Categories
Përralla

Mama dhia ujku dhe shtatë kecat

Mama dhia jetonte me shtatë kecat në një shtëpizë mes pyllit. Një ditë, ajo do të largohej nga shtëpia dhe i porositi vogëlushët të ruheshin nga ujku i keq e të mos e lejonin të futej në shtëpi. Ajo trembej se ujku mund t’i gënjente kecat e vegjël, prandaj dhe u kujtoi shumë herë se ai, ujku, kishte këmbë e duar të errta që mund të dalloheshin lehtë nga ato të mama Dhisë. 

Ujku i mbante sytë tek shtëpia e shtatë kecave dhe kur pa se mama Dhia ishte larguar, nuk po e mbante më vendi nga gëzimi. Kishte ardhur çasti që ai kishte ëndërruar. Kecat ndërkohë kishin humbur në lojrat e tyre të gëzueshme. Sa herë që mama Dhia largohej, ata e kthenin përmbys shtëpinë. Befas u dëgjuan të trokitura dhe ata e lanë lojën. Ujku po shtirej si mamaja e shtatë kecave. Kecat dëgjuan zërin e çjerrë, panë duart e frikshme dhe e kuptuan se ishte ujku.  Ata nuk e hapën as derën dhe as dritaren e i thanë ujkut të largohej se nuk ua hidhte dot.

Ujku u largua i mërzitur. Nuk i shqiteshin nga mendja shtatë kecat. I vinte të plaste që nuk ia kishin hapur derën. Ai nxitoi tek mullixhiu dhe i kërkoi të zbardhte me miell duart dhe këmbët pisanjose. Mullixhiu i trembur e mori me mend se ujku kishte thurur ndonjë gjë të zezë në kokë. I hodhi e i hodhi miell gjersa duart dhe këmbët e ujkut u bënë të bardha si ato të mama Dhisë.

Ujku trokiti përsëri në shtëpinë e shtatë kecave. Kishte zë të holluar e të butë dhe dukej si bardhosh. Kecat u  gënjyen. Menduan se u kthye mama Dhia e rënduar nga dhuratat e shumta si ngaherë dhe e hapën derën të gëzuar. Ata shtangën kur përpara tyre u shfaq ujku i frikshëm e nuk dinin më nga të futeshin. Ujku i babëzitur u sul mbi ta dhe i përlau një e nga një.

Kaloi një kohë dhe mama Dhia u kthye. Ishte ngarkuar si ngaherë me dhurata të shumta për çdonjërin nga shtatë kecat. Asaj gati i pushoi zemra kur vogëlushët e saj të dashur nuk i hapën derën e nuk e rrethuan me përkëdheli. Nuk la qoshk pa i kërkuar kecat e saj të vegjël. Kërkoi poshtë krevatit, mes jorganesh, brenda e mbi raft, kudo që luanin çamarrokët e saj, por ata nuk dukeshin kërkund.

Kërko andej e kërko këtej dhe arriti buzë lumit. Në hijen e rrapit të madh gërhiste ujku me barkun e fryrë si kacek. Mama Dhia e mori me mend se ç’kishte ndodhur. Ujku kishte ardhur në shtëpinë e saj kur kecat ishin vetëm dhe i kishte gënjyer. Ajo mori një gërshërë të madhe dhe e hapi barkun e ujkut. Kecat kërcyen një e nga një në lëndinë e nuk po e besonin se kishin shpëtuar.

Mama Dhia nuk kishte kohë për të humbur. Ajo i porositi kecat të merrnin gurë të mëdhenj e të mbushnin barkun e ujkut të keq që ende gërhiste në gjumin e rëndë. E mbushën barkun e ujkut me gurë dhe e flakën me sa fuqi kishin në lumin e madh e të rrëmbyeshëm.

Ujkut i doli gjumi, por ishte tepër vonë. Nuk po e kuptonte ç’po ndodhte. Thërriste e thërriste për ndihmë, por më kot.

Mama Dhia dhe shtatë kecat e saj as e dëgjonin. Ata ishin përsëri bashkë dhe nuk përmbaheshin nga hareja që gjendeshin me njëri tjetrin. Asnjë ujk nuk do të mund t’i ndante më dot.

One reply on “Mama dhia ujku dhe shtatë kecat”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *