Categories
Kulturë

Historia shqiptare, selektive, duhet të bëhet rivlerësimi i ngjarjeve dhe personaliteteve

Nga : Ana Lalaj

Historiografia shqiptare përgjithësisht është selektive, ndërsa ngjarje dhe figura të ndryshme në të janë censuruar. Ky është pohimi që studiuesja e historisë, Ana Lalaj, bën gjatë një bisede për “TemA TV”, ndërsa flet për historinë shqiptare dhe rivlerësimin e ngjarjeve dhe disa personaliteteve. Ndërkohë që ndalet në figura apo momente të veçantë historikë, Lalaj thekson se thuajse në çdo moment të kësaj historiografie, të gjithë episodet historike janë trajtuar në këndvështrime të politikës së kohës.

Ajo ndalet edhe te rivlerësimi apo rehabilitimi i figurës së Mit’hat Frashërit dhe të të ashtuquajturat figura kolaboracioniste dhe fakti nëse kolaboracioni i tyre ishte pragmatik apo ideologjik.

Cila është historia e shqiptarëve dhe a ia vlen të studiohet? Cili ishte raporti dje dhe sot në studimin e historisë?

Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ky vend i vogël ka vërtet histori, histori që është e krahasueshme me historinë e popujve të tjerë, ku vend i vogël ka kontribute, ka marrë e ka dhënë me të tjerë, ka nxjerrë mbretër, kardinalë, papë etj. Çështja është që ne, jo vetëm historianët, por gjithkush që kërkon, hulumton në gjithë trungun historik të Shqipërisë, t’i sjellë rezultatet e kërkimeve në vëmendjen tonë, se këto na shërbejnë, jo vetëm për njohje, për erudicion, por na shërbejnë dhe për të sotmen e të ardhmen. Në këtë kontekst, unë kam studiuar për histori, por kur kam qenë në shkollë, nuk e kam dashur. Madje kur më doli për histori, dy muaj nuk kam shkuar në fakultet. Pse, sepse historia nuk ishte lëndë interesante në shkollë. Unë kërkova matematikë, inxhinieri… Nuk do ta kisha përmendur këtë fakt, nëse sot, ato që publikohen në median e shkruar dhe vizuale, apo në portale të ndryshme, janë mbushur plot me histori. Dikush mund të shprehet se nuk kanë me çfarë t’i mbushin gazetat etj. Mendoj se jo. Nëse temat historike nuk do të shiheshin apo nuk do të lexoheshin, atëherë temat historike nuk do të shkruheshin më. Por fakti që ato lexohen, do të thotë se njerëzit e duan historinë. Por ky është një detyrim i madh për ne, për ne që merremi me histori. Kjo është një punë e madhe me përgjegjësi, e mundimshme, të kërkosh shumë e pastaj të krahasosh e të kolaudosh. Por është e rëndësishme që ne duhet të kemi të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë për konkluzionet që tërheqim. Në gjithë këtë proces për njohjen dhe rivlerësimin e historisë, zëri i historianëve duhet të jetë primar.

Në Shqipëri, nëse do të flasim për një vështrim objektiv, do të ishte e udhës, do të ishte e vlefshme, që edhe me figurat më të errëta historike, dhe jo më për figurat me kontribute atdhetare, kulturore, publicistike, diplomatike, që përfshijnë një jetë të tërë, nuk mund të jetë e drejtë e as na bën mirë ne si popull, si mendim, si liri mendimi, t’i hedhim poshtë të gjitha këto, vetëm e vetëm, se në një moment të caktuar është regjistruar në një rrugë të gabuar.

Çfarë mendoni per qëndrimet e Mithat Frashërit dhe ndaj Mithat Frashërit?

