Në një nga valëzimet e fundit të shpatit lindor të malit të Predonit, 527 m mbi nivelin e detit, ndodhet Kalaja e fshehtë e Skënderbeut.
Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Shkodër solli të dhëna për këtë vendndodhje që nuk njihet shumë nga publiku.
Rrjedhja e sipërme e përroit të Hurdhasës (degë e lumit Mat) e ndan kalanëë nga Mali i Skënderbeut, ndërsa në veri e në jug të kalasë ndodhet lugina e Gallatës.
Kjo kala ngrihet mbi një terren shkëmbor që ka formë pak a shumë konike. Në anën jugore ka një humnerë të thiktë rreth 80 m, e cila ka bërë të panevojshëm fortifikimin në këtë pjesë të kalasë.
Muri rrethues përbën vetëm 96 m. të perimetrit të sistemit fortifikues të kalasë, sepse pjesa tjetër e tij mbrohej nga kulla dhe humnera në anën jugore.
Gjerësia e këtij muri është e ndryshme, sikurse ajo e mureve të mjaft kalave mesjetare të vendit tonë.
Gjetja gjithnjë në shtresën e hollë kulturore e një numri gjylesh guri të dëmtuara do të thotë se jeta e shkurtër e kalasë është e lidhur kronologjikisht me përdorimin e tyre. Këto gjyle nuk mund të jenë më të hershme se të shek. XIV, sepse armët e zjarrit u përhapën në Evropën Jugore vetëm rreth vitit 1350.
Disa të dhëna na bëjnë të ditur se nga fundi i shek. XIV dhe fillimi i shek. XV ishin bërë përpjekje nga Balshajt dhe Topiajt për të pajisur ushtritë e tyre me topa.
Në burimet historike kjo kala nuk përmendet as në listën e atyre që iu morën apo iu shkatërruan Gjon Kastriotit më 1430, as edhe ndër ato që mori Skënderbeu më 1443. Në këto burime del qartë se ky i fundit zhvilloi një veprimtari të dendur ndërtimore për rindërtim të kalave.
Kalaja për të cilën po flasim është ndërtuar mbas vitit 1451. Edhe planimetria e kalasë është ndërtuar në mënyrë të tillë që të zvogëlonte efektin e mundshëm të goditjeve të artilerisë armike. Kështu përballë valëzimit më të afërt të shpatit lindor, prej nga kalaja mund të goditej më lehtë, është vendosur kulla e vetme me trashësi rreth dy herë më të madhe se ajo e murit rrethues. Ajo mbronte edhe hyrjen veriore dhe pjesën e drejtë të murit rrethues./ATSH
One reply on “Kalaja e fshehtë e Skënderbeut në Kurbin”
naturally like your web site but you need to check the spelling on several of your posts. A number of them are rife with spelling issues and I find it very bothersome to tell the truth nevertheless I will definitely come back again.