Categories
Të gjitha

Përmeti, një udhëtim në qytetin e poetëve

Intensiteti i vlerave për metër katror të këtij qyteti të vogël nuk është thjesht çështje gurësh për të gdhendur kalldrëme, mure kishash apo ura me harqe. E nuk është thjesht çështje ushqimi, qoftë edhe me shije unike. Është çështje arti, kulture, zemre. Edhe damar toke pse jo. Jo më kot të huajt ishin dashuruar pas këtij qyteti, aq sa rrugët e tij nuk mbeten kurrë bosh

Si shkohet në Përmet

Në itinerarin e thjeshtë Tiranë-Tepelenë, merrni kthesën në të majtë, aty ku tabela lexon “Përmet”, pak para se të futeni në qytetin e Tepelenës. Përmeti ndodhet në juglindje të Shqipërisë, buzë lumit të Vjosës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit, 30 km larg kufirit me Greqinë, me të cilën lidhet nëpërmjet pikës doganore ” Tre Urat “. Eshtë 70 km larg nga qendra e Qarkut dhe Prefekturës së Gjirokastrës ku bën pjesë si dhe 230 km larg Tiranës. Lumi Vjosa, që përshkon 58 km brenda rrethit, është lumi i dytë në Shqipëri për rezervat hidrike që përmban dhe krijon një luginë shumë të bukur që fillon me hyrjen e tij në Shqipëri në Çarshovë dhe e mbyll përkatësinë përmetare në kufi me rrethin e Tepelenës shkruan shqip.info .

Nëse do t’ju qëllojë ta merrni ftesën në këtë qytet në pranverë, mos e refuzoni. E nëse do të kishit dëshirë ta shijonit plotësisht bukurinë e tij, duhet ta vizitoni në maj në muajin e trëndafilave. Aroma e tyre e parezistueshme, ndjehet sapo kaloni urën e Vjosës dhe hyni në qytet, mbretëron në çdo rrugë e rrugicë, derdhet nga dritaret e shtëpive dhe nga ballkonet e mbushura plot prej amvisave përmetare, nëpër lulishtet që shpërthejnë nga ngjyrat shkruan shqip.info/ Duket se nuk kishte ku të lindte tjetër një poet si Naim Frashëri, veçse në një zonë si Përmeti, për të krijuarpoemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësia”. – “Do këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni/O vendëthit e bekuar ju mëndjen ma dëfreni”, shkruan Naimi, dhe me këtë ka parasysh përmetarët e mrekullueshëm dhe natyrën e rrallë të vendit, ku kurora e gjelbër zbukuron kryet e qytetit të vogël, ndërsa “Guri i Qytetit” është kthyer në simbol identifikues. Ndoshta jo vetëm prej bukurisë së natyrës por edhe për bukurinë e këtyre njerëzve, numri i turistëve të huaj që vizitojnë Përmetin, sidomos nga pranvera deri në vjeshtë, është shumë i lartë. Ne u ndjemë fatlumë që kishim shumë miq në Përmet dhe në fakt prej të gjithëve kishim marrë plot ftesa për ta vizituar qytetin në maj. Herët në vite, Vasoja i Hotel Alveros, kishte kohë që thoshte se nuk duhet t’ia linim rastësisë ardhjen dhe ikjen me një frymë nga qyteti, pa vizituar kishat dhe manastiret që e qarkonin, pa u hedhur deri në Hotovë, mes erës së pishave e bredhave të parkut, pa bërë një banjë kuruese në Bënjë, apo pa bërë një vizitë në Frashër, ku ndonëse shtëpia e vëllezërve rilindas është në gjendje të mjeruar, fshati është prapë i bukur dhe ka vlerë të vizitohet. Të jepet mundësia jo thjesht të shikosh rrugicat e kalldrëmta të zones së vjetër të qytetit por edhe fshatrat e vjetër, kishat sidomos, si ajo e Leusës dhe e Kosinës, në stilin e mrekullueshëm bizantin, ashefet e pasura të amvisave përmetare, mbushur plot e përplot me zahire, që kishin kaluar me sukses dimrin e gjatë e rezistuar deri në pranverën e vonë, me vazot e qelqta me gliko, turshitë e shumta dhe gatimet e famshme përmetare, të denja për një tavolinë feste me mbretëreshë rakinë dhe verën e zonës. Duket se ne ishim mysafirët e fundit që provonim shijen e këtij qyteti “qejfli”, që prej lashtësisë së dokumentuar në vite nëpër letrat e historisë. Më herët, udhëtarët e huaj si Evlia Çelebiu, F. Pukëvili, Edit Durham, etj., kanë folur me konsiderata për mikpritjen, bujarinë, pastërtinë e popullsisë përmetare.

Qyteti ka marë formën e një qyteti modern pas rregullimeve urbanistike të cilat janë kryer në vitin 1964. Ai ka një arkitekturë tipike me një shesh qëndror dhe me rrugë që zbresin nga kodrat e Bolëngës në qendër të qytetit, gjer buzë Vjosës ku ka rrugë paralele me lumin me shumë sipërfaqe të gjelbëruara e lulishte”. Përmetarët i ruajnë me fanatizëm fjalët e miqve, që përligjin mikpritjen, si të kenë frikë se mos, këtë herë miqtë nuk u kënaqën sa duhet e ata patjetër duhet të dinë se si janë pritur miqtë në vite. Mirëpo ne nuk kishim nevojë për konfirmimet e Çelebiut apo fjalët e bukura të Edit Durham, sepse asgjë nuk kishte ndryshuar, as shija e mikpritjes, as shija e ushqimeve e as bukuria e natyrës. Edhe trëndafilat shekullorë, po aq mahnitshëm ishin harlisur sikundër kishin bërë edhe kur kishte kaluar aty “Krajlica e Shqiptarëve”, siç e kanë quajtur malësorët shqiptarë udhëtaren Durham.

“Qyteti i Përmetit është sinonim i një qyteti me një mikpritje të rrallë, qytet i luleve, i këngëve popullore, lirike me saze, qytet i verës e rakisë dhe glikove tipike e unikale si ajo e arrës, kumbullës, kajsisë, etj”, na thotë Denada, që u bë vite tashmë që merret me turizmin, si bashkëpunëtore në shumë projekte të mbështetura prej shoqatës “Pro Përmet”. Edhe qyteti brenda ka bukuri, ndonëse është i vogël, ka rrugica karakteristike me kalldrëm dhe shtëpi me arkitekturë të veçantë, ndërsa në periferi ka disa ura tipike me harqe, ndërtime të shek. të XVIII-të, si ajo e Katiut, Bënjës etj.,por ka edhe natyrë të mrekullueshme përqark në të gjithë zonën. Është mëkat të mos e vizitosh të paktën një herë një qytet si Përmeti.

Gjithë treva e tij është kulturëdashëse”.Denada ka filluar ta dojë shumë këtë punë që bën, për shkak se sa më shumë futet thellë në histori e në vlera të kësaj zone, aq më shumë gjëra të bukura gjen. Në qytet e rreth tij ka shumë objekte monumente kulture si kisha postbizantine e Shënepremtes e Leusës, Kosinës, Bualit, Bënjës etj. Ne e dinim që edhe disa ditë nuk do të na mjaftonin për të vizituar gjithë ç’kishim dëshirë të vizitonim, sepse koha nuk mjaftonte për të marrë në këmbë kanionet e Bënjës e të Lengaricës, por edhe fshatrat e bukur përmetarë ishin shumë e nuk mund t’i vizitonim të gjithë. Dëshirën e kishim për në Frashër, meqë donim të vizitonim edhe shtëpinë e vëllezërve të mëdhenj. Por edhe deri në Kosinë do të hidheshim për të admiruar kishën e stilit bizantin të Shën Mërisë shkruan shqip.info. Nuk të çudit aspak fakti që ky vend i vogël është vendlindja e pishtarëve të Rilindjes Kombëtare vëllezërve Frashëri, e dhjetra dijetarëve, studjuesve, artistëve në fushën e pikturës, skulpturës, historisë, gjuhësisë, muzikës popullore, etj., si Dora D’Istria

(Elena Gjika), Odise Paskali, Janaq Paço, Fatmir Haxhiu, Tefta Tashko, etj. Dhe kur i shkel vetë me këmbë këto vende, e kupton se intensiteti I vlerave për metër katror të këtij qyteti të vogël nuk është thjesht çështje gurësh për të gdhendur kalldrëme, mure kishash apo ura me harqe. E nuk është thjesht çështje ushqimi, qoftë edhe me shije unike. Është çështje arti, kulture, zemre. Edhe damar toke pse jo. Jo më kot të huajt ishin dashuruar pas këtij qyteti, aq sa rrugët e tij nuk mbeten kurrë bosh. Në çdo moment që të kalosh nëpër qendrën e vogël, do të gjesh miq të huaj

që kalojnë e që do të të thonë miqësish me dorë të ngritur: “Hello!”, apo “Ciao”, të ndikuar drejtpërdrejt prej buzëqeshjes së përhershme dhe entuziazmit

të banorëve mikpritës. Atyre mund t’u kishte qëlluar vërtet një herë në jetë. E sitë mos buzëqesheshim ne, që kishim mundësinë të ktheheshim e riktheheshim, për të admiruar pafundësisht bukuritë e shumta dhe mikpritjen e paharrueshme të këtij vendi të vogël.

Përshkrimi gjeografik

Rrethi i Përmetit ndodhet në juglindje të Shqipërisë. Ka një sipërfaqe prej 929 km2, ose 3,2 % të sipërfaqes totale të vendit. Rrethi i Përmetit është një nga tre njësitë që bëjnë pjesë në Prefekturën e Gjirokastrës së bashku me rrethin e Tepelenës dhe atë të Gjirokastrës. Rrethi i Përmetit kufizohet në veri nga rrethi i Skraparit dhe i i Korçës, në perëndim nga rrethi i Beratit dhe nga ai i Tepelenës në jug- perëndim, në lindje me rrethin e Kolonjës dhe në jug me rrethin e Gjirokastrës dhe Greqinë. Tokat më tipike në rrethin e Përmetit janë ato të kafenjta malore, tokat livadhore të kafenjta, tokat e hirta kafe, tokat e hirta kafe livadhore dhe në zona shumë të kufizuara si në Ballaban, Sukë, Katundishtë tokat pak aluvionale. Rrethi i cili shtrihet rreth luginës së lumit Vjosë me një sipërfaqe të kufizuar lugine me një lartësi duke filluar mbi 280 metra mbi nivelin e detit dhe me një terren kodrinor e malor mbi 2485 metra mbi nivelin e detit Lumi kryesor i zonës është Vjosa, e cila e ka burimin në Greqi dhe e përshkron rrethin e Përmetit në gjatësinë 58 km. Ai përbën edhe aksin kryesor të organizimit të tij dhe si fillim lidhës e komunikues me zonat përreth. Lumi Vjosa konsiderohet si një lumë i palundrueshëm me gjithë energjinë e madhe dhe shtratin e thellë të saj. Në rrjetin hidrografik të rrethit, bën pjesë edhe lumi i Osumit i cili kalon rrëzë fshatrave Koblarë dhe Gostomickë (komuna Frashër) shkruan shqip.info. Rrjedhja e këtij lumi shërben si kufi natyror me rrethet e Korçës dhe Skraparit. Një ndër lumenjtë e tjerë dhe i dyti për nga gjatësia është Lengarica 36 km. Pranë fshatit Bënjë (14 km larg qytetit të Përmetit) burojnë ujërat termale të njohura me emrin Banjat e Bënjës. Këto ujëra kanë veti curative për sëmundjet e lëkurës, stomakut, dhe reumatizmës. Të tjerë lumenj që mund të përmendim në këtë rreth janë: Sarandaporo, Lumi i Çarshovës i gjatë 19 km që buron në malet e Kolonjës, Lumnica, i gjatë 28 km pranë fshatit Piskovë. Zalli i Dëshnicës, i gjatë 28 km derdhet në Këlcyrë. Lumi i Zagorisë i gjatë 13 km, i cili kalon në zonën e Malëshovës dhe derdhet po në grykën e Këlcyrës.

Relievi dhe Klima

Rrethi i Përmetit kufizohet në very nga rrethi i Skraparit dhe i i Korçës, në perëndim nga rrethi i Beratit dhe nga ai i Tepelenës në jug- perëndim, në lindje me rrethin e Kolonjës dhe në jug me rrethin e Gjirokastrës dhe Greqinë. Zona shtrihet midis dy masivëve malorë të rëndësishëm atij të Dangëllisë në veri-lindje dhe vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë në jug-perëndim. Vargmali i Dangëllisë ka një gjatësi prej 56 km dhe pikë kulmore ka malin e Qelqes, ndërsa vargmali Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë ka një gjatësi prej 60 km ku 20 km i përkasin masivit të Trebeshinës. Ky vargmal ka si pikë kulmore malin e Gotakut 2485 metra të lartë shkruan shqip.info/. Rrethi I Përmetit ka një klimë mesdhetare klasike: temperaturat mesatare variojnë në dimër 10-12 gradë celcius dhe 25- 28 gradë celcius në verë.

Gryka Këlcyrës

Turizmi

Sektori i turizmit është një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të rrethit. Në fushën turistike rrethi i Përmetit ka shumë mundësi sidomos në zhvillimin e turizmit të gjelbër dhe atij kulturor. Në zhvillimin e turizmit ndikojnë: Situata gjeografike dhe klimaterike e favorshme. Zona malore e rrethit ka hapësira të mëdha e të virgjëra që mund të shërbejnë si zona për shëtitje dhe alpinizëm. Klima mesdhetare, dielli dhe temperaturat e larta mesdhetare janë shumë të favorshme për zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Mjedisi natyror i mbrojtur, pasuria historike dhe ndërtimore nga mungesa e mjeteve financiare, të 98 fshatrat që përbëjnë rrethin kanë ruajtur një arkitekturë tradicionale (shtëpi të ultëa prej guri me çati prej pllakash guri) shumë të vlerësuara prej turistëve të huaj. Popullsia mikpritëse është e gatshme për të pritur miq dhe për ti ofruar atyre një pjesë të madhe të produkteve që ata i prodhojnë vetë.

Bredhit i Hotovës

Bredhi i Hotovës gjendet në zonën e Frashërit 25-35 km në verilindje të Përmetit me një sipërfaqe prej 1200 hektarësh. Ky park konsiderohet si kurora e gjelbër, që tërheq menjëherë syrin e vizitorëve. Kushtet klimatike janë të favorshme në zhvillimin e florës dhe faunës. Bimët fillojnë 900 metra mbi nivelin e detit me shkurre mesdhetare përherë të gjelbra dhe dushqe gjetherënës me manaferra të kuqe, dëllinje dhe barrëra të llojeve të ndryshme që i rrethojnë. Turizmi malor, eskursionet dhe kampingjet nuk i mungojnë kurrë këtij parku, jo vetëm nga banorët e Përmetit por nga i gjithë Ballkani e Europa shkruan shqip.info/. Në vitin 1996 ky bredh u  themelua si park kombëtar.

Bredhi i Petranit

Bredhi i Petranit gjendet ne luginën e sipërme të Vjosës, Petran-Carçovë dhe ka një sipërfaqe prej një hektarë. E veçanta është se bredhat janë rritur dhe zhvilluar në një zonë jashtë aorealit të përhapjes së bredhave.

Ujrat Termale të Bënjës

Këto njihen me emrin banjat termal  të Bënjës dhe ndodhen 14 km larg qytetit të Përmetit. Në komunën Petran, gjenden 6 burime në rrëzë të shkëmbinjte masivë, në të dy anët e lumit Lengaricë shkruan shqip.info/ . Rruga për të shkuar në këto monumente natyrore është nëpërmjet itinerarit automobilisitik Përmet-Petran-Bënjë. Ujrat me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese nga të cilat 4 burime përdoren

për sëmundje kronike të reumatizmës, një tjetër për sëmundjet e stomakut , dhe i fundit për sëmundjen e lëkurës. Ujrat termale të Bënjës kanë një temperaturë prej 26-32 gr celsius./shkruan shqip.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *