dhe në lagjen Plakë në qëndër të saj.

Në 1844 u hartuan platformat akademike si “Naçertania “serbe e Grashaninit, “Megali idea”( Idea e madhe”) greke  dhe “Zeta” malazeze, të cilat synonin pushtimin e trojeve shqiptare, të quajtura osmane a turke, kur të shpërbëhej perandoria osmane, e sëmura e Bosforit.Këto shtete u mbështetën edhe nga miqtë e tyre, fuqitë e mëdha europiane e Rusia, që synonte daljen në ujrat e ngrohta në Mesdhe.Greqia filloi luftën në trojet shqiptare për ta përzënë popullsinë shqiptare nga trojet e veta me bandat e Grivas  qysh nga 1854 dhe deri në agresionin në Lëkurs në 1878, pra Greqia ishte më e paduruara.Qysh në Kongresin e Berlinit u hartuan planet për coptimin e trojeve shqiptare, kur edhe Bismarku e quajti Shqipërinë “një shprehje gjeografike”.Kështu genocidet kundër shqiptarëve në shekuj janë nga më të tmerrshmit në botë, duke filluar me ndalimin e gjuhës shqipe nga fqinjët tanë tokësorë.Me këtë revan osmano-grek në 1887 në Shqipëri kishte 3 mijë shkolla, nga të cilat: 1.200 shkolla publike osmane, po aq greke private, 300 shkolla bullgare, serbe e vllahe. “Zosimea” greke e Janinës ishte shkolla për shqiptarët, por pak prej tyre u bënë grekofonë, si edhe në shkollat e tjera sllave. Shkollë shqipe kishte vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin, dhe me qënëse gjuha e shkolla shqipe qenë ndaluar, edhe P. Sotiri u vra nga shovenët grekë , si edhe mësues e priftërinj të tjerë atdhetarë shqiptarë dhe kjo shkollë u mbyll pa u hapur mirë.Kjo luftë vijoi pa mbarim, edhe sot në ditët tona shkollat nuk hapen në Greqi, veç disa nga mërgimtarët tanë të tranzicionit. Çamët e arvanitët ende flenë gjumë për të drejtat e lirit e tyre njerëzore, por shpresohet të zgjohen si edhe vëllezërit e tjerë të tyre.Bisedimet mes dy vendeve ngecën dhe nuk dihet kur  do të zgjidhen çështjet e mbetura në heshtje me Greqinë, e cila kërkon qiqra në hell edhe për pakicën greke në Shqipëri, kurse ajo vetë nuk zbaton asnjë konventë ndërkombtare për pakicat etj.

Por paradokset nuk kanë të sosur. Shqiptarët kanë derdhur gjak për trojet e veta dhe kulmore janë tri  kohë: Epopeja e Skënderbeut, që çoi në pavarësi në 1912, LANC-i 1939-1944 dhe çlirimi i Kosovës nga UCK dhe faktori ndërkombëtar. Por si në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka shqetësim se përse Turqia, që quhet partner strategjik nuk mundëson mësimin e shqipes shqiptarëve të vjetër e të rinj atje, nënshtetas ose jo të saj.Jo vetëm kaq, por gjithë shqiptarët që janë vendosur në Turqi për banim të përhershëm  janë detyruar të marrin emër e mbiemër turk, jo ata të lindjes së tyre në trojet e veta etnike. Por atë që nuk e bën dot ushtria në kushtet e sotme, e bën ekonomia turke. Turqia me 74 milionë banorë ka hedhur njërën këmbë në Ballkan dhe aleatët më të rëndësishëm të saj janë qeveritarët e tranzicionit shqiptar dhe ata kosovarë, nga S.Berisha, F.Nano, E.Rama, I.Rugova, H.Thaçi etj. me motivacionin “kohë të reja,veprimtari të reja, hapje e kapitujve të rinj si partner strategjik” etj. Kështu ne kërcënohemi nga një osmanizëm i ri demokrat safi, dje  të shtypur me armë, sot me ekonomi, pasi nuk ruhen marrëdhënie të ndërsjellta sovraniteti shtetëror. Qeveritarët turq e shohin historinë e kulturën e Turqisë të përbashkët me pushtimet osmane si një strategji përfituese në Ballkan.Turqia do të sfidojë BE në Ballkan. Turqia duke qënë edhe pjesë e Ballkanit kërkon të përfitojë perandorinë ekonomike në të nën parrullat “marrëdhënie të qëndrueshme miqësore e të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit” dhe nismat me “procesin e bashkëpunimit europian juglindor” dhe forca paqëruajtëse shumëkombëshe për Europën juglindore2 etj. role të saja në fushën ekonomike, politike,kulturore etj.Turqia nxit nacionalizmin turk në politikë, ekonomi e kulturë në Ballkan.Tregëtia e pandërprerë që nga vitet ’90 dhe rritja e kapitalit turk në veçanti në Shqipëri përmes konçensioneve, bankave, aviacionit etj.Importet turke rriten, ndërsa eksporti shqiptar në Turqi bie.

Qysh në 2005 në vizitën në Tiranë me Fatos Nanon, Erdogani kërkoi të ngrihej një komision dypalësh i përbashkët për rishikimin e teksteve historike, pasi “informacioni mbi marrëdhëniet Turqi-Shqipëri duhet të reflektohet konkretisht në librat shqiptare të historisë”! Kjo kërkesë nuk u bë publike në Tiranë, qeveria Nano heshti, por fjala shfryu nga media të  huaja. Edhe Kosova që nga 2011 pranoi kërkesën e Turqisë për tekstet, duke ngritur një komision të veçantë, sipas kërkesës turke dhe të KE, siç u pohua. Një kërkesë e tillë është bërë me kohë  qeverive shqiptare edhe nga qeveria greke,  “në emër të fqinjësisë së mirë”! U ngrit edhe një grup pune për të rishikuar tekstet që “cenojnë marrëdhëniet” mes vendeve!

Në 2008 Erdogani kërkoi sërish rishikimin e teksteve të historisë për kohën e perandorisë osmane gjatë festimit në rrugën Durrës-Kukës dhe në qershor 2009 në prerjen e shiritit të rrugës Rrëshen-Kalimash në bisedime me Sali Berishën.Turqia kapi kyçe të ekonomisë shqiptare si kombinatin e Elbasanit, floririn e minierave në Mirditë e të bakrit, ndërtim rrugësh, aviacionin, veç restaurante,kafe, ëmbëltore, hotele etj.

Në këto takime të F.Nanos, S.Berishës, B.Nishanit në zyrat e tyre me Erdoganin u zhdukën bustet e Skënderbeut për t’i bërë qejfin proto mikut të tyre. Me arsyetimin për të rishqyrtuar me korrektësi historinë, Erdogani kërkoi heqjen e Skënderbeut si heroin kombëtar për periudhën e tij historike mbi 25 vjet luftë titanike me osmanët kur Skënderbeun e njeh gjithë bota si mbrojtës të vlerave europiane, pasi nuk lejoi pushtimin osman në Europë.Për këto merita për Skënderbeun janë shkruar shumë vepra dhe përmendoret e tij po shtohen në vende të ndryshme europiane dhe nëpër botë. Kjo kërkesë e Erdoganit për Skënderbeun s’ishte jo vetëm një çmenduri e tij por edhe një fyerje e tallje për shqiptarët, dhe Erdoganit nuk iu përgjigjën me dinjitet e sovranitet atdhetar, siç duhet në diplomaci e politik.Erdogani ka thënë: “Të varrosim shqetësimet që kemi kaluar në Ballkan, jo me urrejtje apo mëri,sepse njerëzimi ka nevojë për paqe globale,pasi në të kundërt do të kishte terrorizëm global”.Ai kërkoi vendosje marrëdhëniesh të mira.Por  kjo sjellje ishte ofenduese  dhe sjellja e shtetarëve shqiptarë ishte jo dinjitoze dhe puthadore ndaj Erdoganit për interesat që i dinë vetë ata. Pra Turqia është në sulm për parapëlqimet e saj. Pra i duhet thënë qartë e hapur se Shqipëria e Kosova nuk janë koloni turke. Por Turqia lufton ende kombin kurd, i ndarë në 5 shtete, si ne në 6, dhe askush s’i tërheq veshin, se Turqinë e kanë frikë sidomos kur ka shpatullat e mbrojtura nga Rusia. Turqia përfiton nga fetarët e mercenarët që shkuan me ISIS-in, të indoktrinuar me sheriatin islamik si në Shqipëri dhe në Kosovë. Erdogani  vuri gurin e parë për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë  si ajo Sulejmanie në Stamboll, duke rivalizuar me xhamitë arabe në Shqipëri e Kosovë. Pra tejet domethënëse, se na quajnë turq e kaluar turqve!

Më 1913 sa filloi punën, Edi Rama pohoi në një intervistë se “Do i ngremë në një nivel të panjohur më parë marrëdhëniet me Turqinë”! Në tetor 2013 në Prizren Erdogani lëshoi edhe pohimin më fantastik në prani të Edi Ramës e Hashim Thaçit: “Jemi njerëzit me një kulturë dhe një histori të përbashkët…Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi… Kosova për ne turqit është si atdheu ynë i dytë… jemi aq afër njeri tjetrit sa dhe himni kombëtar… Ne njerëzit e këtij rajoni të kaluarën e kemi ndërtuar së bashku mirë ashtu si gjyshi e stërgjyshërit tanë, me shpresën tek Allahu të ndërtojmë bashkë të ardhmen tonë…për shekuj me radhë kemi jetuar si vëllezër dhe unitet në këto toka”! Në tetor 2013 në Prizren u bë mbledhja e përbashkët e qeverive të tre vendeve,pra bashkëpunimi strategjik Shqipëri-Kosovë-Turqi. Pra i ranë në gjunjë Erdoganit, pa ndonjë kusht atdhetar.

Siç duket shqiptarët po harrojnë të kaluarën tragjike me perandorinë osmane dhe me fqinjët si dhe me fashizmin e djeshëm dhe të sotëm. Turqia nuk i njeh si shqiptarë korifejtë e letërsisë turke si Sami Frashërin, Mehmet Aqif Ersoj ( autor i hymnit turk) etj, as ndërtuesit e xhamive madhështore si arkitekt Sinanin e tj., as rilindasit tanë heroikë, as heroin e Canakalsë, kuçiotin lab Jonuz Mejdiaj që luftoi kundër pushtuesve grekë  dhe u shpall hero kombëtar e gjeneral (ish toger), nuk njeh as historinë e shqiptarëve para pushtimit të Stambollit etj.në Ballkan, etj.etj. Turqia lejoi ndarjen e trojeve shqiptare sidomos me fillimin e shek. XIX. duke i dhuruar Greqisë. Dhe për këto bëma nuk shprehet,por me Greqinë është ende çarap.

Por Turqia dhe personalisht Erdogani kërkoi ta transferonte edhe krizën turke edhe në Shqipëri e Ballkan pas grushtit të shtetit të fundit me gylenistët. Erdogani  bisedoi me shtetarë tanë dhe i kërkoi qeverisë shqiptare  të niste kontrollin e institucioneve të dyshuara për lidhjet me Gylen dhe kufizimin e shkollave të ngritura prej këtij, edhe pse këto ishin ngritur në përputhje me synimet turke në Shqipëri sipas ekspansionit ekonomiko-kulturor e fetar me xhamitë e shumta sidomos në Shqipëri e Kosovë. Lista për kontroll ishte e gjatë si 7 medrese, kolegjet turke në disa qytete nga fillorja e të mesme, fondacionet, qendrat e kurseve, shkolla në gjuhën angleze, 2 universitete, 2 qendra kulturore, shtëpia botuese, bankat e nivelit të dytë etj.Dhe qeveria jonë nisi t’i zbatojë këto kërkesa si shteti më i bindur ndaj Turqisë. Kjo u duk edhe në ngritjen e memorialit për të rënët turq gjatë grushtit të shtetit të brendshëm në Turqi, pas asnjë lidhje me Shqipërinë. Me të drejtë shqiptarët protestuan për këto çmenduri patologjike. Erdogani premtoi  shumë ndihma për Shqipërinë, por në këmbim kërkoi mbylljen e kolegjeve turke në Shqipëri. Ai harron se edhe shqiptarët duhet t’u ngrënë përmendore edhe shqiptarëve të rënë atje si atdhetarë, siç janë të internuarit kryengritës në vite e të tjerë të shquar.

Qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë nuk duhet të bëjnë lojëra me diplomacinë turke që do të na kushtojnë rëndë  si komb, sot e në të ardhmen. Nuk duhet të lejojmë të poshtërohen simbolet tona kombëtare. Nuk duhet lejuar që presidentët turq të flasin sikur janë presidentë të shqiptarëve dhe nuk duhen lejuan tonet puthadore. Ne duhet të luftojmë ndikimin ruso-turk në trojet tona etnike dhe në Ballkan.Duhen zbuluar ,parandaluar e luftuar  agjenturat e huaja që janë vepruese në trojet tona aspak të përmbajtura. Historia jonë duhet të shkruajë me objektivitet jo vetëm gjenocidin armen por edhe ato në Ballkan e gjetkë, sidomos ato kundër shqiptarëve si komb. Turqit nuk duhet të justifikohen, siç më tha një ish ambasador turk në Paris, se Turqinë e paskemi sunduar ne shqiptarët! Ata mercenarë që luftuan për Turqinë, qenë tradhtarë për bëmat e tyre në trojet shqiptare etj. U duhet dhënë përgjigja e saktë e me guxim kërkesave të pazakonta e çmendurake të Turqisë, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut. Pa u bërë pajtimi kombëtar mes palëve, pa kërkuar falje për krimet e gjenocidet pa fund deri sot, nuk mund të përfshihen shqiptarët në “Shengenin e Ballkanit perëndimor”, pasi pritja është hyrja në BE si vende sovrane në integrimin euro-atlantik, nëse do ketë fatin të arrihet, megjithëse si tregojnë bathët janë larg pashkët! Historia me sllavët e jugut e grekët etj. na ka mësuar të jemi vigjilentë dhe të matur, të mençur e të pjekur për të hedhur hapa, se kemi vuajtur rëndë prej tyre dhe ende sot shprehin herë pas here mëtime për trojet shqiptare dhe nuk njohin pavarësinë e Kosovës, veç mbajtjes së trojeve etnike ende nën kolonizim.

Megjithëse jemi ende në tranzicionin çmendurak dhe nuk kemi ndërtuar shtetin ligjor sovran në tërësinë e tij,ne duhet të luftojmë përçarjen në trojet tona dhe të dalim me qëndrime të përbashkëta atdhetare ndaj kujtdo të huaj, mik e armiq, dhe të marrim masa të zbatojmë veprimtaritë për bashkimin kombëtar, se bota e di, si na kanë copëtuar tragjikisht dhe është në nderin e fuqive fajtore, të kërkojnë falje dhe t’i hapin rrugë bashkimit kombëtar shqiptar, në mos këtë ta bëjë referendumi i shqiptarëve në rojet tona dhe në diasporë. Sigurisht duhet të luftojmë për hapjen e shkollave shqipe kudo që është e nevojshme dhe e mundshme, që shqiptarët të ruajnë traditat atdhetare shekullore. Duhet të luftojmë për barazi kombëtare, për dinjitetin e nderin që kemi derdhur gjak me shekuj për të mbijetuar dhe jo të dëbohemi e të asimilohemi gjatë rrugëve integruese neokolonializuese të demokracisë perëndimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *