Biseda me përkthyesin e Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore në Moskë në nëntor 1960 arrin kulmin në këtë pjesë të tretë të ciklit që po botohet ekskluzivisht në “DITA”.
Pasi e dimë rrjedhën e ngjarjeve deri në atë moment, mund të merret lehtësisht me mend atmosfera në Kremlin.
Në mënyrë artistike atë e ka shprehur Ismail Kadare në romanin e tij “Dimri i vetmisë së madhe”.
Myfit Mushi mban mend gjithçka sikur të kenë ndodhur dje, pavarësisht se kanë kaluar afro 60 vjet.
Por, pavarësisht se ai i ka të shkruara një pjesë të madhe të kujtimeve të tij për atë ngjarje, ka dëshirë të flasë dhe rrëfimin e tij e shoqëron edhe me gjeste.
Përgatiti botimin Xhevdet Shehu
Në çdo hap e në çdo moment gjatë atyre ditëve të qëndrimit në Moskë ne ishim të përgjuar, ndaj dhe ishim tepër të kujdesshëm në bisedat që bënim – tregon Mushi dhe shton:
“Mbaj mend se në takimin me Hrushovin para se të fliste Enveri në mbledhjen e madhe, në një moment, Hrushovi për të zbutur situatën e tensionuar, tha: “Ju kemi trajtuar si vëllezër. Pse na e shpërbleni kështu?”
Enveri i tha: Mirë, po vëllezërit nuk përgjohen…
Hrushovi: Nga e dini ju këtë. Nuk është e mundur.
Enveri: E po, specialistët tanë shkollën tuaj kanë bërë…
Të gjithë ne e dinim që përgjoheshim në çdo moment. Mbaj mend kur na mbërriti një material i gjatë i rusëve në vilën ku banonim dhe Enveri më tha ta lexoja menjëherë, pasi nuk kishte kohë për ta përkthyer fjalë për fjalë. Pasi e lexova, shkova tek Enveri.
Ai pa më thënë asnjë fjalë më tërhoqi në korridor dhe shkuam poshtë shkallëve të drunjta që ngjiteshin në katin e dytë dhe me zë të ulët më tha t’i tregoja shkurtimisht përse bëhej fjalë në atë material. Po për jugosllavët, çfarë thonë? Shtoi ai. Me sa dukej, aty poshtë shkallëve nuk kishte përgjues…”
Në sallën Georgievskaja
I kërkoj Myfit Mushit të më tregojë ndonjë episod apo detaj të patreguar nga mbledhja e madhe dhe, ai, pasi mendohet pak, rifillon:
Mbledhja e rëndësishme filloi më 10 nëntor dhe sikurse dihet fjalimin e parë e mbajti Hrushovi. Pas tij e morën fjalën udhëheqës të partive vasale të Moskës që mbështetën Hrushovin. Por gjithë meraku ishte te qëndrimi i PK të Kinës dhe PPSH që do të flisnin më pas dhe që i kishin shfaqur hapur divergjencat e tyre me PK të BS.
Prandaj dhe u organizua ai takim i Enverit me Hrushovin në Kremlin më 12 nëntor, me qëllim që të bëheshin të gjitha përpjekjet për t’i ndryshuar mendjen Enverit deri në momentet e fundit. Por të gjitha takimet që u bënë rezultuan të pafrytshme…
Enver Hoxha e mbajti fjalimin e tij në mbledhjen e 81 partive më 16 nëntor. Dihet përmbajtja e atij fjalimi, të cilin e ka lexuar në rusisht nga kabina Gjerasi. Nuk po zgjatem në ato që tha Enveri në fjalim, 8pasi dihet se iu kundërvu shumë ashpër vijës sovjetike që shpalosi Hrushovi. Dua të them se për atë fjalim është punuar ditë e natë deri në momentin e fundit. Vini re, aty sillen fakte dhe detaje nga takimet që u bënë me udhëheqjen sovjetike dhe me vetë Hrushovin para se të mbante fjalimin Enveri.
Llogarit që krahas me përgatitjen e fjalimit në shqip, bëhej përkthimi në rusisht e gjuhë të tjera. Përgjegjësia ishte e jashtëzakonshme për çdo fjalë që nxirrje nga goja…
Në atë fjalim bëhet fjalë për qëndrimin e Hrushovit në marrëdhëniet me perëndimin, me Jugosllavinë, për figurën e Stalinit, gabimet në mbledhjen e Bukureshtit dhe sidomos qëndrimi armiqësor ndaj Partisë Komuniste të Kinës. Nuk mund të thuhen të gjitha këto me pak fjalë. Është e pamundur. Enverit iu deshën dy orë të lexojë fjalimin në sallën Georgievskaja.
Dua të them një detaj nga ajo ditë. Para se të fliste Enveri, i thashë Mehmetit që kur të flasë Enveri t’i çonim një shishe ujë nga ato që mbanim në tavolinë dhe që ishin të kontrolluara. Por Mehmeti bëri një gjest sikur të më thoshte: Mos u bë merak se i dimë ne ato punë. Fakt është që Enveri foli shumë gjatë dhe gjatë gjithë fjalimit nuk piu asnjë gllënjkë ujë.
E pyes Myfitin se si u prit fjalimi i Enverit. Ai thotë:
Në Moskë atëherë bënte shumë ftohtë. Po ai fjalim sikur i zbriti temperaturat shumë gradë nën zero. Sikur plasi një bombë në sallën Georgievskaja. Të gjithë u vuvosën. Ata që kishin dhënë emrat për të folur, u tërhoqën dhe kërkuan kohë për t’i riparë fjalimet e tyre në kontekstin që ishte krijuar… Kjo ishte një situatë krejtësisht e paparashikuar. Që Enveri do të dilte kundër Hrushovit kjo pak a shumë dihej nga të gjithë, pasi pak a shumë të gjithë i kishin marrë vesh divergjencat midis sovjetikëve nga njëra anë dhe kinezëve e shqiptarëve nga ana tjetër. Ashtu kishin ardhur punët. Që në mbledhjen e Bukureshtit ishin shfaqur divergjencat midis nesh dhe sovjetikëve, por në mbledhjen e Moskës ato u shfaqën botërisht…
Drejtuesi i mbledhjes i ndërpreu punimet për të vazhduar të nesërmen…
Të nesërmen, prapë u prish rregulli. Pavarësisht se kishte folur njëherë ditën e parë Hrushovi, e mori përsëri fjalën. Ishte një fjalim i ashpër, shumë denigrues ndaj PPSH-së dhe Enver Hoxhën për fjalimin që kishte mbajtur një ditë më parë. Unë i përktheja në vesh Enverit. Fjalimin Hrushovi e kishte me shkrim dhe, në një moment, i nxehur heq syzet. Mua më kapi ankthi, sepse si edhe herë të tjera që e kisha përkthyer, e dija se kur ai hiqte syzet fliste mbarë e prapë dhe këpuste mufka të pa imagjinueshme.
E, pasi hoqi syzet, Hrushovi tha: E dini, shokë se ç’ka bërë Enver Hoxha në këtë sallë? Na lyeu me mut të gjithëve…
Unë po vonohesha në përkthim, por Enveri më tha: Vazhdo përkthe. Dhe unë i thashë: Ai tha se dje shoku Enver na ka lyer me të pëgërë të gjithëve…
Enveri vetëm sa tundi kokën si të thoshte: Nga ky pritet gjithçka tani…
Dihet se pas Hrushovit, atë ditë folën shumë ashpër kundër PPSH-së dhe Enverit Dolores Ibarruri e Spanjës, Moris Torez i Francës dhe Gomulka i Polonisë. Por mua më ka ngelur në mendje fjalimi i kryetarit të Partisë Komuniste të Birmanisë. Ai, duke iu drejtuar Hrushovit tha në thelbin e fjalës së tij: “Është i turpshëm ky sulm që po bëhet ndaj PPSH-së që po mban lart flamurin e marksizëm-leninizmit në brigjet e Adriatikut. Turp për ju, shoku Hrushov që e kini lënë pa bukë popullin shqiptar… Sikur ta dinim se populli shqiptar ishte pa bukë, unë do t’i propozoja anëtarëve të partisë sime që kuotizacionet tona të shkonin në ndihmë të Shqipërisë. Këtë do t’ua sugjeroja edhe partive të tjera motra komuniste”.
Dua të theksoj se, pas fjalimit të Enverit, Mehmet Shehu më porositi të shoqëroj në çdo hap Enverin gjatë pushimeve të seancave dhe të mos lejoj askënd t’i afrohet e t’i flasë Enverit.
Mbaj mend se në një nga ato pushime afrohet Andropovi dhe i drejtohet Enverit. Enveri bëri sikur nuk e vuri re, ndërsa shikonte tutje nga fundi i sallës. Ndërhyra dhe i thashë Andropovit se çfarë donte. Më thotë: “Kam këtë letër për ju…”dhe ma dorëzoi mua. Kur Andropovi ishte larguar, Enveri më thotë hape dhe shiko se çfarë duan. I them: Kërkojnë një takim tjetër të delegacioneve të të dy vendeve për problemet shtetërore…
Në mbarim të takimit për problemet e marrëdhënieve shtetërore midis të dy vendeve, që u zhvillua atë ditë që delegacioni ynë do të kthehej në atdhe, Mikojani i thotë Mehmet Shehut: Më vjen shumë keq shoku Mehmet kur mendoj se pasi të ktheheni në Tiranë, do ta kini pisk me popullin tuaj që ushqen një dashuri të madhe për Bashkimin Sovjetik. Më vjen keq…
Mehmeti ia kthen: Shoku Mikojan, mos u shqetësoni hiç. Unë ju ftoj zyrtarisht në Tiranë dhe të shikoni me sytë tuaj se si do të na presë populli.
“Krimi ynë është se jemi parti e vogël e një populli të varfër”
(Fragment nga fjalimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore në Moskë, 16 nëntor 1960)
Në tetor të këtij viti shoku Hrushov, me seriozitetin më të madh, u deklaroi shokëve kinezë se “ne do ta trajtojmë Shqipërinë si Jugosllavinë”. Ne ia themi këtë kësaj mbledhjeje të komunizmit ndërkombëtar, me qëllim që të shihet se sa larg po shkojnë punët, se ç’qëndrime po mbahen kundër një vendi të vogël socialist. Cili është “krimi” i Partisë së Punës të Shqipërisë që vendi ynë të trajtohet si Jugosllavia titiste? Mos vallë ne tradhtuam marksizëm-leninizmin, siç bëri klika e Titos? Apo u larguam nga kampi socialist dhe u lidhëm me qerren e imperializmit amerikan, siç është lidhur revizionizmi jugosllav?…
“Krimi” ynë i vetëm, është se në Bukuresht nuk pranuam të dënohej padrejtësisht një parti motër komuniste, siç është Partia Komuniste e Kinës, “krimi” ynë i vetëm është se ne hapur dhe në një mbledhje komuniste ndërkombëtare (dhe jo në pazar) patëm guximin të kundërshtojmë veprimin e padrejtë të shokut Hrushov, “krimi” ynë i vetëm është se ne jemi një Parti e vogël e një populli të vogël dhe të varfër, i cili sipas pikëpamjes së shokut Hrushov, vetëm duhet të duartrokasë, të aprovojë dhe të mos shfaqë mendim. Por kjo nuk është as marksiste, as e pranueshme…
Ne jemi të detyruar t’i njoftojmë kësaj mbledhjeje se në fakt udhëheqja sovjetike nga kërcënimet për ta trajtuar Shqipërinë si Jugosllavinë titiste ka kaluar në veprime konkrete. Sivjet në vendin tonë na kanë ngjarë shumë fatkeqësi të natyrës. Tërmet i madh ra te ne, në tetor pati përmbytje, por sidomos thatësira ka qenë e tmerrshme, 120 ditë vazhdimisht nuk ra një pikë shi. Gati i gjithë drithi u dogj. Popullin e kërcënonte uria. Rezervat shumë të pakta u konsumuan. Qeveria jonë i kërkoi të blinte me urgjencë bukë Bashkimit Sovjetik, duke i shpjeguar situatën shumë të rëndë. Kjo ngjau pas Mbledhjes së Bukureshtit. Ne pritëm 45 ditë përgjigje nga qeveria sovjetike, kurse për popullin kishim vetëm 15 ditë bukë. Pas 45 ditësh dhe pas disa kërkesave të përsëritura zyrtare qeveria sovjetike, nga 50 mijë tonë që i kërkuam, na akordoi vetëm 10 mijë tonë, që do të thotë 15 ditë bukë, dhe këtë sasi do të na e livronte në muajt shtator-tetor. Ky ishte presion i hapur mbi partinë tonë për t’iu përulur vullnetit të shokëve sovjetikë.
Shoku Hrushov na kishte thënë dikur: “Mos u bëni merak për bukë, atë që ju konsumoni për një vit, te në e hanë minjtë”. Minjtë në Bashkimin Sovjetik, pra, mund të hanin, por populli shqiptar le të vdiste nga uria, derisa udhëheqja e Partisë së Punës të Shqipërisë t’i nënshtrohej vullnetit të udhëheqjes sovjetike. Kjo është e tmerrshme, shokë, por kështu është…
Ju, shoku Hrushov, në datën 6 nëntor deklaruat se “shqiptarët sillen me ne, ashtu siç sillet Titoja me ne”. Ju u thatë shokëve kinezë se “ne humbëm një Shqipëri, kurse ju kinezët fituat një Shqipëri”. Dhe më në fund, deklaruat se “Partia e Punës e Shqipërisë është hallka jonë e dobët”…
Faktin që Shqipëria ecën në rrugën e socializmit dhe bën pjesë në kampin e socializmit nuk e përcaktoni ju, shoku Hrushov, kjo nuk varet nga dëshira juaj. Këtë e ka vendosur populli shqiptar me partinë e tij të Punës në krye, me luftën e tij, dhe nuk ka forcë që ta largojë atë nga kjo rrugë…