Jo vetëm Butrinti, 42 kala e monumente kulturore me PPP 40-vjeçare
Teksa qeveria ndodhet në kulmin e krizës sociale, ekonomike e financiare, për shkak të dëmeve dhe pasojave kolosale që la pas tërmeti, ku më shumë se 30 mijë mbetën të pastrehë, ndërsa rreth 8 mijë banesa u dëmtuan, kryeministri Edi Rama duket se po e përdor këtë “mjegull” për të vijuar skemat e PPP-ve.
Pasi u dhanë me koncesion Drilonin, Syrin e Kaltër, burgjet, lumenjtë, kanioniet, pyjet, guroret, rrugët, shërbimet shëndetësore etj., së fundmi në shënjestër janë vënë edhe objektet dhe monumentet kulturore dhe historike.
Bëhet fjalë për skenar me PPP të reja, firmosur në datën 18 dhjetor 2019 dhe prej 48 orësh i futur në fuqi për zbatim; me të cilin, Rama do të jape me qira për 40 vite qendrat, objektet dhe monumentet kulture-historike më të vizitueshme, të cilësuara edhe vlera botërore nga “UNESCO”.
Kjo është realizuar me VKM nr. 828, datë 18.12.2019 “Për miratimin e kushteve të përgjithshme e të posaçme, të kontratës së rijetëzimit të pasurive kulturore kombëtare”, duke publikuar dhe modelin “tip”, për kontratën e qirasë.
“Pasuritë e paluajtshme kulturore në administrim të institucioneve qendrore ose vendore mund të jepen në përdorim, për qëllim rijetëzimi, për funksione administrative e social-kulturore, me kusht që projekti i rijetëzimit të mos dëmtojë vlerën e pasurisë kulturore.
Miratimi dhe zbatimi i projekteve të rijetëzimit të pasurive të paluajtshme kulturore duhet të respektojë regjimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerës së pasurisë kulturore, termat dhe kushtet për kryerjen e konservimit të integruar. Pasuritë kulturore në pronësi private jepen në përdorim me qëllim rijetëzimi pas marrjes së miratimit paraprak nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore”, thuhet në nenin 182 të draftligjit që i takon seksionit dy ku përcaktohet partneriteti publik privat në fushën e trashëgimisë kulturore.
Në muajin tetor, ky skenar u paralajmërua me dhënien e Qytetit Antik Butrint me PPP 40-vjeçare.
Ky pazar, tashmë pas 2 muajsh u bë fakt, madje jo vetëm për Butrintin, por dhe për 42 kalatë e monumente kulturore-historike, me vlerë turistike, që sigurojnë mijëra lekë, Euro e USD të ardhura në muaj, sidomos ato në bregdet.
Burime konfidenciale nga Ministria e Ekonomi-Financave, që i ka në pronësi publike, kanë bërë me dije për “Pamfletin”, se në listë janë futur 42 kala, manastire e qëndra të tjera kulturore historike; për të cilat, që prej datës 18 dhjetor 2019 kanë nisur procedurat e PPP-ve.
Qiraja e këtyre 42 kontratave të PPP-ve, sipas pazareve kryeministrore, parashihet të jetë me vlerë 80 lekë të reja për 1 m2 në muaj ose baraz me 50% të vlerës së një bilete vizitori.
Madje sipas VKM nr. 828, datë 18.12.2019; ata që do t’i marrin me qira, kanë të drejtën e plotë e të pa kufizuar nga shteti, që brenda këtyre qendrave monumente kulturore-historike, të bëjnë ndërtime dhe modifikime fizike e mjedisore të çdo lloji; ndaj nuk do jetë çudi, që nga badenat e kalave të dalë tym qoftesh, të hapen kazino, PUB-e, restorante, parkingje, lavazhe e motele.
Kujtojmë se me administrim shtetëror, këto qendra turistike, sigurojnë 8.3 milionë euro fitime në vit nga turizmi dhe harxhojnë 1.4 milionë euro për mirëmbajtje e paga, ndërsa pas dhënies me qira, shteti do fitojë vetëm 526 milionë lekë të vjetra, pagesa qiraje.