Categories
Sport

Formula 1, shtyhet gara e Holandës

Çmimi i Madh i Holandës në Formula 1, shtyhet për në 2021. Lajmi në fakt nuk është surprizë, pasi kjo garë nuk ishte përfshirë në asnjë kalendar në të cilin ka hartuar F1. Holanda mbetet strikte në disa vendime që kishte marrë. Kështu organizatorët nuk dëshironin aspak që gara e parë në vendin e tyre të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke parë faktin se të gjitha biletat ishin shitur muaj më parë. Drejtori i garës, Jan Lammers, tha në Motorsport.com: “Gara jonë është shtyrë për në vitin 2021. Shpresojmë të dalë sa më shpejt vaksina dhe të rikthehet çdo gjë në normalitet”. Ndërsa nëpërmjet një komunikate zyrtare, organizatorët e garës së Holandës, janë shprehur: “Për shkak të çrregullimeve në sistemin botëror, shkaktuar nga COVID-19, Çmimi i Madh i Holandës në Formula 1, është shtyrë. Organizatorët e kësaj gare, në konsultim me drejtuesit e Formula 1, kanë dalë në vendimin se këtë vit, nuk është e mundur të organizohet gara pa publik. Ndaj është shtyrë në mënyrë unanime për në vitin 2021. Së bashku me FIA-n, drejtuesit e Formula 1 do ta përfshijnë Çmimin e Madh të Holandës në 2021, duke i caktuar edhe datën e saj. Ashtu si çdo vit, data do të deklarohet nga FIA brenda fundit të vitit 2020. Të gjitha biletat e shitura do të vlejnë për garën e ardhshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *