Categories
Kulturë

“Qyteti Muze i Beratit”, vendi i ruajtjes së traditës dhe lashtësisë shqiptare

Nga ADEM LUSHAJ – Deçan – Kosovë

Ruajtja e vlerave antike si, shtëpitë, kalldrëmet, rrugicat, pastaj Kalaja, Muzetë e shumta, Lumi “Osum”, ullishtat, “përsheshi me mish gjeli”,…janë vetëm disa nga karakteristikat e “Qytetit Muze të Beratit”, të cilat e bëjnë ndër qytetet më të veçanta të Shqipërisë. Banorët vendas shprehën krenar për traditat e tyre të ruajtura me shekuj, duke thënë se janë për zhvillime të reja, por çdoherë duke ruajtur traditat e tyre kulturore-historike. Ata të cilët vizitojnë këtë qytet të Shqipërisë së mesme, me një lashtësi prej 3000 vitesh, largohen me shpresën që sa më shpejt të kthehen për vizita tjera dhe të kalojnë çaste kënaqësie, një bukuri në gjurmët e lashtësisë dhe mikpritjen e anasve.

Vizita jonë në Beratin e lashtë (rreth 3000 vitesh) ishte magjepse, si për bukuritë dhe vlerat turistike, ashtu edhe për bisedat me banorët të cilët thonë se, “janë të lumtur kur vijnë vizitor nga vende të ndryshme, por më madhështoret janë kur bëhen nga vëllezërit dhe motrat nga Kosova”. Berati, edhe pse nuk është qytet që do ndërlidhej me qytetet tjera të Shqipërisë, vizitorët ishin të shumtë, ngase shkonin të vizitonin dhe njiheshin me karakteristikat e veçanta të qytetit dhe trashëgimisë së lashtë. Sapo të hysh në Berat, vërehet arkitektura e vjetër e shtëpive dhe rrugicave të shtruara me gurë. Ecja nëpër kalldrëme përgjatë shtëpive të vjetra, na kujtonte filmat që tregonin për luftërat që zhvillonin Muzakajt, trimat tjerë shqiptar, të komanduar nga e kryetrimi Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kundër ushtrisë turke.

Vizita në fortifikatën e quajtur “Kalaja e Beratit”, pos kënaqësive të pa përshkruara, na mundësoj që ti takojmë banorët që jetojnë në atë mes, por edhe shumë turistë të huaj të cilët kishin ardhur edhe nga Italia, Anglia, Gjermania dhe shtetet tjera të Evropës. “Jemi të kënaqur që vijnë vizitor ngase kemi përfitime edhe Ne, por më së shumti i gëzohem kur të na vijnë nga Kosova”, na thotë plaku me emrin Sulo, i cili përlotët nga mallëngjimi, siç shprehët ai, për vëllezërit nga Kosova. Sipas tij, njerëz nga Greqia dhe Italia, kanë filluar të blejnë prona brenda fortifikatës, gjë që nuk është e pëlqyer për vendasit. “Vizitorët janë të mirë se ardhur, por jo të blejnë prona këtu, ngase këto janë dhe duhet të jenë vetëm të shqiptarëve”, deklaron plaku i cili kishte rreth të 80-ta, e që kulloste lopën e tij, duke thënë se ka dhjetëra familje që jetojnë brenda Kalasë, ku gjendet edhe Muzeu “ONUFRI”.

Po ashtu, nga muret e trasha të kësaj Kalaje, shihet bukuria e qytetit, qoftë me ndërtime të reja, ashtu edhe për pjesën e vjetër të qytetit të ruajtur me fanatizëm të pa shoq. Nga majat e fortifikatës së pa thyeshme të çdo sulmi nga armiqtë, shihet rrjedha e lumit “OSUM”, që jep pamje edhe më të bukur këtij qyteti antik-turistik, i cili njihet edhe për prodhimin e ullinjve, por edhe për specialitetin e ushqimit “përshesh me mish gjeli”. Njëri nga oficerët policor në detyrë, Jetnor Lamaj, me një “mirëseardhje” na shpjegon për historikun dhe zhvillimet në qytetin që ka rreth 70 mijë banorë, e sidomos për kënaqësitë që ndjejnë kur takojnë kosovar. “Kalaja, Ullishtat, “OSUMI”, trashëgimia kulturore, por edhe specialiteti ushqimor “përshesh me mish gjeli”, janë specifikat që bëjnë të krenohemi si banorë të këtushëm” është shprehur Lamaj, duke shoqëruar vizitorët nga Kosova, njëkohësisht edhe duke shpjeguar për kulturën dhe traditat vendore. “Ullinjtë e këtushëm dallojnë nga të gjitha viset, ngase janë të një kualiteti më të lartë”, ka thënë oficeri i policisë Jetnor Lamaj, i cili ka treguar edhe për specialitetin e veçantë në ushqim, që njihet si “përshesh me mish gjeli”, njëkohësisht duke na ftuar që të shijojmë këtë specialitet beratas,

Largimi nga Berati apo nga “qyteti muze” nuk ishte i lehtë, ngase kishin mbetur edhe shumë gjëra për ti mësuar, shumë vende për ti vizituar, e me shpresën që ndonjë të ardhme jo të largët, sërish do marrim rrugën në drejtim të qytetit të lashtë, qytetit muze, për ti njohur dhe shijuar traditat dhe kulturën beratase. Do duhet shfrytëzuar çdo rast që i vjen secilit prej nesh, që të vizitohet Berati, ky qytet i qytetërimit tonë nga më të hershmet, qytet që mbanë vulë universitare që nga mesjeta e hershme, qytet me Akademi Arti, kur të pakta ishin shtetet.

One reply on ““Qyteti Muze i Beratit”, vendi i ruajtjes së traditës dhe lashtësisë shqiptare”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *