Figura e papërsëritshme dhe e jashtëzakonshme e Pjetër Bogdanit përbën një nga stacionet më të mëdha dritëdhënëse të kulturës shqiptare në të gjithë shekujt.
Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por me sa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane, si dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin XVII.
***
Kam vite që e studioj Pjetër Bogdanin, librin e tij epokal “Çeta e profetëve”, kam vite që shfletoj relacionet e tij të botuara në vëllime të mëdha të nxjerra nga arkivat e Vatikanit dhe të Kongregacionit të Shenjtë. Janë mijëra e mijëra faqe që përbëjnë eposin bogdanian. Aty ka të dhëna për historinë, kozmologjinë, teologjinë, poezinë e stilistikën, teorinë e metaforave dhe të interpretimeve tekstologjike, gjeografinë dhe antropologjinë.
Rëndësia e Pjetër Bogdanit si poet është pa një të dytë në letrat shqipe. Ai është krijuesi i ciklit unikal të quajtur “Cikli i Sibilave” që përmban profecitë e vajzave pagane të njohura si parathënëse të ardhjes dhe triumfit të Mesisë, d.m.th. Krishtit. Vetëm me “Ciklin e Sibilave”, Pjetër Bogdani ka hyrë përfundimisht në panteonin e poezisë shqipe. Ky cikël i mrekullueshëm është ndërtuar mbi strukturën e alegorisë dhe poezisë transcedentale. Ky cikël është një unitet më vete dhe në llojin e vet për nga moderniteti dhe plotfuqishmëria e të shprehurit mund të hyjë tek ciklet më të mëdha poetike të krejt poezisë evropiane baroke të shekullit XVII.
***
Shekuj më vonë vetëm Fan Noli krijoi një cikël gjithashtu unik me motive ëngjëllore të Testamentit të Ri. Por në letrat dhe relacionet e Bogdanit ka të dhëna të paçmuara për poetët më të mëdhenj të Antikitetit sidomos për Homerin dhe Virgjilin pa harruar këtu ndikimin e plleshëm të vetë Dantes në strukturat konceptuale të shkrimit të Bogdanit.
***
Bogdani është një poet poliglot. Ai shkruan mrekullisht në disa gjuhë të mëdha si p.sh në latinisht, në hebraisht, në arabisht, në italisht si dhe në gjuhën shqipe.
***
Dua të kumtoj një kryevepër poetike që ndodhet në një nga letrat e tij të vitit 1681. Eshtë fjala për një krijim të fuqishëm të shkruar nga Bogdani në latinisht prej 28 vargjesh që mund të konsiderohet me plot gojën një çudi poetike e vërtetë. Kjo kryevepër e poezisë konceptuale e Bogdanit është 4 vjet më përpara se sa ai të botonte kryelibrin e tij “Çeta e profetëve” në bilingue, në shqip dhe italisht. Duke lexuar tekstin e letrës së Bogdanit mësohet se ai ka disa shqetësime nga njerëz të afërt të tij që madje shpifin dhe spiunojnë tek eprorët e Vatikanit. Bogdani shprehet se do të qëndrojë fort në parimet e tij morale dhe nuk do të përkulet as nga cmira dhe as nga opinionet negative. Ai thotë se i frymëzuar në meditimet e tij gjatë qëndrimit në qytetin Riolo, ka shkruar poezinë në latinisht të quajtur “Mundus eversus”, d.m.th. “Bota ndryshe”, ose e kundërt. Poezia është në një latinishte humanistike mesjetare dhe paraqet vështirësi në përkthim. Po jap për herë të parë për lexuesin shqiptar të përkthyer në shqip këtë poemë në latinisht të Bogdanit.
MUNDUS EVERSUS ‑ BOTA NDRYSHE
Po kështu mund të quhet bota e kthyer mbrapsht
E gjitha bota e rruzullit (‑ e kundërta),
Qingji është qingj, por barinjtë mund të jenë
Ata që s’duan që ta ruajnë, (‑ e kundërta),
Ujku lakmitar i rrëmben, i shqyen, (‑ e kundërta),
I sëmuri kërkon të fuqizohet tek i shëndoshi,
I marri e quan të çmendurin të ditur, (‑ e kundërta),
Njeriu shihet veç si kundërshtar i pabesë,
I mohohet falja dhe mëshira e denjë,
Kur kryen hakmarrje pa kuptim gjoja ka të drejtë?
Ai pra që mpiks aftësitë e njerëzve,
Çdo lloj krimi kryen dhe u quajtka i mirë?
Nuk e kaloka jetën pa lavdi? (‑ e kundërta).
Ai që shet gruan, bijtë dhe bijat e tij,
Burri që e ndan gruan e vet të ndershme
Dhe për çdo lloj shpagimi mizor krenohet,
Ai që gjoja e ndrydh seksin si asket me kast,
Lirinë dhe skllavin i bën hallka të djajve,
Dhe këtë e shpall si paqe… dhe si virgjëreshat turke
Që humbin dyfish në harem dhe trupin dhe shpirtin
I gëzohet madhështisë, siç gëzon i pasuri fodull
Që duke kapërcyer varfërinë e sheh të pëlqyer
Të qenurin në dukje i varfër, dhe e kërkon këtë
Si mëndjemadhi gjoja përkorjen dhe përulësinë.
Po kështu gjoja futet në çetën e të fortëve,
Ai që për të ngacmuar forcat
E një populli të dobët dhe pa shpresë
I jep fitimtarit një palmë pleshtash.
Kjo është bota e kthyer mbrapsht, (‑ e kundërta).
Poezia e mësipërme është e ngritur mbi simetrinë dhe njëkohësisht asimetrinë e ironisë dhe të kundërvënieve. Kjo poezi në shqip dhe latinisht meriton të përfshihet në çdo lloj antologjie serioze me kërkesa të larta estetike.
***
Mund të thuhet që një poezi të tillë nuk e ka deri më sot asnjë krijues shqiptar. Kjo poezi është një klithmë humaniste, kundër dhunës dhe hipokrizisë. Bota ndryshe. Kjo poezi është një substancë mesianike për të gjithë ne shqiptarët. Kjo poezi të kujton për nga forca Xhon Miltonin anglez të “Parajsës së humbur”, por dhe diçka nga stili stigmatizues dhe rebel i Shekspirit. Që nga skaji i para katër shekujve Pjetër Bogdani e ka lënë të pashlyeshme dëshminë e tij testamentale.
***
Askush nuk e ka studiuar seriozisht Pjetër Bogdanin si poet. Ai ka disa rrafshe të çuditshme të poetikës. Rrafshi i parë ka të bëjë me një antologji poetike shumëgjuhëshe të autorëve bashkëkohorë, që kanë njohur nga afër Bogdanin, që i kushtojnë atij një nderim të përkorë këngëdiellëzues, intim dhe apologjik. Janë gjithsej 17 poezi përkushtimore në gjuhët latine, italisht, kroatisht dhe shqip. Nga poetët shqiptarë në këtë antologji janë: Lukë Bogdani dhe Lukë Suma. Poezitë e i kanë të rimuara mjeshtërisht, strofike dhe reflektojnë tetë-rrokëshin popullor. Këto poezi i ka studiuar bogdanologu dr. Engjëll Sejdaj. Poezitë e tjera janë të mrekullueshme, sipas një stili, ku gërshetohet kultura humaniste e antikitetit, me një krishtërim gjithahstu të humanizuar. Poezitë e vlerësojnë lart Pjetër Bogdanin. Kështu, në një poezi P.Likeardi bën një krahasim midis Gjergj Kastriotit dhe Pjetër Bogdanit:
“Trimëria dhe mirësia e Gjergj Kastriotit,
dhe e Pjetër Bogdanit gjithë botës i është njohur,
Skënderbeu në luftë bëri vepra të mëdha,
kurse Bogdani në fushën e dijes”.
Në të vërtetë, shqipërimi i këtyre poezive nga dr. Engjëll Sejdaj ka probleme të saktësisë. Dr. Anila Omari, ka dhënë një ribotim të ri, një përkthim më të përpiktë dhe më të saktë. S.Antoni ka shkruar 90 vargje të një niveli të lartë. Ai ishte drejtor i shtypshkronjës së Padovës. Ai shkruan: “Ja çfarë drite si vetëtima – ajo porosi flakëruese nga filli i kaltër – nga ana e majtë një sihariq. Disa poetë kroatë si M.Tomaseu dhe një tjetër P.Riter (1652-1713), kanë shkruajtur kryeveprat poetike. Hera e parë që në kulturën kombëtare shqiptare, kemi një antologji të tillë, e cila meriton të botohet më vete. Me emrin e Pjetër Bogdanit lidhet krijimi i institucionit të antologjisë poetike. dhe kjo nuk është pak.
***
Rrafshi kryesor janë poezitë origjinale të Pjetër Bogdanit në gjuhën shqipe, atë që ne e kemi quajtur Cikli i Sibilave. Ky cikël, ka një ikonografi të mrekullueshme, ilustrohet nga një grafikë e jashtëzakonshme ku tregohen figurat mrekullore të Sibilave. Figura kryesore është figura e Sibilës Delfika, që Bogdani e quan Hasiania (pra nga Hasi, vendlindja e tij), e cila mban në duar një libër të hapur, kurse në sfond duket peisazhi kështjellor dhe arkitekturor i Hasit. Figurat e Sibilave të tjera janë gjithashtu të shoqëruara me përcaktime të çuditshme. Kështu, Sibila e Prizrenit, Sibila e Shkodrës, Sibila e Shkupit, Sibila e Lezhës, Sibila e Zadrimës, Sibila e Kosovës, kanë përkatësisht emrat Sibila Kumea, Sibila Libika, Sibila Persika, Sibila Frigia, Sibila Tiburtinë, Sibila Samia dhe Sibila Eritrea. Pse ka ndodhur ky ekuacion i çuditshëm? Asnjë dijetar nuk mund ta thotë saktësisht? Pse Pjetër Bogdani i shqiptarizon Sibilat? Të vërtetën e di vetëm ai. Vetëm ky trill dijetor, është i mrekullueshëm dhe unikal. Askush nuk e ka bërë më parë dhe askush nuk do ta bëjë më pas.
***
Një rrafsh tjetër shumë i rëndësishëm poetik i Pjetër Bogdanit ka të bëjë me përkthimet e tij nga latinishtja dhe italishtja, nga greqishtja e vjetër. Kështu, ai përkthen vargje nga Homeri, nga Virgjili, Juvenali, madje dhe nga dijetarë të mëdhenj të kishës në Mesjetën e hershme. Edhe këto meritojnë të botohen në një libër të veçantë.
***
Një tjetër rrafsh i pavënë re nga studiuesit, ka të bëjë me poezi dhe proza poetike, të cituara në gjuhët hebraike, siriake, si edhe arabe. Dr. Engjëll Sejdaj ka bërë një përkthim të lirë të tyre. Të gjitha këto meritojnë të paktën një trajtim të veçantë. Pjetër Bogdani ka njohur një numër të madh gjuhësh të gjalla dhe të vdekura. Ajo që më ka çuditur, është se ai citon në gjuhën arabe, një pjesë nga libri i Danielit, nga Testamenti i Vjetër, kapitulli IX. Përse e ka bërë këtë gjë Bogdani? Përse në librin e Bogdanit, janë gjuhët kryesore të Perëndimit, por nuk janë harruar edhe gjuhët kryesore të Lindjes? Ai i përket racës titane të poligrafëve të Rilindjes Evropiane. Ai ka dashur që libri i tij të bjerë në duart e lexuesve të planetit dhe secili diturak, të gjejë diçka për të lexuar. A nuk është kjo një ambicie e hatashme dhe një largpamësi gati e pamundur?
***
Ende nuk është shkruajtur historia e artit dhe stilit barok në Shqipëri. Po nuk janë që të gjithë Keneth Klark. Kush ka lexuar Keneth Klarkun, vetëm mund të tronditet. Kush nuk e ka lexuar, mund të jetë gjithë jetën indiferent. Stili barok, shkëlqen me Pjetër Budin, por stili barok arrin kulmin e tij zenitor me Pjetër Bogdanin.
***
Megjithatë, qëllimi kryesor i këtij shkrimi, ka qenë paraqitja e kryeveprës poetike “Bota ndryshe”. A nuk ka një fuqi apeluese të jashtëzakonshme ky togfjalësh i tmerrshëm dhe jetik?