Është fjala këtu për një përzgjedhje sentencash skënderbejane përzgjedhje “disi arbitrare” nga ana jonë, qëmtuar në letërkëmbimin e kufizuar të Heroit tonë kombëtar ardhur gjer në ditët tona, mbijetësisht e fuqimisht. Janë sentenca që shfaqin çka është me tipike e sintetike në mendimin, botëkuptimin dhe karakterin e tij, sentenca që i tejkalojnë kufijtë e kohës dhe marrin vlerë e fjalës së urtë, fjalës së artë, fjalës së mençur, me peshë e vlerë përherë aktuale.
Po përse pikërisht shtatë sentenca? Mbase ngaqë numri 7 na josh, të themi, si një shifër sa magjike, aq edhe shifër e shenjtë dhe e përkryer, me plot përkitje historike, ezoterike, fizike, etj. dhe me simbolizëm të shkallës së epërme, që shfaq shtatë shkallët e përsosmërisë: që nga shtatë ditët e javës, shtatë notat muzikore, shtatë ngjyrat e spektrit të dritës, shtatë mrekullitë e botës, dhe deri te shtatë yjet e mëdhenj të Arushës së Madhe, shtatë vrimat e fytyrës, shtatë gjendet e lëndës dhe shtatë shkallët e ndërgjegjes me shtatë etapat e evolucionit.
E mund të vijohet kësisoj edhe me shtatë emblemat e Budës dhe me shtatën e përjetshme të egjiptianëve, etj. por le të kthehemi më mirë te shtatë sentencat tona skënderbejane, kur, siç thotë populli ynë, u munduam ta “masnim” mirë shtatë herë dokumentacionin e tij, për ta “prerë” një herë në modelin e mëposhtëm skënderbejan me konotacion të fuqishëm sa moral, aq edhe filozofik e shoqëror.
Në fakt, këto shtatë sentenca i përzgjodhëm si një Prelud për shtatë shkrimet e kreut të titulluar “Skënderbeu sipas vetë Skënderbeut”, shkrime këto të nxjerra nga dokumente origjinale të kohës kastriotine, me tituj mjaft kuptimplotë, dhe konkretisht: 1. Turkut do ti bëjmë ballë (viti 1456); 2. Ne nuk e shkelim besën (viti 1460); 3. Miku i mirë për ditë të keqe (v. 1460); 4. Mikpritja skëndebejane (v. 1461); 5. Skënderbeu i kthyer në fenë e shenjtë (v. 1448); 6. Papa Kaliksi III e shpall Skënderbeun “Atlet të Krishtit” (v. 1457); 7. Papa Piu II: “Skënderbeu po përparon; në Albanorum kemi mbështetjen tonë më të madhe” (v. 1461).
Dhe ja tani shtatë sentencat skënderbejane, nga letërkëmbimi i tij gjatë viteve 1456-1465:
1. Kur bëhet bashkë e mira me të mirën, veç mirësi ka. Kështu ka ndodhur sa herë që kam pasur të bëj me njerëz të mirë.
(Prokurë e Skënderbeut dhënë ambasadorit të tij Gjergj Pelinit, 8 korrik 1457).
2. Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël. Por atë ma ka falur Zoti.
(Po aty).
3. Dihet nga të gjithë se sa dëm i madh i shkaktohet fesë së krishterë po të hiqni dorë nga kujdesi [vigjilenca] që keni treguar kundër armikut.
(Letër e Skënderbeut drejtuar kardinalit të Fermos Domenico Capranica, 8 prill 1456).
4. Ne kemi kërkuar të ruajmë besën, në mbrojtje të së cilës kemi kaluar rreziqe sa nuk mund të numërohen, dhe sa herë e kam përballuar vdekjen me dashje.
(Përgjigja e Skënderbeut drejtuar Princit të Tarantes Johannes Antonius de Ursinis,
31 tetor 1460.)
5. Të gjithë jemi të krishterë të barabartë nëpërmjet pagëzimit.
(Po aty).
6. Çfarëdo që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit, dhe jo i fatit.
(Po aty).
7. Ne quhemi Epirotë, dhe duhet të keni dijeni se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me Romakët, dhe ne e dimë se në më të shumtën e herëve, ata u ndanë me nder sesa me turp.
(Po aty).
