Categories
Lajme

Superiorja, Tirana mbetet “zot” i fatit të saj për mbijetesën në elitë

Kategoria Superiore ka përmbyllur javën e saj të parafundit të këtij sezoni, ku titulli është vendosur tashmë dhe i ka takuar Partizanit, ndërkohë që beteja për mbijetesë dhe kupat e Europës do të vijojë deri në frymën e fundit, apo 90 minutat e javës së 36.

Në duelet e kësaj të diele, veç Flamurtarit që mori 3 pikët në tavolinë si pasojë e përjashtimit të Kamzës nga elita e futbollit shqiptar, ranë në sy fitoret e “sinkronizuara” të dy pretendentëve për mbijetesë, Tirana dhe Kastrioti, respektivisht ndaj Laçit në Kurbin dhe Teutës në Krujë.

Bardheblutë e kryeqytetit mposhtën 3-1 kurbinasit në një ndeshje “të çmendur” që mund të kishte pasur një rezultat edhe më të thellë, po të mos ishin humbur plot 3 penallti, një për Laçin dhe dy për Tiranën.

Një fitore gjithsesi e vyer për kryeqytetasit, të cilët në 90 minutat e fundit e kanë fatin në duart e tyre për qëndrimin në Superiore, ndërsa Kastrioti është me një këmbë drejt Kategorisë së Parë, pavarësisht se mposhti 2-1 Teutën, me durrsakët që humbasin kësisoj terren për kupat e Europës.

Në ndeshjet e tjera, kampionët e saposhpallur të Partizanit, të cilët pritet të festojnë në shesh rikthimin e titullit kampion pas 26 vitesh, barazuan 1-1 me Kukësin, edhe pse ishin verilindorët që kaluan të parët në avantazh me anë të Reginaldos, golit të të cilit iu kundërpërgjigj Çinari për “demat e kuq”.

Skënderbeu mposhti 2-0 Luftëtarin e Gjirokastrës, në të vetmen ndeshje pa interes të kësaj të diele.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *