Categories
Gatime Tradicionale

Përsheshi me Pulë

Përsheshi me pulë është një ndër gatimet më të shijshme, autentike të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Një traditë e vjetër kjo, ku prej dekadash me radhë vijon të mbizotërojë në familjet shqiptare në festa e gëzime familjare.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tradicionale të gatuara nga amvisat shqiptare, atë të përsheshit me pulë.

Përgatitja e Përsheshit me Pulë

Si fillim vendosim pulën të ziejë në një tenxhere me ujë dhe kripë. Kur mishi i pulës të jetë gati, lëngun e saj e ruajmë mënjanë pasi do përdoret për përgatitjen e përsheshit.

Ndërkohë nisim përgatitjen e kulaçit, për të cilin do të duhet 1 kg miell, 1 lugë çaji sodë buke, dy vezë, kripë dhe ujë i vakët.

Nisim përgatitjen e brumit duke hedhur miellin në një tepsi. Bëjmë një gropë në mes dhe hedhim, kripën, sodën dhe vezët.

Kulaçi

Brumin e punojmë me dorë deri në momentin që masa do të bëhet kompakte por jo shumë e ngurtë.

Përmes furçës së gatimit lyejmë një tepsi me pak vaj dhe shtrojmë brumin.

E fusim në furrë dhe e pjekim derisa në sipërfaqe të marrë një ngjyrë të artë në të kuqërremtë.

Më pas e nxjerrim nga furra dhe e mbështellim me një pecetë kuzhinë, e vendosim mbi një pjatë dhe e lëmë që të kullojë.

Përsheshi

Për përgatitjen e përsheshit baza është kulaçi i thërrmuar dhe lëngu i pulës.

Gjithashtu do të duhen 4-5 qepë të njoma, gjalpë ose vaj ulliri, kripë dhe nenexhik.

Në një tenxhere shtojmë vajin e ullirit dhe pak gjalpë, shtojmë qepët e njoma të grira hollë. I kavërdisim derisa volumi i tyre të bjerë.

Kulaçin të cilin e kemi thërrmuar më parë në copëza të vogla e shtojmë në tiganin ku kemi qepët dhe e kavërdisim pak.

Më pas, AgroWeb.org ju këshillon që nga pak të hidhni lëngun e pulës derisa sipërfaqja e kulaçit të jetë mbuluar. Shtoni erëzat dhe kripën. Përsheshin mbulojeni me kapak derisa lëngu të ketë avulluar dhe të jetë bashkuar me kulaçin.

Përsheshin e shërbejmë të ngrohtë, të shoqëruar me një copë nga mishi i të pulës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *