Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një prononcim për Gazetën Express ka insistuar se Moldavia dhe Greqia do të jenë të detyruara të luajnë në Kosovë në kuadër të Ligës së Kombeve, edhe pse s’e njohin pavarësinë e shtetit kosovar.
Doruntina Baftiu
Shorti i së martës në Amsterdam, për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, e përballi Kosovën me dy shtete të cilat s’ia njohin pavarësinë. Bëhet fjalë për Greqinë dhe Moldavinë, të cilat bashkë me Slloveninë e kompletojnë Grupin 3 të Ligës C, shkruan Gazeta Express.
E përkundër që Liga e Kombeve i përball ekipet sportive mes vete, tema e politikës u vu në qendër të vëmendjes në Amsterdam menjëherë pas shortit. Kjo pasi që trajneri i Moldavisë, Engin Firat, tha se ekipi i tij nuk mund të luajë në Kosovë e as ekipi i Kosovë të shkojë në Moldavi.
“Kemi probleme politike me Kosovën. Ne nuk mund të luajmë në Kosovë e Kosova nuk mund të luajë në Moldavi. Së pari duhet të zgjedhim këtë problem e më pas të mendojmë për ndeshjet. Por besoj që do të gjendet një zgjidhje”, deklaroi Firat.
Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka insistuar të kundërtën. Ai ka thënë se Moldavia e Greqia do të jenë të detyruara të vijnë në Kosovë dhe se i presin sanksione nëse nuk e respektojnë këtë gjë.
“Moldavia dhe Greqia e kanë obligim të vijnë për të luajtur në Kosovë. Nëse ato ekipe nuk duan ta bëjnë këtë, atëherë do të ketë sanksione nga UEFA. Ato s’kanë bërë kërkesë që të luajnë në territor neutral”, tha Salihu për Gazetën Express.
I pyetur se a mund të zhvillohen ndeshjet e Kosovës si vendas në stadiumin “Air Albania” në Tiranë të Shqipërisë, nëse ndodh që ndeshjet të vendosen për t’u luajtur në territor neutral, Salihu shtoi: “Po, do të ishte e mundur. Por nuk ka gjasa të ndodhë pasi ato janë të detyruara të vijnë në Kosovë”.
Në maj të vitit të kaluar, pasi që ky problem ishte bërë temë debati, UEFA vendosi t’i shtrëngojë rregullat për vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ky rregull i obligon të gjitha ekipet të pranojnë të luajnë kundër ekipit kombëtar dhe klubeve të Kosovës si pasojë e shortit, qoftë në territorin e tyre apo në territorin e Kosovës”, kishte thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Megjithatë, UEFA më vonë sqaroi se do t’i lejojë vendet që nuk duan të jenë nikoqire të Kosovës, ndeshjen si vendase ta zhvendosin në një vend neutral.