Mithat Frashëri ishte një figurë shumëdimensionale por edhe komplekse, siç janë gjithë figurat e mëdha, erudit, diplomat, kryetar i Kongresit të Manastirit. Ndërkohë, ai kishte dhe një projekt politik, krijimin dhe ndërtimin e një Shqipërie Perendimore. Ai i dha jetë dhe e nxiti, si pak kush këtë projekt. Megjithatë, ai nuk arriti atje ku synoi, pra, nuk arriti ta plotësojë projektin e tij, dhe pikërisht këtu qëndron tragjizmi i Mithat Frashërit.

Mithat Frashëri nuk e bëri dot konkurrues e të krahasueshëm organizatën “Balli Kombëtar” që ai drejtonte, ndërkohë që komunistët ecën shumë më shpejt. Nuk ishte “Balli” ai që e nxiti luftën civile, as e filloi atë, por fakti që Mithati nuk arriti të gjejë një zgjidhje tjetër, një alternativë tjetër, kjo e bën të diskutueshme figurën e tij. “Balli Kombëtar” rezultoi të ishte krahu më frenues në përplasjen me pushtuesit fashistë. Madje, pjesëmarrja e Ballit në qeveri e theksoi më tepër këtë dimension bashkëpunimi. Vetë Frashëri ka qenë krahu i përmbajtur në organizatën e Ballit dhe është përpjekur të evitojë përplasjet. Por ai megjithëse shënohet nga figurat më të moderuara të Ballit Kombëtar, ai nuk mundi të pengonte rrëshqitjen e kësaj organizate në kolaboracionizëm.

Në fund të Luftës, Mithat Frashëri, i dëshpëruar për dështimin/falimentimin e projektit të tij u detyrua të largohej nga Shqipëria. Sot, ka ardhur koha që dhe pjesët e tjera të Mithat Frashërit të dalin në dritë, dhe këtë po e bën Fondacioni “Mithat Frashëri.”

Po ndonjë shembull tjetër që ka nevojë të ndriçohet nga historianët, me studime me të thelluara?

Nga sa thashë më lart, rivlerësimi i figurave nuk vlen vetëm për Mithat Frashërin, por është fjala për metodologjinë, mendimin historiografik për evidencimin e vlerave të këtij populli gjatë historisë së tij. Sepse çdo popull nxjerr përfaqësuesit e tij elitarë, që për fat të mirë, shqiptarët i kanë. Për ta bërë këtë duhet të nisemi nga një metodologji e saktë dhe e frytshme, që ka të bëjë me nxjerrjen në pah të vlerave të tyre. Ata i kanë shërbyer kohës së tyre, por ata u kanë shërbyer edhe brezave të mëparshëm. Për fat të keq ne kemi trashëguar një historiografi selektive, janë censuruar ngjarje dhe figura të ndryshme. Kjo, për faktin e thjeshtë se historiografia e kaluar ka qenë e prirur të evidenconte fort disa momente, që i kanë shërbyer politikës së periudhës apo sistemit përkatës. Kjo ka ndodhur në sistemin komunist, por edhe duke shkuar më tej në histori, kur në Shqipëri filloi Lëvizja Kombëtare për Pavarësi, e gjithashtu më vonë, të gjithë episodet historike, edhe ato janë marrë te selektuara dhe janë trajtuar në këndvështrime të politikës së kohës. Të kuptohemi, çdo kohë ka tendenciozitetin e vet. Por ka një gjë që është e rëndësishme, dhe kjo lidhet me atë që quhet manipulim i ngjarjes-lihet pjesa e keqe dhe hiqet mënjanë pjesa e mirë, ose anasjelltas. Dhe pikërisht këtë tërësi perspektivash, që janë mohuar apo mitizuar, HG e sotme kërkon ta sjellë në një dritë sa më të plotë, aq sa të jetë e mundshme. Duke qëndruar kështu, ne nuk kemi frikë të trajtojmë krahas disa kontributeve p.sh. të I. Qemalit, të flasim dhe për disa dobësi të tij; apo për Ahmet Zogun, figura më e anatemuar jo vetëm në kohën e Enver Hoxhës, por edhe sot; pra të gjejmë vlera pozitive duke i ballafaquar jo vetëm me kohën e tyre, por edhe me të sotmen. Dhe kjo të ve në mendime, jo që ta blasfemosh por ta vlerësosh një figurë apo ngjarje.

USHTARAKËT NGA MBRETËRIA

Kur Shqipëria ra nën pushtimin e Italisë fashiste, Zogu bëri zgjedhjen e tij, u largua nga Shqipëria. Për këtë, studiues të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Por le të mos flasim për këtë. Ky veprim nuk i jep atij kredite. Një figurë si ai, mund të gjente një zgjidhje më të mirë. Nëse iku Zogu, këtu në Shqipëri mbetën njerëzit e kohës. Por për fat të keq, Asambleja Kushtetuese shqiptare e krijuar pas pushtimit, e që përbëhej në masën 70% nga Parlamenti i mbetur i asaj kohe, ratifikoi pushtimin e vendit, i cili përfaqëson një moment negativ institucional. Duhet thënë që edhe atëherë pati njerëz/personalitete si Mehdi Frashëri që e dënuan pushtimin, megjithëse 4 vjet më vonë, ai bashkëpunoi me Komandën gjermane pushtuese në Shqipëri. Pra, jeta është shumë komplekse dhe ata që e jetojnë jetën janë po aq kompleksë.

Në funksion të bisedës sonë, dua të theksoj, evidencoj, se shumë prej njerëzve të Administratës e të Ushtrisë së Mbretërisë, njerëz të shkolluar, mësues, ushtarakë u përfshinë në organizimin e rezistencës kundër pushtimit. Një pjesë e tyre, e konsiderueshme iu bashkua organizatave nacionaliste, ndërsa qindra të tjerë shërbyen mësues në Kosovë dhe qindra ushtarakë me akademi e shkolla ushtarake, vunë në dobi të Luftës çlirimtare jo vetëm atdhedashurinë, sakrificat dhe trimërinë, por dhe përvojën e profesionalizmin ushtarak. Mund të përmendim: Spiro Moisiun, Bedri Spahiun, Dali Ndreun, Mehmet Shehun, Shefqet Pecin, Mustafa Matohitin, Tahir Kadarenë, Qazim Kondin, Reshit Collakun, Mehmet Mulosmanin, Pano Xhamballon, Asim Zenelin, Islam Radovickën, Ethem Bajramin, Qazim Kapisyzin, Spiro Shalësin, Vangjel Priftanji, Xhemal Punavia, Abdi Mati etj. të cilët morën në duart e tyre organizimin dhe drejtimin praktik në Shtabin e Përgjithshëm, në Brigada e pastaj në Divizione e Korparmata. E megjithatë, këtë fakt, HG shqiptare e ka censuruar, hijëzuar duke mos e bërë fort të njohur për publikun.

Po figura të periudhës komuniste, të dënuara nga regjimi, a janë ndriçuar?

Historia e Komunizmit te ne është një histori e dhimbshme. Udhëheqja komuniste shqiptare për të ushtruar pushtetin e saj, qetësisht e pa telashe, aplikoi një Platformëpërjashtuese, JO platformë bashkëpunuese edhe me kundërshtarët. Për ta kundërshtari ishte armiq. Kjo ishte filozofia e sistemit. Në sistemet demokratike, kundërshtari perceptohet si nevojë për bashkëpunim, është nevojë për kompromis.

(Po hap një parantezë. A nuk e kemi vënë re gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë, sidomos kur kanë drejtuar mazhoranca të cilësuara, janë vërejtur herë pas here , në mënyrë periodike, shfaqe arrogante dhe arbitrariteti në qeveri. Pse e bëjnë këtë? Ky është recidiv i së kaluarës, që vjen nga e kaluara dhe manifestohet në një shoqëri demokratike të pamaturuar ende.)

Kthehemi ku ishim. 2 momente në pushtetin Komunist:

Fillimisht, kur u vendos pushteti komunist, ai asgjësoi të parët- kundërshtarët politikë. Më pas, ata që nuk ishin shfaqur si kundërshtarë, por i mendonte potencialisht si të tillë. U arrestuan, burgosën dhe madje pushkatuan mjaft intelektualë, të cilët u morën nga shtëpitë, vëllezërit Kokalari…

Pas disa muajsh, kur filluan problemet brenda klasës drejtuese, udhëheqjes së PKSH, që ishin probleme të qeverisjes, raporte ndërkombëtare, atëherë lindi dhe një Front i ri i luftës, që ishte brenda klasës drejtuese, vetë komunistëve dhe që zgjati gjatë gjithë qeverisjes komuniste. Në këto raste, si gjithmonë, fiton ai që është në krye. Dhe Shqipëria është nga ato vende, ku i pari i Partisë, Enver Hoxha, e trashëgoi atë post që kur e mori e deri sa vdiq, pra jo nga 8 nëntori 1941, por nga konferenca I Vendit e PKSH, 17-22 mars 1943. Kësisoj, nga prilli i 1943, në prillin e 1956, e deri në prillin e 1985, për të ruajtur pushtetin, Hoxhës iu desh të priste koka njerëzish, shokësh, bashkëpunëtorësh, madje dhe atyre më të ngushtë.

Më kundërshtarët mbaroi punë shpejt. Spastrimet më të mëdha, Betejat, kanë qenë brenda Partisë dhe Udhëheqjes së saj. Por as ata nuk kanë qenë armiq. Betoheshin për partinë para se të pushkatoheshin. Ata ishin VIKTIMAT e Kohës.

Ç’mund të na thoni për figurën e Mehmet Shehut, figurë e cila ka shkaktuar shumë diskutime?

Ideja e kompleksitetit dhe vështrimeve objektive të jetës së tjetrit, e me këtë rast të shtetit e të Partisë, dhe të M.Shehut si bashkëpunëtor i afërt i Enver Hoxhës. M. Shehu ishte drejtues i aftë dhe i talentuar, që gjatë Luftës; M. Shehu kryeministër etj. Impulsiv por edhe i ndjeshëm në jetën personale, e po aq i ashpër në atë politike. Ai si një drejtues i lartë ka merita dhe dështime.

Por M. Shehu ishte jo vetëm pjesë e sistemit, por ishte fytyra më tipike e sistemit, dhe madje në simbiozë i përshtatet më shumë atij sistemi. Për fat të keq, ai ishte dhe mbetet njeriu , bashkëpunëtori, që kishte rekordet më kriminale. Të tjerat janë hollësira.

Megjithatë ka shumë nga ata që e vlerësojnë pozitivisht…

Dikush këtë analizë, vlerësim që përmenda, e sheh me një lloj shqetësimi. Për ithtarët e tij këto konkluzione janë të papranueshme. Çdo kohë krijon trashëgimitë, nostalgjitë e veta. Me sa kam vërejtur unë, ithtarët e tij, M. Shehun e lançojnë si burrë trim dhe kanë para sysh kohën e e Luftës, si komandant i suksesshëm. Komandant ishte dhe Enver Hoxha, por në krahasim me të, Shehu ishte “Komandanti në Front” dhe jo në shtabe. Kjo është meritë për të.

Mehmet Shehun e vlerësojnë dhe si administrator.

Por të gjithë ata që e lavdërojnë, i largohen vlerësimit politik, duke ia lënë këtë pjesë të tjerëve. Por duam, s’duam ne, ai ka qenë “Koburja” e Enver Hoxhës, prej nga del se ka qenë edhe shumë i zellshëm, mandej më i zellshmi që unë kam njohur nëpërmjet dokumenteve.

Në të vërtetë, fundi i Mehmet Shehut, ishte konsekuencë e sjelljes së tij. Ai ndërroi jetë në mbrojtje të një çështjeje familjare të ndërthurur me një atmosferë të kontaminuar politike. Edhe ai vetë, në kushte “gjyqtari”, nuk do t’ia kishte falur askujt një qëndrim si të tijin. Por këto janë momente që duhen analizuar një herë tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *