Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, shumë të huaj morën pjesë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Italia e Franca kishin ardhur për ta ndihmuar UÇK-në. Por pak janë ata që e dinë se në ndihmë UÇK-së i doli edhe një japonez.
Japonezi, i cili njihej vetëm me emrin Kokimura, kishte përdorur teknika të luftës tradicionale japoneze, duke përdorur thika e shpata. E kështu e kujton edhe Asllan Shala.
“Briska, shpata, thika. Këto i ka pasur. Në atë kohë nuk i interesonte kallashi”,- tha Shala.
Fillimisht, Kokimura kishte ngjallur dyshime por ai që kur kaloi kufirin Kosovë-Shqipëri, kishte treguar aftësitë e tij ushtarake.
Japonezin i cili luftoi për Kosovën e kujton edhe Sabit Gashi, ish-komandant i policisë ushtarake të UÇK-së në zonën e Pashtrikut i cili edhe ka shkruar libër për të, të cilin e titulloi ‘Japonezi’. Madje Gashi kujton edhe fjalët e tij.
“Sa më shumë që marrim pjesë në luftëra, ne e kemi respektin më të madh atje, na radhiten më shumë grada”, citohet të ketë thënë japonezi.
Ushtari japonez misionin e kishte përfunduar pas plagosjes në betejën e Kleçkës, ku nga aty u dërgua në Shqipëri për shërim, e më pas në Japoni. Që nga ajo kohë, nuk ka asnjë informatë për të.