Mbretëria e Bashkuar është larguar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, duke i dhënë fund anëtarësisë 47-vjeçare në bllokun europian, duke e lënë atë me 27 anëtarë.
U deshën më shumë se tre vjet që të kërkesa për ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja të realizohej, votimi i së cilës u bë me referendum.
Momenti historik i cili ndodhi në orën 23:00 GMT, u shoqërua nga festime por edhe nga protestat anti-Brexit.
Në Skoci ky vendim u prit me dëshpërim, pasi ata votuan pro qëndrimit në BE, ndërsa ata që kërkoni largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga unioni, nisën festimet në Sheshin e Parlamentit në Londër.
Kryeministri Boris Johnson u zotua se do ta çojë vendin përpara.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale një orë para largimit të Mbretërisë së Bashkuar, ai tha:
Për shumë njerëz ky është një moment shprese, një moment që ata menduan se nuk do të vinte kurrë. Dhe natyrisht që ka shumë të tjerë që kanë një ndjenjë ankthi dhe humbjeje. Dhe, natyrisht, ekziston një grup i tretë, mbase më i madhi, i cili kishte filluar të shqetësohej se gjithë grindja politike nuk do të merrte fund kurrë. Unë i kuptoj të gjitha këto ndjenja dhe puna ime dhe e qeverisë që drejtoj, është ta mbledh këtë vend tani dhe ta çojë përpara. Për të gjitha pikat e saj të forta dhe për të gjitha cilësitë e saj të admirueshme, BE ka evoluar mbi 50 vjet në një drejtim që nuk i përshtatet më këtij vendi. Gjëja më e rëndësishme për të thënë sonte është se ky nuk është një fund por një fillim, dhe një moment i rinovimit dhe ndryshimit të vërtetë kombëtar”.
Pas largimit nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar do të konsiderohet nga unioni europian si një shtet i tretë dhe përfaqësimi i saj i përhershëm në këtë bllok, do të shndërrohet në mision të jashtëm.
Mbretëria e Bashkuar pas këtij vendimi do të hyjë në një periudhë tranzitore, e cila do të zgjasë 11 muaj, ku do të vijojë të zbatojë rregullat e BE-së, por nuk do të përfaqësohet në institucionet e unionit.
Vendimi për largimin e Britanisë nga blloku europian erdhi pasi 52% e qytetarëve britanikë votuan pro daljes nga Bashkimi Europian, ndërsa 48% e kundërshtuan në referendumin e mbajtur në vitin 2016.