Vallet në qytetin e Shkodrës janë një ndër dukuritë e spikatura të folklorit tonë muzikor. Në qytetin e Shkodrës valet këndoheshin sidomos në prag të pranverës, në dasma, në gëzime, në festa të ndryshme familjare e shoqërore.
Saktësojmë se në këtë qytet, valet nuk kërceheshin, nuk luheshin, nuk vallëzoheshin, por vetëm këndoheshin. Pra, vetëm emërtimi “valle”këtu ka kuptimin e këngës. Por kishte edhe valle që këndoheshin e kërceheshin në të njëjtën kohë. Një grup djemsh ose burrash, të kapur sup më sup, formonin një rresht të drejtë. Me hap të theksuar ata ecnin para rreth 6 hapa, derisa arrihej te rreshti I grave, të cilat qëndronin në anën tjetër, gjithashtu të radhitura. Porsa mbaronin vargun, djemtë ktheheshin prapa duke përsëritur rreshtin e këngës që kishin filluar. Të njëjtat veprime kryenin edhe gratë. Si shembull të një valleje që kërcehej, përmendim atë me titull “Sillet vallja rrotull-o” e cila këndohej duke formuar një rreth. Një valle tjetër karakteristike është ajo me titull “Dy dele, treqind pare”. Te kjo valle nuk njihet ndonjë hap I vecantë, është e improvizuar. Shumica e valleve shkodrane janë një dialog mes vajzës dhe djalit, që I shfaqin dashurinë njëri-tjetrit. Përmes valleve të qytetit të Shkodrës mund të përfytyrohet e tërë jeta ekonomiko-shoqërore e shoqërisë shqiptare.