Nga Vepror Hasani
Që të çelej një shkollë shqipe së pari duhej të jepej leje nga autoritetet e larta turke. Kjo ishte e pamundur. Shoqëria e Stambollit dhe e Bukureshtit nuk hoqën dorë nga kërkesa e tyre. Më në fund leja u dha. U kërkua gjithashtu që Mësonjëtorja të çelej në qytetin e Korçës, edhe kjo kërkesë u mor parasysh. Cilat ishin arsyet që bindën Portën e Lartë të Stambollit? Pse ajo doli në krah të shqiptarëve? Pse mësonjësit duhej të ishin ortodoksë? Argumentet vijojnë më poshtë:
Propaganda helene kishte përparuar tmerrësisht. Korça dhe Shqipëria e Jugut ishin të rrezikura nga aneksimi grek. Për shqiptarët do të ishte humbje fatale, për Portën e Lartë cënim i interesave të saj. Çelja e Mësonjëtores ishte e vetmja mundësi për ndalimin e propagandës greke. Në këto rrethana leja u dha.
Por që të bindej Porta e Lartë u bë edhe një hap tjetër. “Një nga anëtarët më aktiv të shoqërisë “Drita”, Nikolla Naço, gjatë vitit 1885 ndërmori katër udhëtime në Stamboll nën pseudonimin “Joanidhis” dhe i paraqiti me shkrim Pallatit intrigat që zhvillonin Patriarkana e Stambollit, kleri fanariot dhe mësuesit grekë për t’i bashkuar shqiptarët me Greqinë”. (Hysni Myzyri, “Shkollat e para kombëtare shqipe 1973, f. 47)
I dërguari u përzgjodh ortodoks për të qenë i besueshëm nga autoritetet turke. Përpjekjet e Patriarkanës, Naço i parashtroi si cënim të interesave perandorake.
Pse u zgjodh Korça për çeljen Mësonjëtores, shpjegimi është ky: “Shqipëria e Jugut dhe veçanërisht Korça ku kishte vërshyer më tepër se kudo shkolla dhe propaganda greke-fanariote, u zgjodhën edhe si zona kryesore ku duhej vepruar pa vonesë për të bërë atë “një mur” ku të thyhej çdo tentativë e propagandës helene.
…Zgjedhja e Korçës si qendër e përhapjes së shkrimit dhe shkollës shqipe diktohej pra nga arsye ekonomike dhe shoqërore – si një qytet i zhvilluar në Shqipërinë e Jugut – nga arsyet politike që ishte rrahur shumë nga propaganda e Athinës dhe e Fanarit dhe synohej të shndërrohej në një bazë për zgjerimin e politikës aneksioniste greke në të gjithë popullsinë ortodokse të Shqipërisë…”. (Hysni Myzyri, “Shkollat e para kombëtare shqipe, 1973, f.47). Pra, pse u zgjodh Korça, është e qartë.
Mësonjësit duhej të ishin ortodoksë që tërheqja e fëmijëve nga shkollat greke të ishte më e lehtë. Megjithatë, gjetja e një mësuesi ortodoks nga Korça rezultoi e pamundur.
Leja u nxorr në emër të Pandeli Sotirit nga Selcka e Lunxhit të Gjirokastrës. Mësonjëtorja Shqipe u çel. Fëmijët u ulën në bankat e shkollës.
Por ndodhi ajo që pritej: dhespoti i Korçës, Filotheos Kostantinidhis nga Ksanthi dhe Mitropoliti i Kosturit, Grigori, pasardhës i Qirillit, të ndjekur nga priftërinjë, mallkuan mësonjësit, kujdestarët e mësonjëtores dhe ortodoksët që çonin fëmijët në shkollën shqipe. Për ta nuk do të kishte shërbesa për pagëzime, kurorëzime, lindje dhe vdekje. As varr nuk do të kishte për ta. Pandeli Sotirin e detyruan të largohej pa përfunduar vitin e dytë të shkollës.
Mësonjëtorja shqipe rrezikoi të mbyllej. Zëvëndësuesi i Pandeli Sotirit duhej të pajisej me leje. Nxjerrja e një leje të dytë ishte e vështirë në mos e pamundur. Për vitin shkollor 1888-1889, u caktua drejtor Thanas Sina nga Postenani i Leskovikut. Mitropolia e Korçës vazhdoi me mallkimet dhe terrorin e saj. E spiunuan Thanas Sinën që ishte pa leje, por autoritet turke silleshin sikur nuk dinin asgjë. Atëherë shtuan presionet dhe kërcënimet mbi Sinën. Në fund të vitit shkollor u largua edhe ai.
Viti pasardhës, 1889-1890, filloi me drejtor Petro Nini Luarasin. Kleri ortodoks grek ndoshta kësaj radhe do ta kishte më të lehtë mbylljen e Mësonjëtores. Luarasi nuk kishte as leje dhe as diplomë. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Falë ndërhyrjes së Naim Frashërit, Petro Nini Luarasi u pajis nga autoritetet e vilajetit të Manastirit jo vetëm me leje, por edhe me një vërtetim diplome.
Mitropoliti i Korçës mbeti i habitur. Gjatë kësaj kohe ishin hapur shkolla edhe në Pogradec, Ohër, Rekë, Treskë etj. Ishin bërë përgatitje për çelje shkollash në Ersekë, Leskovik, Elbasan, Berat, Vlorë Gjirokastër etj, por të gjitha u mbyllën. Vetëm Mësonjëtorja e Korcës vijonte të qëndronte hapur. Drejtuesit e Mësonjëtores edhe kur nuk kishin diplomë pajiseshin me vërtetime. Sipas Nuçi Naçit, valiu i Manastirit porosiste mytesarifin (prefektin e Korçës): “Kjo shkollë u çel si u çel lëreni…shikoni që të mos çelen të tjera”. (“Dituria” vëll.II Nr.5 viti 1927, fq 169). Pas dy vjet rezistence, edhe Petro Nini Luarasi nuk mundi të qëndronte më gjatë.
Edhe gjatë vitit 1890-91, Mësonjëtorja mbeti e vetmja shkollë shqipe. Dhespotët dhe agjentët e Athinës kishin filluar të dyshonin: “Pyetjet s’pushonin: kush e mban këtë shkollë? Kush jep ndihma? etj. Pyetje të cilave drejtori i shkollës (Petro Nini Luarasi) u përgjigjej në mënyrë të kujdeshme sipas rastit, dhe në marrëveshje me kujdestarët e shkollës”. (“Dituria”, Vëll. II. Nr 5, viti 1927, fq 168). Megjithatë nuk po arrinin të zbulonin dot misterin.
Klerikët grekë nuk lanë pa spiunuar as anëtarët e shoqërisë “Mësimi Shqip” dhe kryetarin e saj Alo bej Dishnicën për veprimtari kundër Perandorisë. Autoritet turke u vunë në lëvizje. Vetë shefi i Policisë së Vilajetit, Hashim beu mori pjesë në hetime. Sipas informacionit të konsullit austro-hungarez të Manastirit, Nr.9, datë 31 janar 1890, gjatë një kontrolli në kishën e Metropolisë në Korçë u gjetën qirinj liturgjikë me shirita që kishin ngjyrat e flamurit grek, ku shkruhej: “Bashkimi i grekërve – Rroftë trashëgimtari ynë i fronit”, si dhe mbishkrime të tjera. Pas kësaj ankesat e dhespotëve të Korçës ranë në vesh të shurdhët. Për Portën e Lartë të Stambollit pretendimet e shqiptarëve se Greqia synonte aneksimin e Shqipëris së Jugut, ishin vërtetuar.
Petro Nini Luarasi u zëvëndësua nga Janko Minxha, dhëndri i Koto Hoxhit nga Qestorat i Gjirokastrës (1891-1892). Pas tij erdhi Nuçi Naçi nga Korça (1892-1895) dhe pas Naçit sërish një gjirokastrit, Thanas Vaja, (1895-1897). Intrigat, kërcënimet e spiunimet vijuan edhe ndaj tyre, por gjetja e mbishkrimeve në kishën e Mitrololisë: “Bashkimi i grekërve – Rroftë trashëgimtari ynë i fronit”, u kish vënë kapak të gjithave.