Nën juridiksionin e bashkisë janë pesë lagje dhe tri fshatra: Gjashta, Metoqi dhe Shelegari. Në janar të vitit 2007, qyteti numëronte mbi 35.000 banorë dhe njihet si një zonë me emigracion të madh. Jeta mesatare i kalon të 72 vjetët. Qyteti bregdetar ka një përbërje të larmishme etnike dhe krahinore shkruan shqip.info/ . Saranda ka një klimë tipike mesdhetare.
Saranda ka numrin më të lartë të ditëve me diell edhe në Evropë, mbi 270 ditë.
Pasuritë natyrore:
Zona e Sarandës karakterizohet nga një numër i madh habitatesh natyrore, gjysmënatyrore dhe artificiale. Ka një bimësi të larmishme tipike mesdhetare. Zona njihet për prodhimin e agrumeve dhe ullirit, ndërkohë që pemët frutore zënë rreth 30 për qind të sipërfaqes. Pasurisë bimore të Sarandës i shtohet edhe bimësia ujore e detit Jon. Në thellësitë e Jonit nuk mungojnë edhe koralet shkruan shqip.info/ . Zona u afron vizitorëve vendas dhe të huaj pamje spektakolare të ujërave blu.
Zona e Sarandës ka një botë shtazore të pasur, si derri i egër, lepuri, çakalli, dhelpra, ujku, sorkadhja, thëllëza, rosa etj. Disa rezervate, si ai i pyllit të Butrintit, Stillos, Corrajt, Muzinës, janë një vend gjuetie mjaft i përshtatshëm për amatorët e këtij sporti. Edhe pasuria ujore dhe shtazore e detit Jon është e shumëllojshme. Delfinët janë miq të qytetit, duke u afruar brigjeve të Sarandës. Një breshkë e llojit Careta-Careta është parë së fundmi në Butrint.
Ujërat detare janë jashtëzakonisht të kthjellëta dhe me ngjyrë blu. E gjithë zona ofron habitate të çmuara me peshq dhe lloje të tjera kafshësh detare. Bregu i detit Jon është në shumë zona ende i virgjër dhe jashtëzakonisht i bukur. Në këtë zonë përfshihet laguna tipike mesdhetare e Butrintit, rreth 1600 ha. Laguna është e pasur me bimësi që shërben si ushqim për llojet e shumtë të peshqve. Laguna është gjithashtu vend ndalese për mijëra zogj ujorë dimërorë dhe shtegtarë.
Historia e qytetit
Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, ngritur në zonën e bregdetit jugor të Shqipërisë, i pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike shqiptare, por edhe evropiane.
Në fillimet e tij, qyteti ka shërbyer si një portë për qytetin antik të Finiqit dhe si rrjedhojë edhe si portë hyrjeje për në rajon. Kjo trashëgimi e pasur arkeologjike e gërshetuar me bukuritë e natyrës, si dhe portin e saj natyral, përbën bazën më të rëndësishme për të promovuar zhvillimin e imazhit aktual të Sarandës, si një destinacion i turizmit klasik botëror, si dhe për të tërhequr tregun e turizmit të veçantë.
Saranda ka përfituar gjatë viteve të fundit prej tërheqjes së pushuesve vendas dhe të huaj. Vitet e fundit vihet re një “boom” i industrisë së ndërtimit, i cili ka ndryshuar imazhin e qytetit nga një vend i qetë bregdetar pushimesh në një zonë masive ndërtimesh, ndër të cilat gjenden dhe shumë ndërtesa të paligjshme.
Aktualisht, Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit është gjeneruesi parësor i turistëve ndërkombëtarë, të cilët vijnë kryesisht si vizitorë ditorë nga ishulli i Korfuzit në Greqi, pas një udhëtimi të këndshëm rreth një orë me anije.
Në vitin 1927, Saranda kishte rreth 800 banorë, ndërsa gati dhjetë vjet më vonë kishte 1800 banorë shkruan shqip.info/ . Në këto vite pati një zhvillim urbanistik, ndërtohet moli, hapet shëtitorja anës detit, ndërtohen edhe shtëpitë e para dhe një seri magazinash e dyqanesh.
Në vitin 1957 qyteti bëhet qendër administrative.
Në vitet 1960-1980, Saranda promovohet si “ofertë turistike e Shqipërisë” jo vetëm për vizitorët shqiptarë, por edhe për ata pak vizitorë të huaj që gati numëroheshin me gishta në shtetin e rrethuar me tela në mes të Evropës. Por gjatë kësaj periudhe u kryen edhe investimet e para, veçanërisht në kurorën e gjelbër të Rivierës. Mijëra të rinj punuan në aksione për t’i kthyer kodrat përreth në brezare ullinjsh, portokajsh dhe limonësh.
Nga viti 1960 deri në vitin 1982, popullsia e Sarandës u rrit me një ritëm mesatar vjetor prej 2,7 për qind. Në atë periudhë qyteti i Sarandës numëronte rreth 15 mijë banorë dhe zhvillimi ishte mjaft i kufizuar.
Në vitet 1990-2004 qyteti njeh një ritëm zhvillimi dhe një rritje të popullsisë, kryesisht prej ardhjes së mjaft familjeve nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Në vitin 1999 popullsia ishte 26.512 banorë.
Nën regjimin otoman Saranda u bë me një dekret të Portës së Lartë pronë private e Sulltan Abdyl Hamitit. Më pas, Ahmet Zogu “e mori” këtë perlë të bregdetit, gati 200 vjet më vonë, “dhuratë” nga parlamenti i kohës që kontrollohej prej tij. Në sundimin e Benitto Musolinit, qyteti i Sarandës mori emrin “Porto Eda”, për hir të bijës së vet.
Pas Luftës së Dytë Botërore, disa zyrtarë të lartë të regjimit komunist e kishin qytetin si strehën e tyre turistike dhe të gjuetisë.
Zhvillimi i qytetit
Qyteti i Sarandës po njeh një zhvillim të vrullshëm të sektorit bankar. Bankat kryesore në Shqipëri kanë hapur në këtë qytet filialet e tyre, duke i kushtuar veçanërisht rëndësi shërbimit bankar gjatë sezonit veror. Deri tani ushtrojnë aktivitetin e tyre bankar mbi 12 operatorë dhe shumë shpejt pritet të hapen edhe 2 të tjera.
Saranda ka një spital civil, ku trajtohen të gjitha rastet e mjekimeve dhe për ato më të rëndat bëhet në një kohë të shpejtë transferimi drejt Tiranës apo drejt spitalit të Janinës (Greqi) shkruan shqip.info/ . Shërbimi në spital është tërësisht falas. Në Sarandë ka edhe shërbim urgjence dhe spital ditor. Ka gjithashtu ambulanca publike dhe klinika të specializuara.
Kompanitë e telefonisë celulare Vodafon dhe AMC, si dhe Albtelekom, ofrojnë shërbimin në Sarandë, ku sigurohet mbulimi i gjithë zonës përfshi edhe atë rurale me sinjal.
Në amfiteatrin e qytetit antik të Butrintit mbahet për çdo vit Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrint 2000”, me pjesëmarrjen e mjaft trupave teatrore evropiane. Në kinoteatrin e Sarandës vihen në skenë shfaqje të shumta. Gjatë muajve të verës jo vetëm trupa e estradës së Sarandës, por edhe trupa të tjera brenda dhe jashtë vendit, japin shfaqje të ndryshme në qytetin që “përmbytet” nga vizitorët.
Në qytetin e Sarandës ndiqen dy kanale televizive lokale: TV Saranda dhe TV Joni, si dhe të gjitha kanalet kombëtare, duke mos përjashtuar edhe disa kanale televizive greke dhe italiane. Gazetat kombëtare mbërrijnë në qytet nga Tirana afër mesditës, ndërsa gjatë sezonit del në Sarandë gazeta “Saranda”, e cila ka një pjesë të faqeve dhe në gjuhën angleze.
Energjia elektrike nuk njeh ndërprerje gjatë dy viteve të fundit në Sarandë, përveç në rastet e ndonjë defekti në linjat e tensionit të lartë. Shumica e lokaleve dhe bar-restoranteve kanë si burim paralel rryme elektrike gjeneratorët.
Tregu i frutave dhe i perimeve, ku gjenden ushqime organike të fermerëve të zonës, është në qendër të qytetit.
Saranda ka traditë në prodhimet bujqësore dhe gjatë verës tregu njeh çmime mjaft të favorshme. Por funksionojnë më së miri edhe marketet e vogla dhe të mesme, të cilat janë të shumëllojshme me artikujt e përdorimit të gjerë shkruan shqip.info/ . Pothuajse gjatë gjithë ditës dyqanet ushqimore janë të hapura. Ndërsa njësitë që shesin suvenire janë në qendër të qytetit, fare pranë kinoteatrit. Dyqanet zakonisht hapen në orën 7.30-8.00 të mëngjesit dhe mbyllen rreth orës 21.00 të darkës.
Në Sarandë prodhimet e detit gatuhen kryesisht të zgarë. Në përgjithësi, ushqimet janë të pjekura mirë, përdoret edhe gatimi me avull. Pjatat e dyta të mishit janë me bazë qengji dhe viçi. Si pije gjatë ngrënies përdoret shpesh rakia dhe vera./ shkruan shqip.info/