Sikurse vihet re, të shtata këto sentenca sintetizojnë në thelb historinë e lashtë të vendit tonë, lavdinë dhe epizmin e shkuar, që nga koha e “paraardhësve tanë” siç shprehet Heroi ynë, tek nënkupton këtu Aleksandrin e Madh dhe Pirron e Epirit. Ato shfaqin po ashtu vetë thelbin e vlerave dhe të virtyteve morale të popullit tonë, sikurse janë besa, mikpritja, mirësia, e mbi të gjitha, dashuria për atdheun dhe dashuria për progresin. Ky progres, as që mund të kuptohej në kohën skënderbejane jashtë kuadrit ideologjik të krishterimit që përfaqësonte as më shumë e as më pak Botën perëndimore të kohës, përpara rrezikut osman ardhur nga Lindja, dhe që kërcënonte mbarë Europën. Dhe iu desh pikërisht themeluesit të shtetit të parë të Arbrit, Gjergj Kastriotit, mbret i Epirit e i Shqipërisë, ta shndërronte Krujën dhe krejt vendin tonë, për një çerek shekulli me radhë, në kala të pazaptueshme, për mbrojtjen e Vatikanit, Italisë dhe mbarë Europës.
Ja konkretisht si e vlerëson Nicolas Chalcondile Athénien në librin tij “L’Histoire de la décadence de l’empire grec” (Historia e rënies së Perandorisë greke), Paris, 1632, f.152-153, figurën madhështore të Skënderbeut tonë:
Skënderbeu, shpatë në shërbim të atdheut të tij, Mburojë e Krishtërimit.
I vetëm, një Horace, e ndali krejt fuqinë e Toskanëve, një Marcellius nervozoi fuqinë e Anibalit dhe një Camillius i ridha jetë atdheut të vet. Por vetëm një Skanderbeg, më trim nga i pari, më i kujdesshëm nga i dyti, dhe më i suksesshëm nga i fundit, ka qenë jo vetëm një Gedeon, një Sanson dhe shpatë në shërbim të atdheut të tij, por edhe mburojë e Krishtërimit, tek i mëson shekujve të ardhshëm se një fuqi e dobët, me një udhëheqje të mirë, mund të shkatërrojë forca shumë të frikshme dhe se një guxim shembullor jep alarmin në radhët e sunduesve më të fuqishëm të botës, duke i bërë madje të heqin keq.
Ja ai, Gjergj Kastrioti, i quajtur ndryshe Skander, apo Skanderbeg, që u bë aq shumë tmerr i atyre dy monarkëve të fuqishëm, Amuratit e Mahometit, kur i pari vdiq nga trishtimi i turpërimit që e vuajti aq shumë, dhe tjetri, i cili ishte aq i frikshëm në mbarë universin, nuk mori veçse turp me vete sa herë mësynte kundër tij.
Jo pa arsye ne e kemi vendosur Mbretin e Shqipërisë, tmerrin e Perandorisë osmane, përballë princërve osmanë, të cilët ai, me një grusht njerëzish, i rroptoi e i katandisi aq keq për një kohë të gjatë. Nuk ka si të tregohesh mosmirënjohës e të mohosh shpirtmadhësinë aq të veçantë që morën nga i Gjithë-Fuqishmi tërë të Krishterët, tek panë t’u dhurohet një mbrojtës i këtillë. Pati për prind Gjon Kastriotin, fisnikun e asaj pjese të Epirit që e quajnë Emathia e Zumenestia, dhe Vorsavën, bijën e princit të Triballëve, apo të Pollogut. Kurrë nuk pati më dhumë se dhjetë a dymbëdhjetë mijë njerëz, me të cilët përherë u kaloi mbi bark ushtrive aq të mëdha e të fuqishme, dhe kurrë armiku nuk ia pa kurrizin, aq i zoti e i mësuar ishte në do gjëra të luftës, kurrë nuk kishte frikë të sulmonte me 3000 kalorës, duke patur 12000 përballë tij.
Kaloi nga kjo jetë në jetën tjetër në Lissë, duke mbretëruar për 24 vjet, më shumë si një i Krishterë i përshpirtshëm, se sa si një luftëtar dhe kalorës kreshnik.
“Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”, f. 35/Shqip.info
2 replies on “Shtatë thënie të ndritura të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Ju lutem gazetarëve që ta shkruajnë gjuhën shqipe më korrektësisht, që mos ta mbushim plotë me fjalë italiane por të ruajmë gjuhën tonë pa modifikime me fjalë të italishtes.. ne kemi gjuhën tonë aq të bukur saqë s’kemi nevojë ta popullojmë me fjalë të shëmtuara të gjuhëve të huaja.
Fjalët si përshëmbull:
• Sentencë = ( “Gjykim” ) ose (Thënje)
The kidney has many filters, which we call glomeruli where can i buy priligy online safely