Në një konferencë për shtyp, Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, jep informacione më të detajuara rreth pacientes e cila ndërroi jetë në spitalin e Durrësit si dhe vazhdon të ripërsërisë të njëjtën thirrje për qytetarët, që të vazhdojnë të respektojnë masat higjienike si dhe të kufizojnë sa të munden lëvizjet, për të parandaluar këtë virus që ka marrë jetën e më shumë se 4.3780 persona dhe ka infektuar më tepër se 121.000 persona në të gjithë botën.
Në vendin tonë janë konfirmuar ditën e sotme 2 raste të reja, duke e çuar në 12 rastet pozitive me koronavirus.
Zv.Ministrja Mira Rakacolli shprehet se pacientja që ndodhej e izoluar në Durrës nuk mundi të mbijetoj si pasojë e komplikacioneve të rënda.
“Pacientja që ndodhej e izoluar në Durrës nuk mundi të mbijetoj si pasojë e komplikacioneve të rënda si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare. Konkretisht ishte e sëmurë që vuante nga insufiçenca kardiake e rëndë që në gjuhën mjekësore klasifikohet si NYHA3. Kishte prej shumë vitesh çrregullime të ritmit të zemrës. Kishte sëmundje kronike të mushkërive që në gjuhën mjekësore quhet Spok. Kishte hipertireozë ose një patologji të gjendrës tiroide dhe ishte një e sëmurë që kishtë kryer përpara disa vitesh edhe bajpas kardiak. Pra ishte tërësisht në grupin e atyre sëmundjeve të cilët siç ju kemi informuar kur preken nga koronavirusi janë ata që çedojnë më shpejt. Pavarësisht përpjekjeve maksimale që janë bërë nga ana e mjekëve të spitalit të Durrësit për ta mbajtur në jetë, pacientja nuk mundi që të mbijetojë. Sot paradite nga ana e ekipit është kërkuar transferimi i saj në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, por pacientja nuk mundi të mbijetojë”, shprehet ajo.
“Ky është një virus që ashtu si gripi prek moshat e mëdha sidomos nga ato mosha që vuajnë nga sëmundejt të tjera kronike. Kushdo që ka një histori udhëtimi me vendet e prekura duhet të vetkarantinohet. Le të kufizojmë lëvizjet sa më shumë të mundemi, kemi nevojë për bashkëpunimin nga të gjithë qytetarët, për parandalimin e koronavirusit”, shton më tej ajo.
“Karantinë është një vend ku rrinë qytetarët të shëndoshë por që dyshohet se janë të prekur. Dhe karantinë nuk mund të ketë në ambjente të spitalit. Karantinë ka në “shtëpinë e pushimit” të Ministrisë së Mbrojtjes. Në karantinë mbahen, persona të dyshuar. Vetëkarantinim ti mund ta bësh edhe në shtëpi”.
E pyetur sërish në lidhje me rastin e pacientes në qytetin e Durrësit, nëse mjekët të cilët janë kujdesur për të janë pajisur me masat e duhura ajo përgjigjet:
“Në momentin që është dhënë diagnoza kanë qenë të veshur me mjetet e duhura, mundësia e infektimit është pothuajse 0. Ata që kanë pasur kontakte më herët me të janë të vetëkarantinuar dhe pritet përgjigjja e analizave. Ajo ka qenë në dhomë vetëm. Është një proces, gjë e cila nuk mund të bëhet në moment”.
“Në lidhje me rritjen e çmimeve në farmaci, një ligj për këtë gjë nuk ka, nuk është normale që të bëjnë këtë gjë farmacistët, prokuroria ka nisur një hetim në lidhje me këtë gjë. Pajisjen e të gjithë vendeve që ofrojnë shërbim publik ta kalojnë shërbimin online”, shton ajo më tej.