Categories
Lajme

Vjedhja e floririt, krimi që nisi me luftën e përfundoi me Enver Hoxhën

Një ndër krimet më të njohura të regjimit komunist në Shqipëri me karakter sa ekonomik aq edhe politik është edhe grabitja e madhe e floririt që ndodhi kryesisht në vitet e para të regjimit, nën justifikimin e “tatimit të jashtëzakonshëm të luftës”.

Kjo grabitje masive përveç shkatërrimit shoqëror solli edhe pasojën e paevitueshme të shkatërrimit ekonomik, duke i hequr vendit një shans jo të vogël në rimëkëmbjen ekonomike dhe kombëtare të tij.

Duke qenë se organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar si shumë të grabitjes shifrën e 43.816.682 monedhave të sekuestruara dhe duke pasur parasysh se hyrjet e arit në Thesarin e Shtetit kanë qenë të vogla apo të papërfillshme, formulohet natyrshëm pyetja se ku shkoi gjithë ajo sasi ari që grabitën komunistët pas lufte.

Dhe jo vetëm kaq, por edhe sepse një pjesë e konsiderueshme e këtij ari, në periudha të ndryshme ka shkuar për llogari të udhëheqjes së lartë komuniste, në majat e së cilës ndodheshin padyshim Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe më pas edhe Ramiz Alia.

Sipas dokumentave shtetërore në fund të vitit 1938 gjendeshin në thesarin e shtetit 2400 kg ar (ose 378 mijë napolona sipas kursit 1 napolon baraz me 20 franga ari). Sikurse vihet re me lehtësi, qytetarët shqiptarë zotëronin shumë herë më tepër ar (mbi 100 herë) sesa kishte thesari i shtetit.

Po ashtu në kohën e Luftës së Dytë Botërore, tregëtarët shqiptarë ruajtën dhe i forcuan pozitat e tyre ekonomike. Në mbarim të luftës, Shqipëria rezultonte si vendi më i pasur i Ballkanit sidomos përsa i takonte rezervave të arit dhe rezervave të tjera ekonomike.

Pushteti i ri i vendosur menjëherë pas çlirimit të atdheut, që nisi të kryente funksionet e tij si diktaturë e proletariatit, kërkonte patjetër edhe bazën ekonomike.

Në janar të vitit 1945 doli ligji i mbi konfiskimin e pasurisë së shtetasve italianë e gjermanë. Gjithashtu në janar doli ligji i tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Ky ligj godiste veçanërisht atë pjesë të borgjezisë që kishte grumbulluar pasuri të mëdha.

Në shumë raste elementët e tatuar nuk pranonin të paguanin shumën e caktuar, me pretekstin se nuk e kishin atë, disa u përpoqën të nxirrnin ar e sende të tjera jashtë shtetit.

Veprime edhe më të vështira iu deshën të bënin organeve të punëve të brendshme, veçanërisht atyre të policisë për të zbuluar arin që kishin fshehur kapitalistët e tregëtarët. Përvoja ishte e paktë, por ndihma e popullit qe e madhe.

Ndihmuan puntorët e specialistët që kishin marrë pjesë në ndërtimin e depove të kasafortave dhe që kishin bërë fshehjen në vende të panjohura, ndihmuan ata që kishin shërbyer si shegertë e argatë pranë kapitalistëve të kaluar etj. Kështu u arrit të zbulohen depo të nëndheshme në parcelat e oborret e kapitalistëve, bejlerëve e tregtarëve.

U gjetën qypa me flori jo vetëm në betonime të thella të nëndheshme e në muret e shtëpive, por edhe nën rrënjët e pemëve e nën sipërfaqet e puseve me ujë të pijshëm si në Durrës, Tiranë, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *