Për mbrojtjen e qytetit mbetën të vrarë 200 burra dhe qindra të plagosur
Gazi Hasans: Qerim Butka dhe snajperat që i dolën në mbrojtje Korçës
Nga Vepror Hasani
Gazi Hasans: Qerim Butka dhe snajperat që i dolën në mbrojtje Korçës
KORÇË – “Ajo natë dukej sikur kishte vdekur. Nuk ngjasonte aspak me netët që kishin ikur. Mbretëronte një heshtje e thellë. Rrugët ishin të zbrazta dhe të heshtura, pa zëra dhe hapa. Heshtja e pazakontë përcillte një ankth të vazhdueshëm. Dukej sikur diçka kishte për të ndodhur. E gjitha kjo ngjasonte me paralajmërimin e një vdekjeje të kobshme. Qyteti i Korçës flinte dhe s’flinte. Portat e shtëpive ishin mbyllur me lloz nga brenda dhe që nga mbrëmja nuk ishin hapur më. As kërcëllima dyersh e dritaresh nuk kishte patur, as lehje qenësh nuk ishin dëgjuar. Nata po e kapërcente mesin e vet, por gjithnjë vazhdonte të mbetej e njëjtë dhe e zymtë.
Vetëm sahati i qytetit që ngrihej mbi të gjitha ndërtesat e Kasabasë të jepte idenë e një gjiganti që vështronte rreth e qark. Ndoshta ajo natë do të mbetej nata më e gjatë e të gjitha netëve. Të vetmit që nuk flinin, ishin “Vetëdashësit”. Mes tyre ishte dhe babai im, Qerim Butka,- thotë Gazi Hasanas,- rrëfyesi i kësaj historie rrëqethëse, banues në fshatin Butkë të Kolonjës, i cili përveç kujtimeve, ruan edhe sot e kësaj dite disa prej gazetave “Koha”, që botoheshin asaj kohe.
Pjesë e vetëdashësve ishin edhe Tefik Butka, Fehim Butka, Mehmet Mydini, Teki Beqillari, Hysen Aliko etj, që të gjithë nga Butka. Pritej që ushtria greke dhe andartët të sulmonin Korçën. Të gjitha këto m’i ka treguar im’at, – thotë Gazi Hasanas, – por më së shumti i kam dëgjuar nga vëllai i tij, Feti Butka, sepse ai jetoi edhe shumë vjet pas vdekjes së babait”. (Pse tashmë pasardhësit e Qerim Butkës, mbajnë mbiemrin Hasanas, sqarohet në vijim).
2
Për herë të parë grekët hynë në Korçë më 7 prill 1912, u larguan pas 14 muajve, më 17 shkurt 1914, por tashmë ishte përhapur fjala se grekët do të vinin përsëri, – vazhdon rrëfimin e tij, Gazi Hasanas, sot 86 vjeç. Do të turreshin drejt saj lukuni prej mijëra vetash. Të gjithë ata që nuk do t’u bindeshin ose do të guxonin të zbrasnin pushkë kundër tyre do të shkoheshin në thikë si bagëtia. Nuk do të kurseheshin as fëmijët, as gratë dhe as të moshuarit. Qyteti flinte i mbështjellë me këtë tmerrnajë të madhe.
Vetëdashësit kishin zënë portat hyrëse të qytetit të Korçës. Një pjesë e tyre ishte vendosur te vendi i quajtur “Çezmat e arave”, aty ku sot ndodhet monumenti i Themistokli Gërmenjit. Edhe babai im, Qerim Butka, kishte zënë vend aty, kujton me nostalgji, Gazi Hasanas. Pjesa tjetër ishte pozicionuar jo shumë larg nga vendi ku gjendeshin shtëpitë e doktor Polenës, pasi në atë kohë deri aty shtrihej qyteti i Korçës. Përhapja e lajmeve se greku do të vinte përsëri i kishte bërë Vetëdashësit edhe më të vëmendshëm. Im at, Qerim Butka, bënte pjesë te “qëllonjëtarët”, kështu quhej grupi i Vetëdashësve që ishin përzgjedhur si “snajpera”.
Nata vazhdonte të ishte e shurdhët dhe memece. E frikshme gjithashtu. Por erdhi një çast, kur gjithë heshtjen e thellë që kishte pushtuar Korçën e prishi sahati i qytetit. Ai gjëmoi dy herë me radhë dhe pas kësaj heshti. Ora shënonte 02.00 pas mesnatë. Zëri i kambanës së orës kishte qenë një thirrje e fortë: Zgjohuni! Grekët po vijnë!
3
Dhe vërtet, ata po vinin. Trupa e Vetëdashësve ishte krijuar më 5 mars 1914 me urdhër të majorit Snellin Van Vallenhoven. U mblodhën të gjithë ata që dëshironin t’i dilnin në mbrojtje Korçës. Vetëdashësit u vunë nën komandën e oficerëve hollandezë. Korça duhej të ndihej e sigurtë. Katër ditë më vonë, në dt. 9 mars, nën drejtimin e Themistokli Gërmenjit dhe oficerit Dhori Harito, vetëdashësit organizuan paradën e parë, ku demonstruan para guvernatorit të Korçës, Vallenhoven, dhe në të gjitha rrugët e qytetit. Për Korçën, 9 marsi u shënua si një nga ditët më të gëzuara të saj.
Deri atë ditë numri i vetëdashësve kishte shkuar në 120 veta”. Gazeta “Koha” jep këtë përshkrim për krijimin e trupave vetëdashëse, shpjegon Gazi Hasanas: “Kurrë s’do të harrohet dita e diel që për të parën herë në histori të përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët muntnë të shikojnë një nga dëshirat e gjalla që ëndërronin. Kurrë s’do të harronet, thom, se të gjithë që muarrë këtë detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës se qe frikë e kërbaçit dhe e bajonetës.
Vetëdashësi i dëshiruar na siguron plotësisht nga pamja e fytyrave të gëzuara, na ngjall dhe na shton jetën, kur secili (prej tyre) s’vonon për të mbushur detyrën e vet, na vërteton se në Korçë asnjë propagandë e huaj s’mundi të gjejë vend dhe mbështetje, edhe na tha, (nxori) lakuriq rekllamat armike që kishin guxim të bëjnë ato që dimë”. (Gazeta “Koha”, 18 mars 1914).
4
Sahati i qytetit të Korçës gjëmoi tri herë me radhë dhe përsëri heshti. Data shënonte 2 prill 1914. Qetësia nëpër rrugët e Korçës nisi të prishej. Fillimisht u duk sikur u dëgjua një zë, diku u ndez dhe u fik një dritë, pastaj disa hapa që nxitonin dhe që u shuan përsëri. U dëgjua edhe lehja e qenëve. Vetëdashësit u bënë gati të gjithë. Ajo që pritej po ndodhte. Ishin përballë luftës. Nuk kaloi shumë dhe të gjithë Vetëdashësit u gjendën nën breshërinë e plumbave.
Andartët u kishin dalë nga pas shpine. Ishte një luftë e pabesë. E parapërgatitur me detajet më djallëzore. Më 17 shkurt grekët kishin bërë sikur kishin ikur nga Korça, por në të vërtetë ata kishin lënë brenda qytetit aramatime, municione dhe njerëz të paguar. Mësonjëtoren e vashave e bënë spital, mësonjëtoren shqipe burg, por në të vërtetë brenda tyre fshehën andartët. Breshëria e plumbave nuk kishte të pushuar, qëllonin me të gjitha llojet e armëve, deri dhe me top. Vetëdashësit nuk kishin ndërmend të tërhiqeshin. Ishin betuar:
“Do të vdesim të gjithë dhe Korçën se lëshojmë!” Qyteti po mbulohej nga tymi dhe flakët. Andartët u vinin zjarrin shtëpive. Herë pas herë dëgjoheshin klithma dhe vajtime grash të shoqëruara me qarje fëmijësh. Askush nuk e dinte çfarë po ndodhte. Portat e mbyllura me lloz nga brenda po shkyheshin nga andartët, askush s’ishte i sigurtë nëse do të mbetej gjallë ose jo.
5
Forcat vetëdashëse udhëhiqeshin nga oficerët hollandezë Majori Snellen Van Vallenhoven dhe Leopold de Ghilard, kapiten i trupave vetëdashëse, nga Themistokli Gërmenji dhe nënprefekti Abdyl Ypi. Befas u dëgjuan oshëtimat e kambanës së Mitropolisë. Andartët po përpiqeshin të përcillnim mesazhin: Korça u pushtua!, “Korça është greke! Dorëzoni armët! Vetëdashësit, banorët e qytetit të Korçës dhe njerëzit që kishin ardhur nga fshatrat lufton me shpirt. Mes forcave për mbrojtjen e Korçës u shfaq edhe një person tjetër që qëllonte vazhdimisht dhe përsëriste me një akcent të çuditshëm – “zjarr!” Vetëm kur vetëdashësit vështruan me vëmendje drejt tij, e njohën kush ishte ai: kishte ardhur të luftonte bashkë me ta edhe konsulli amerikan, major Harold Sherwood Spencer.
Ky çast kishte qenë i pabesueshëm për babain tim, Qerim Butka, – thotë Gazi Hasanas. E harroi luftën dhe nisi ta vështronte gjithë admirim. Nuk u besonte dot syve, në ishte e vërtetë ose jo. Z. Spenser luftonte për Korçën njësoj sikur të kishte qenë vendlindja e tij! Ai çast e bëri t’i rrihte zemra fort. Në këtë planet të egër shqiptarët nuk paskëshin qenë pa miq e dashamirës. Ndjeu t’i këputej një pikë loti nga syri…”.
6
Dhe pa u menduar gjatë, – vazhdon më tej Gazi Hasanas, – im at, Qerim Butka, u ngrit më këmbë dhe nisi të qëllonte. Jeta nuk i dhimbsej më. Po atë çast brofën në këmbë edhe qëllonjëtarët e tjerë. Snajperat përzgjidheshin gjatë stërvitejve: Gazeta “Koha” shkruan:
“Të diel të 6 prillit, trupat Vetëdashëse të Korçës, nën urdhërin e kumandantit te tyre me z. Themistokli Gërmenji, vanë në Boboshticë për manovra strategjike, gjithë Vetëdashësit treguan një rregull të shkëlqyer në praktikën e parë. Kur hodhë nishan nga nishanllinjtë të trumbës së dytë, goditnë më mirë këta zotërinj: Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Kaluci, dhe Zenel Plasa. Këto manovra i vizitoi në Boboshticë edhe prefekti me shumë zonja dhe zotërinj të tjerë”. (Gazeta “Koha”, 17 prill 1914).
Gazi Hasanas, kujton me nostalgji edhe një çast tjetër nga jeta e pleqve të Butkës: “Sa herë vinin për dy-tri ditë në fshat, Qerim Butka, Tefik Butka, Fehim Butka, Mehmet Mydini, Teki Beqillari, Hysen Aliko etj, bënin qitje bashkë, kush do ta kalonte plumbin përmes unazës; hapësirën e saj e zinin me një copë letër. Vlera e qëllonjëtarëve dilte në pah gjatë gjithë luftimeve. Kjo gjë solli më pas krijimin e batalionit të qëllonjëtarëve:
“I pari batalion i Qëllonjëtarëve Shqiptarë, (pasi u tregua më parë në luftrat e Bosnjës, nën udhëheqjen enegjike të kryetarit të tij, majorit Holtz), dëfteu ato më të mirat kalitete (cilësi) ushtarake, dhe u dëftye sheshazi që është një trup ushtarak i dorës së parë”. (Petro Dh. Harizi, Historia kronografike e Korçës, f.237).
7
Tashmë qëllonjëtarët vraponin përmes plumbave duke qëlluar. Këtë gjë e kishin mësuar nga majori Snellen Van Vallenhoven, i cili nuk dinte të ndalej kur luftonte. I tillë ishte edhe Leopold de Ghilard. Ja çfarë shkruante gazeta “Koha”, sqaron Gazi Hasanas: “Shpirti në tërë këto luftra, dhe trim i trimave në tërë këto goditje, u tregua oficeri, kapiten Ghilardi, më parë oficer i Austrohungarisë në Zagreb dhe që në 6 muaj e tëhu, komandant i taborit të mitralozave të Shqipërisë. Kapiteneri dhe trimëri aq të madhe sa vetëm me burrërinë dhe trimërinë e Aleksandrit të Madh dhe të Skënderbeut mund të barabiten.
Fjalët e tij në këto luftra ishin vetëm zjarr dhe përpara. Kapiten Ghilardi me ushtrinë e tij ishte në ballë, duke mbajtur edhe shkrehur mitraloza vetë me një dorë në mes të plumbave dhe përpara të gjithëve, i sulej armikut si një asllan, të cilin e thehu dhe e mundi me një mjeshtëri të patreguar. Emri i kapiten Ghilardit mbahet nëpër gojë të shqiptarëve si një emër i shenjtë, si një emër i më të madhit luftëtar trim dhe liridhënës të Shqipërisë.
Dhe Mbretëria Shqiptare si mirënjohëse për shërbimet e mëdha të tij do të ngrehë kapiten Ghilardin në shkallët më të larta të saja. Edhe oficeri hollandez, kapiteni Doberman tregon trimëri të madhe në fushën e luftës duke bërë planet e luftës, dyke mburrur shqiptarët e duke luftuar bashke me ta (“Koha”, 3 maj 1914). Pjesë e këtyre luftimeve u bënë edhe Reimers, kapiten i misionit Hollandes në Pogradec, major Mustafa Elmazi, kapiten Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti, leitnant Ismail Hakiu etj.
8
Vetëdashësit donin t’i jepnin fund sa më parë masakrës që po ndodhte, – thotë Gazi Hasanas. Andartët vrisnin edhe fëmijë, pleq e plaka. Disa grave ua kishin prerë kokat me sopatë. Rrugët laheshin nga gjaku. Banorët e qytetit vdisnin me fjalët: “Rroftë Korça!” Vetëdashësit dhe gjithë të tjerët bënë përpara. Përparonin minutë pas minute. Qëllonjëtarët dërgoheshin atje ku ishin pikat më të nxehta. U luftua përgjatë gjithë ditës. Andartët mbetën të ngujuar në poziconet e tyre. Luftohej për jetë a vdekje. Edhe konsulli amerikan luftonte bashkë me ta. Gazeta “Koha” shkruan:
“Në këto goditje me grekun barbar luftuan edhe shumë korçarë nga të cilët më trima u treguan Konsulli i Amerikës në Korçë, z. Spenser, Ferid beu (Frashëri), Skëndo beu (Skënder Pojani), dr. Haki Mborja, Dervish Filja, Kole Rodhe, Mina Grameno, Llambi Bimbli, Miçe Frashëri, Pandeli Cale, Thanas Visha edhe shumë të tjerë vetëdashës të Korçës”. Lufta vazhdoi pa ndërprerje për 5 ditë e 5 netë. Lajmi ishte përhapur në të gjithë krahinën e Korçës: “Vetëdashësit e Korçës po mbrojnë qytetin me gjak…”. “Bashkë me ta është edhe Konsulli i Përgjithshëm i Amerikës, z. Spencer…”. “Për mbrojtjen e Korçës po luftojnë edhe oficerët e misionit Hollandez…”. Princ Vidi interesohet çdo minutë për fatin e Korçës…”.
9
Fjala kishte mbërritur edhe te komandantët e çetave shqiptare. I pari që hyri në Korçë ishte kapedan Kajua. Çohuni, u kishte thënë trimave, andartët po përpiqen të na rrëmbejnë Korçën. Trimat e tij bashkë me Kajon, i dolën Korçës nga sipër aty te vendi që quhet “Vreshtat” dhe hapën zjarr.
Andartët dhe ushtarët grekë u shtynë me nxitim më poshtë për t’i shpëtuar zjarrit të Kajos, por përpara u kishte dalë Agush Çaushi me çetën e tij, që sapo kishte mbërritur nga Starova. Nuk kishin shumë kohë për t’u menduar, tentuan të rrëshqisnin heshturazi nga krahu i rrugës së Kolonjës, por befas kuptuan se po shkonin drejt vdekjes: kishte mbërritur çeta e Sali Butkës e kryesuar nga biri i tij, Gani Butka. Andartët sapo dëgjuan për çetën e Sali Butkës mbetën të shtangur.
E kishin dëgjuar emrin e tij edhe më parë. U përpoqën të çanin në drejtim të Mborjes, aty ku sot gjenden varrezat e qytetit, me qëllim arratisjen drejt kufirit grek, por rrugën ua kishte prerë çeta e Zalo Prodanit. Pikërisht në këtë kohë një turmë andartësh nisën të qëllonin nga kisha e “Shën Thanasit” Të gjitha grykët e pushkëve u drejtuan andej. Pas pak u dëgjua një shpërthim i madh dhe kisha e “Shën Thanasit” u përfshi nga flakët.
Priftërinjtë kishin vendosur atje municionet e ushtrisë greke. Pas shumë përpjekjesh, lufta mori fund. Numri i robërve ishte i madh. Po atë ditë u ngrit një komision nën drejtimin e prefektit Pandeli Vangjeli, nënprefektit Abdyl Ypi, majorit Snellen Van Vallenhoven dhe Kristo Floqi, të cilët do të gjykonin të gjithë ata që kishin vrarë njerëz të pafajshëm. Sipas gazetës “Dielli”, 5 maj 1914, f. 1, numri i të vrarë shkonte në 200 veta, kurse të plagosurit ishin të shumtë, por Korça mbeti shqiptare.
10
Në mbrojtje të Korçës mbërritën edhe gegët. Tmerri i grekomanëve u bë edhe më i madh. Hajdar Blloshmi në krye të 300 trimave tha: “Neve gegët e kemi për detyrë të vijmë në ndihmë dhe të luftojmë për të shpëtuar dhe liruar Toskërinë nga armiku barbar, më parë edhe për Korçën se është e ditur dhe e provuar që Shqipëria pa Korçën s’mund të rrojë dhe të përparojë siç duhet. (Gazeta “Koha”, 3 maj 1914).
Më pas mbërriti Shaban Blloshmi dhe tabori i xhandarmërisë së Tiranës: “Ardhja në Korçë e taborit të xhandarmërisë së Tiranës nën komandën e z, Shaban Adil lë të kuptohet edhe një herë më shumë vëllazëria e shqiptarëve. Vetëdashësit e Korçës duke bërë nderimet dhe gjithë populli e pritën me një gëzim të madh dhe me këngë kombiare. (Gazeta “Koha”, 3 maj 1914). Princ Vidi dërgoi armë dhe veshje për ushtrinë:
“Gjer më sot arrinë nga Durrësi në Korçë 400 barrë me armë dhe 500 barrë me fishekë. Armët janë nga më të mirat, të sistemeve të reja. Gjithë oficerët që kemi pyetur kanë mbetur fort të kënaqur … Nesër priten të arrijnë në Korçë dhe 12 topa që dërgoi qeveria jonë nga Durrësi. Topat, siç mësojmë, janë nga më të mbaruarat (përkryerat) që kanë dalë deri më sot”… Uniformat që porositi Qeveria e Korçës për ushtrinë e Korçës është fort e pëlqyer dhe e bukur. Pas tri ditësh shprehemi që do të jenë gati të vishen nga ushtria. (Gazeta “Koha”, 3 maj 1914).
11
Grekët tentuan sërish rrëmbimin e Korçës. Dhe kur u bindën se marrja e saj ishte e pamundur, dogjën gjithçka. Mijëra familje mbeten mes katër udhëve. Një prej tyre ishte dhe familja e babait tim, – thotë Gazi Hasanas. Ata u vendosën te ullinjt e Vlorës. Në atë kohë babai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Bashkëshortja e tij ishte nga fisi i dëgjuar i Malukajve të Kolonjës, por gruaja e tij dhe një nga fëmijët, nuk u kthyen nga brigjet e Vlorës; mbetën përjetësisht atje. Jeta e tyre u shua për shkak të etheve. Disa vjet më vonë, pas përfundimit të studimeve në Stamboll, humbi jetën aksidentalisht edhe djali tjetër i tij. Me kthimin nga Vlora u vu përsëri në mbrojtje të Korçës. Tashmë do të luftonte edhe në emër të të gjithë atyre që humbën jetën në Vlorë.
Ndërkohë, Qerim Butka u martua me një grua nga fisi i madh i Fejzove të Starjes në Kolonjë. Njëri prej pinjollëve të saj është regjisori Muharrem Fejzo. Megjithatë kur në Shqipëri u vendos diktatura, Butka u shpall fshat ballistësh. Banorët e saj ishin me origjinë nga Frashëri i Përmetit, mbiemrin Butka e morën kur u vendosën aty, por shumë prej banorëve të saj e lanë mbiemrin “Butka” dhe gjithkush mori për mbiemër emrin e gjyshit të vet.
Familja e Qerim Butkës mori emrin e Hasanit të dëgjuar të Frashërit, për të cilin sulltani kishte shpallur dënimin me vdekje. Me këto fjalë i tha fund rrëfimit të tij, 86- vjeçari Gazi Hasanas.
NË MBROJTJE TË KORÇËS
Nuk pretendohen të gjithë emrat
Mes tyre të vrarë, pjesa më e madhe të plagosur
Mehmet Mborja
Kapedan Kajua
Dervish Filja i Turanit
Hysen bej Pirgu
Jashar bej Starova
Agush Çaushi (Starovë)
Vasil Tromara
Etem bej Starova
Istref bej Starova
Kristaq Kosturi
Nepsi Kernxhi
Vani Ziko
Kristaq Pema.
Pasha Pema
Hasan Selfo bej
Kozma Trebicka
Mehmet Korça
Mustafa Haxhi Sulejmani
Dr Haki Mborja
Ferid Frashëri
Skënder bej Pojani
Fuat Dishnica
Jusuf Qyteza
Baba Hyseni i Melçanit,
Baba Qazimi i Qatromit
Baba Hajdari i Turanit
Vasil Trebicka,
Xhemaliu
Riza bej Nakoleci
Hasan bej Vinçani
Papa Llambro Bullamaçi
Kole Kotta
Sotir Bullamaçi
Vasil Tallabaku
Vasil Face
Vasil Babajane
Nikolla A. Cipu
Elena Tallabaku
Mehmet Ibrahim Dushari,
Mehdi A. Leskoviku
Haxhi S. Kolea
Sefer A. Kolonja
Xhafer J. Kolonja
Istref Çeçan Starova
Iljaz Kamenica
Ali I. Përmeti
Sefer B. Opari
Muhtar A. Bilishti
Hysen Xh. Përmeti
Veli A. Kamenica
Mahmund Sylejman
Isuf K. Starova
Çerçiz M. Starova
Ymer H. Starova
Fetah Sh. Orija
Ibrahim Myslim Moçani
Jahja Mehmet
Beqir Ali Dibra
Hajdar Ib Kolonja
Arif Jashar Orija
Rustem Alit Orija
Hysni Jakup Orija
Alush M. Kolonja
Hysen.G. Starova
Demir J. Orija
Shaqan Ahmet Orija
Jakup Shahin Strelca
Bajram Rakip Sadurishta
Xhemal Maksut Krosnishti
Nauman Çaush Çeresniku
Hysen Garipe
Myslim Qerim Moçani
Fetah Shaban Dollogozhda
Kadri Pasho
Demir Ibrahim Karustushtë
Qerim Sali
Hysen Jakup
Arif Jashar
Rustem Ali
Çerçiz Maksut
Hysen Hamid
Isuf Kapo Grasnishti
Ibrahim Veli
Haxhi Shaqir
Iljaz bej Kamenica
(Gazeta “Koha”, 15 maj 1914)
““““““““““““““““““““““““`