Categories
Histori Të gjitha

Isa Boletini, e vërteta e fotografisë në rrugët e Vlorës

Isa Boletini, e vërteta e fotografisë në rrugët e Vlorës

Duke kaluar nëpër duar e shqyrtuar shumë fotografi që flasin për historinë e Shqipërisë, qëndrova diç më gjatë te fotoja ku paraqitet Isa Boletini me trimat e tij në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Kjo është data e cila shoqëron foton sa herë botohet në libra historie a në shtypin periodik.

Në të vërtetë, kjo fotografi e vyer është realizuar dy-tri ditë pas kësaj date, sepse për shkaqe të ndryshme, jashtë dëshirës dhe vullnetit së tij, ai mbërriti në qytet me pak vonesë. Isa Boletini ishte ftuar si përfaqësues i Kosovës nga Ismail Qemali për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar, i cili do shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Ai ishte një nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjeve shqiptare të vitit 1910, me aftësi të dalluara organizimi dhe drejtimi, aq sa turqit mendonin se kishin të bënin me ndonjë gjeneral të huaj.

Më 1913, bashkë me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin, ai shkoi në Londër për të protestuar në emër të qeverisë shqiptare kundër copëtimit të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Duke përbërë një pengesë të forte e të përhershme për synimet grabitqare të fqinjëve, Isa Boletini u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, më 23 janar 1916. Në atë vjeshtë të tretë të vitit 1912, ai vinte në Vlorë me rreth 100 luftëtarë, shumica e të cilëve të kalitur në përpjekjet kryengritëse të 1910, veçanërisht në përleshjet me turqit në Grykën e Cernalevës dhe atë të Kaçanikut e, njëherazi ata përbënin, si të thuash “gardën” e Kuvendit.

Emri i Kaçanikut ishte bërë i dëgjuar edhe në Shqipërinë bregdetare, kësisoj edhe në Vlorë. Trimat kosovarë kishin përshkuar rrugë të gjatë e të lodhshme disaditore me kuaj drejt Vlorës, por lodhjen natyrshëm, ua lehtësonte mjaft qëllimi i shenjtë për të cilin po udhëtonin, do merrnin pjesë në shpalljen e Pavarësisë, ngjarja më e madhe e shekullit XX për kombin shqiptar. Fotografia është bërë në rrugën kryesore të qytetit, në atë kohë me emrin “Liria” (sot rruga muze “Justin Godard” në lagjen e vjetër “Muradie”), disa dhjetëra metra para se ajo të bashkohet me Sheshin e Flamurit. Autori i saj është një fotograf shqiptar a i huaj, emri i të cilit fatkeqësisht ende nuk njihet. Ai kishte ngritur trekëmbëshin e aparatit aty për të përjetësuar ato ditë të shënuara, e ndoshta ishte edhe në dijeni se atypari, do kalonin kosovarët me Isën në krye. Ajo ishte rruga që lidhte lagjen ku ata banonin (Topana) me qendrën.

E, kur janë dukur në krye të rrugës, me veshjet karakteristike e, si përherë me nga një armë brezi, mbase fotografit i janë dridhur pak duart, e i janë shtuar rrahjet e zemrës, por shpejt e ka mbledhur veten. Pa i porositur fare trimat që do fotografonte (siç bëjnë rëndomë fotografët), se dhe koha s’priste, ka shkrepur aparatin një herë, pastaj për herë të dytë, me gjithë vështirësitë teknike. Gjithçka mund të ketë përfunduar me përshëndoshjen dashamirëse të të dy palëve, por me gëzimin e madh të fotografit se kish përngrirë në letrën fotografike pjesëmarrës të shquar të ngjarjes historike, i vetëdijshëm dhe i kënaqur për përjetësimin kësisoj të atmosferës së ditëve të lirisë. Isa Boletini, edhe pse nuk është në qendrën optike të fotos, kuptohet lehtë se është kryesori në atë grup njerëzish, edhe ngase ai ecën një hap para të tjerëve. Nga vështrimi i fotos të bien në sy trupat viganë të tyre, por sidomos ecja e lirshme dhe dinjitoze.

Kishin të drejtë, Pavarësia ishte shpallur e ata ishin tashmë njerëz të lirë në shtetin e tyre, nën atë copë qielli që u kish rënë në pjesë. Vëllezërit nga Kosova u pritën me bujari të madhe nga të gjithë qytetarët vlonjatë në shtëpitë e tyre, shumica në lagjen e vjetër “Topana” (sot “Katër heronjtë”), në pjesën e sipërme të së cilës u krijua dhe vendfushimi i kafshëve dhe pajisjeve luftarake të tyre. Kjo ishte një kodër a bregore vogël e mbushur me ullinj, prej nga shihej mirë krejt qyteti. Vendësit dhe miqtë u miqësuan shpejt me njeri-tjetrin, madje të parët, si për t’i nderuar më shumë ardhësit, filluan ta thërrisnin kodrën thjesht dhe shkurt “Kaçanik”, meqenëse pjesa më e madhe e tyre kish luftuar në Grykën e Kaçanikut.

Kështu nisën ta quanin bregoren më pas banorët e qytetit, ndonëse mjaft njerëz në Vlorë nuk ia dinin më vonë origjinën këtij emri, por kjo s’kish ndonjë rëndësi. Kodra “Kaçanik” po kthehej kësisoj në një përmendore të veçantë historike për përjetësimin e ardhjes së Isa Boletinit me trimat e tij në ngritjen e flamurit. Kjo ka ndodhur në vitin e madh 1912, e prej asaj kohe vazhdoi me dhjetëra vite e vazhdon edhe sot e gjithë ditën që ajo të thërritet “Kaçanik”, edhe pse tanimë e mbushur me banesa. Gjithashtu vlen të shënojmë se rruga kryesore e lagjes “Topana”, ku kalonin në atë kohë, çdo ditë edhe luftëtarët kosovarë, prej rreth 70 e ca vitesh quhet me vendim të autoriteteve lokale të atëhershme “Isa Boletini”, ndërsa 2- 3 dhjetëvjeçarë më parë (aty nga vitet ’70), me emrin e Fatosit të Kosovës u quajt një nga lagjet e reja më të mëdha të qytetit të flamurit. Kështu, Isa Boletini erdhi në Vlorë para 95 vitesh, por ai vazhdon të jetë atje me rrugën dhe lagjen që mbajnë emrin e tij, por veçanërisht me toponimin mitik “Kaçanik”.

Emri i Isa Boletinit, bashkë me atë të Ismail Qemalit, jetojnë në këtë qytet prej 95 vjetësh, por ata do jetojnë edhe 195 e shumë e shumë vite të tjera, bashkë me emrat e të gjithë atyre patriotëve që u përpoqën për shpalljen e pavarësisë, deri sa të jetojnë shqiptarë në Vlorë, Prishtinë, Tetovë, Ulqin e kudo ku do të rrojnë njerëzit që i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Këto gjëra më erdhën në mendje tani duke vështruar këtë fotografi të vjetër, të çmuar, ende pa emër autori. Tani, kur ndodhem me mijëra kilometra larg fizikisht nga Shqipëria dhe sidomos nga Vlora, qyteti, ku si fëmijë, i ri dhe burrë, kam pritur e përcjellë dhjetëra herë me gëzim e dashuri ditën e madhe të 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit. QERIM VRIONI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *