Partizani po përgatitet për një tē diel të paharruar për të festuar në mënyrë sa më madhështore titullin kampion që rikthehet në pjesën e kuqe të kryeqytetit pas 26 vitesh mungesë.
Në derbin e para dy javëve kundër Tiranës, Partizani fitoi dhe u shpall matematikisht kampion për herë të 16-të në histori, ndërsa të dielën në përballjen me Kukësin, Alban Hoxha do të ngrejë trofeun për kënaqësinë e mijëra tifozëve të kuq.
Më pas festa te sheshi “Nënë Tereza”. Partizani ka menduar për një mbrëmje madhështore me mjaft këngëtarë të ftuar. Pritet një atmosferë e jashtëzakonshme në kryeqytet, një mbrëmje ndryshe e futbollit, ku për herë të parë do të festohet në një mënyrë të tillë një titull kampion.