Plot 17 futbollistë, nga 25 në total të grumbulluar nga përfaqësuesja Shpresa, luajnë jashtë vendit tonë. Në prag të përballjeve kualifikuese për kampionatin europian të U21 muajin tjetër, trajneri i Kombëtares Alban Bushi ka bërë disa ndryshime, ku spikatin gjithashtu 3 lojtarë nga skuadra e Shkëndijës, shqiptarët që fituan titullin në Maqedoni.
“Kjo është ndeshja e tretë. Ne duhet patjetër të marrim një rezultat pozitiv, pasi largohemi nga objektivat përndryshe. Mundësitë do të jenë të barabarta në këtë ndeshje. Ekipin e Turqisë e njohim, është një ekip që luan mirë futboll dhe kemi një pasqyrë më të saktë pas ndeshjes së parë. Kemi një problem, mungesën e 5 lojtarëve që ishin ndeshjen e parë, si Bajramaj, Mucolli, Ademi, Kryeziu për shkak dëmtimi, si dhe Selmani, që këtë radhë do të jetë me ekipin e parë si herën e shkuar. Në Turqi do të mundohemi si gjithmonë të luajmë mirë, pastaj rezultati është çështje fati”, tha Alban Bushi, trajner i Kombëtares U21.
Përballja e kuqezinjve të vegjël me Turqinë do të luhet më 7 qershor.
“Në bashkëpunim me trajnerin Reja, disa futbollistë të U21-shit po stërviten me një pjesë të futbollistëve të ekipit A. Trajneri Reja ka një mendim shumë pozitiv për disa futbollist të U21-shit, ndaj është një motiv i madh. Shpresoj të rikuperohet Kryeziu, pasi është dëmtuar në stërvitje me ekipin A. Kur të thërret Kombëtarja, motivimi është shumë i lartë”, tha Bushi.
Pas Turqisë për Europianin, do të luhen dy ndeshje miqësore ndaj Uellsit U21 në vendin tonë, në datat 9 dhe 11 qershor.