Prej disa muajsh çështja e Elseid Hysaj po kthehet si një telenovelë mediatike, pasi në mediat italiane, është aluduar shumë gjatë kësaj kohe. Ka patur shumë përgjigje dhe kundërpërgjigje, si nga klubet që janë në kërkim të tij ashtu edhe nga ana e menaxherit të lojtarit. Ky i fundit i ka kërkuar një shpjegim drejtuesve të Napolit dhe në qoftë se aktivizimi i tij do të vazhdoj në këtë ritëm, atëherë ai do të vihet në lëvizje për të gjetur një klub të ri për mbrojtësin shqiptar.
Për Elseidin prej kohësh ka ekzistuar çështja për një bashkim të mundshëm me ish-trajnerin e tij Mauricio Sarri, që aktualisht është në krye të Chelsea. Pak ditë më parë, për Hysajn u shfaq edhe një interesim nga ekipi i Lacios, ku Igli Tare e kërkon me ngulm mbrojtësin shqiptar, pasi pjesa e prapavijës së të kaltërve gjatë këtij sezoni ka çaluar shumë. Për këtë arsye Tare është hedhur në sulm për gjetjen e një mbrojtësi, ndërsa Hysaj premton shumë siguri.
Sa i përket qëndrimit të shkodranit te Napoli, nuk ka më asnjë llogjikë të vetme që një gjë e tillë të ndodhë. Përtej lëvizjes së Anchelotit ndaj Interit, ku hodhi një sulmues si Kalejon në vendin ku duhej të luante Hysaj, vetëm për të mos i besuar këtij të fundit, italianët janë hedhur në merkato dhe shumë shpejt do të mbyllin tratativat me një tjetër mbrojtës të krahut të djathtë.
Në një kohë që duhet të llogaritën edhe Makult me Maksimoviç, llogjika flet qartë se çfarë hapësirash do të ketë për futbollistin shqiptar me vazhdimin e sezonit. E ardhmja e tij mbetet ende enigmë, por nëse Tare ka ndihmur gjithë lojtarët shqiptarë për të luajtur në një ekip si Lacio, tashmë është Hysaj që mund t’ia shpërblej, në një kohë që ka mundësi për të luajtur edhe me ekipe më të njohura.