Categories
Histori

Greqi Jugosllavi, marrëveshje të fshehtë për ndarjen e Shqipërisë

Në fundin e vitit 1942, tri Fuqitë Aleate, Britania e Madhe, BS dhe SHBA, pas një konsultimi të përbashkët, bënë të ditur, përmes ministrave të Jashtëm, deklaratat e qeverive të tyre, në të cilat ato shpreheshin publikisht se nuk njihnin pushtimin fashist të Shqipërisë e se ripohonin pavarësinë e saj, të njohur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913.

Në këtë mënyrë, aleatët kapërcenin qëndrimin e mbajtur ndaj agresionit fashist të 7 prillit 1939, kur, me deklarata zyrtare ose me heshtje, e me mos reagim, qenë pajtuar me të, duke e konsideruar një fakt të kryer. Megjithatë, deklarata britanike, e bërë nga ministri i Jashtëm A.Iden, më 17 dhjetor 1942, në Dhomën e Komuneve, përmbante një frazë shqetësuese; ajo e linte të hapur çështjen e kufijve të Shqipërisë, si një çështje që duhet të diskutohej në Konferencën e Paqes pas mbarimit të luftës. Në deklaratë, ndër të tjera, thuhej se “Qeveria e madhërisë së tij dëshiron ta shohë Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe pavarësinë e saj të rivendosur”.

Por, ajo “e shikon çështjen e kufijve të shtetit shqiptar si një çështje që duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes”. Këtë qëndrim e konfirmoi pas një viti dhe vetë Kryeministri britanik Cërçill.

Ky qëndrim i qeverise angleze nënkuptonte, sigurisht, rishikimin e kufijve jo në dobi, por në dëm të Shqipërisë dhe në favor të Greqisë. Shihej qartë se Anglia ishte e prirur të kënaqte pretendimet e Greqisë për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Me gjithë shqetësimin që krijoi në opinionin publik, për momentin u gjykua që kjo rezervë e deklaratës britanike nuk duhej bërë pengesë për lidhje e bashkëpunim me të, prandaj dhe nuk pati ndonjë reagim publik nga forcat politike.

Në rrethanat në të cilat ndodhej vendi dhe bota, ajo që i bashkonte të dy palët, lufta kundër fashizmit, kishte përparësi. Madje shpresohej se në këtë proces, në procesin e luftës së përbashkët, do të sqaroheshin e do të kapërceheshin mospajtimet dhe do të afroheshin pikëpamjet e qëndrimet mbi këtë çështje.
QËNDRIMI I SHTETEVE FQINJE
Ndërkohë, Greqia, fqinji ynë jugor, duke u kapur pas deklaratës së qeverisë Vërlaci, me të cilën ajo i qe bashkuar agresionit të fashistëve italianë, vazhdonte ta quante Shqipërinë agresore, njësoj si Italinë, megjithëse populli shqiptar dhe forcat përparimtare në Shqipëri iu kundërvunë agresorëve fashistë dhe mbështetën luftën e drejtë të popullit grek.

Në rrethana të tilla të ndërlikuara shqiptarëve u duhej jo të qëndronin në pritmëri, siç këshillonin partizanët e këtij orientimi, për ta krisur pushkën, siç thonin ata, në mbarim të luftës, për të evituar ardhjen e komunistëve në pushtet dhe për të mos lejuar ripushtimin e Kosovës e të viseve të tjera, por të angazhoheshin qysh në fillim në luftë kundër agresorëve fashistë, për të shpëtuar, para së gjithash, nga aneksimi grek viset e Shqipërisë së Jugut. Çamëria ishte vërtetë një krahinë shqiptare, por shpresat për t‘ia rikthyer shtetit shqiptar, duke qëndruar në pritmëri, siç këshillonte njëri rreshtim i nacionalistëve; apo, akoma më keq, duke mbështetur agresorët fashistë, siç po bënte rreshtimi tjetër, në një kohë që Greqia qe angazhuar në luftë kundër tyre dhe për këtë arsye gëzonte mbështetjen e aleatëve, ishte vetëm një iluzion.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Kosovën. Sikurse dihet, Kosova u aneksua nga Serbia me 1913 dhe u përfshi në Mbretërinë Jugosllave në vitin 1918. Pas shpartallimit të Jugosllavisë, Hitleri dhe Musolini realizuan dhe shpërbërjen e saj. Si rrjedhojë e kësaj shpërbërjeje, me Shqipërinë u bashkua pjesa më e madhe e Kosovës dhe disa vise të tjera. Qeveria mbretërore jugosllave në mërgim nuk u pajtua me veprimin e aleatëve, me shpërbërjen e Jugosllavisë.

Ajo shpalli hapur se do ta rimëkëmbë atë, siç kishte qenë nën Mbretërinë e Karagjeorgjeviçëve. Kurse komunistët jugosllavë, nga ana e tyre, vendosën të ndiqnin një rrugë tjetër, më të moderuar, për të shpëtuar e rimëkëmbur Jugosllavinë.

Me vendimet e AVNOJ-it (1942 e 1943), popujve të Jugosllavisë u njihej e drejta që, pas dëbimit të pushtuesve fashistë, të formonin republika të veçanta, të cilat do të bashkoheshin nën një çati shtetërore të përbashkët, në Federatën Jugosllave, duke gëzuar të drejtën e vetëvendosjes dhe atë të shkëputjes.

Mirëpo, ndryshe nga popujt e tjerë të Federatës, shqiptarëve nuk u njiheshin këto të drejta. Në vendimet e AVNOJ-t ata nuk konsideroheshin popull, por pakicë; për rrjedhojë ata nuk do të gëzonin as të drejtën e vetëvendosjes dhe as atë të shkëputjes. Ky përbënte, sigurisht, një zhvillim shqetësues për të ardhmen e tyre. Megjithatë, shqiptarët nuk ishin pa shpresë.

Ata kishin në anën e tyre Kartën e Atlantikut, dokumentin që do të shërbente si bazë për rregullimet që mendohej të bëheshin pas luftës, në kuadër të ndërtimit të një Evrope të re demokratike. Por, siç u tha, nëse shqiptarët dëshironin që në fund të luftës t’i gëzonin të drejtat që përmbante Karta e Atlantikut, ata duhet të ngriheshin në luftë.

Asgjë nuk do të vinte si lëmoshë; çdo gjë që dëshirohej, duhej fituar e merituar, me luftë e me përpjekje në drejtimin e duhur, kundër agresorëve nazifashistë, siç këshillonin dhe aleatët, siç po bënin dhe popujt e tjerë. Shqiptarët e Kosovës nuk duhet të dëgjonin thirrjet e qeveritarëve të Tiranës, për t’u mobilizuar në luftë kundër formacioneve antifashiste jugosllave, qofshin ato partizane apo monarkiste dhe as predikimet e forcave që këshillonin të rrinin mënjanë, në pritmëni, për të pritur kohë më të mira, pa u angazhuar në luftë.

Si njëra dhe tjetra nuk përbënin ndonjë kapital për aspiratat kombëtare, nuk çonin në realizimin e tyre. E vetmja rrugë dhe e vetmja shpresë ishte rruga e luftës, së bashku me popujt e tjerë, përfshi dhe ata fqinjë, kundër agresorëve fashistë. Këtë rrugë ndoqi Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë. Në Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit,që zhvilloi punimet në Bujan, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, në Rezolutën e miratuar aty shprehej vullneti i shqiptarëve të Kosovës “për të vazhduar deri në fund luftën kundër pushtuesve nazifashistë, pasi në këtë rrugë Kosova do të fitojë lirinë dhe të drejtën e vetëvendosjes”, e se “dëshira e popullit të Kosovës është që Kosova pas lufte t’i bashkohet Shqipërisë”.
LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT
Mirëpo, ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë jo të gjithë do të përqafonin platformën e aleatëve dhe do të ndiqnin rrugën që këshillonin ata. Grupimet nacionaliste që mendonin se një luftë e udhëhequr nga komunistët do të çonte në ripushtimin e Kosovës, nuk iu bashkuan Lëvizjes Nacionalçlirimtare, përpjekjeve të saj për organizim e rezistencë.

Pas kapitullimit të Italisë, shtator 1943, ata u organizuan në Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Lidhja shpalli si objektiv mbrojtjen e trojeve shqiptare nga rreziku sllav dhe bashkimin me Shqipërinë, në një shtet të vetëm kombëtar. Por, arritjen e tyre, ajo e mbështeste në lidhjet e në bashkëpunimin me fuqitë e boshtit nazifashist, sidomos Gjermaninë hitleriane.

Një zgjedhje e tillë sigurisht nuk ishte rruga e duhur për të realizuar aspiratat kombëtare. Në bllokun nazifashist, bënin pjesë forcat më të errëta e më agresive të kohës. Politika që ata ndiqnin, e cila e kishte çuar njerëzimin në buzë të humnerës, nuk kishte të ardhme; ajo ishte e destinuar të dështonte; e sigurisht krimet që ky bllok po i shkaktonte njerëzimit nuk do të mbeteshin pa u ndëshkuar. Prandaj, shqiptarët nuk kishte përse ta lidhnin fatin dhe të ardhmen e tyre me pjesëtarët e këtij blloku, duke marrë mbi vete dhe riskun e tyre.
RIVENDOSJA E PAVARËSISË. RREZIQET ENDE PREZENTE.
Si rrjedhojë e fitores së Koalicionit Antifashist dhe e disfatës së fuqive të boshtit nazifashist, u arrit çlirimi njeri pas tjetrit i vendeve të angazhuara në luftë kundër tyre, përfshi dhe Shqipërinë. Madje, Shqipëria u çlirua me forcat e veta, pa qenë nevoja që në territorin e saj të kryenin veprime luftarake ushtritë e fuqive aleate, megjithëse pati ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Kësisoj ajo doli nga lufta me një kapital të rëndësishëm politik, që do të shërbente për të përballuar e shkatërruar planet për një copëtim të ri të vendit.

Në rrethana të tilla, pavarësia e Shqipërisë për herë të parë do të ishte reale, e plotë, e pa ndikuar dhe e garantuar; sovraniteti dhe kufij të pacenuar, të pa prekshëm. Megjithatë rreziqet ishin prezente. Greqia vazhdonte të kërkonte Shqipërinë e Jugut, të ashtuquajturin ‘Vorio-Epir’.

Ndërkohë, Kosova dhe viset e tjera, të çliruara nga zgjedha nazifashiste, ndodheshin të përfshira në kufijtë e shteteve që i kishin aneksuar që më 1913, por me shpresë e në pritje të zgjidhjes së çështjes së tyre me vetëvendosje, me plebishit, siç e përcaktonte Karta e Atlantikut, dokumenti që i kishte frymëzuar e motivuar në luftë kundër agresorëve nazifashistë. Mirëpo, ndryshe nga sa pritej e shpresohej, udhëheqësit e tri Fuqive Aleate, të mbledhur në Jaltë e në Podsdam, në prag të mbarimit të luftës, pasi bënë ndarjen e zonave të influencës, u morën vesh që çështja e kufijve, pretendimet në këtë fushë të mbylleshin; ato mund të hapeshin e mund të ndryshonin vetëm me marrëveshje në mes palëve të interesuara. Ky ishte padyshim një zhvillim tjetër shqetësues për shqiptarët.
KONFERENCA E PAQES. RRËZIMI I PRENTENDIMEVE GREKE
Në vitin 1946, një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, aleatët thirrën në Paris Konferencën e Paqes, e cila do të ndërtonte hartën e re të Evropës pas lufte. Në konferencë morën pjesë Anglia, BS dhe SHBA, tri Fuqitë Aleate që udhëhoqën Koalicionin Antifashist, si dhe Franca.

Ndryshe nga konferencat e mëparshme ndërkombëtare, kësaj here midis Fuqive të Mëdha nuk kishte ndonjë marrëveshje për copëtimin e Shqipërisë, siç ndodhi në vitin 1913 dhe siç ishte më 1919, në mbarim të Luftës së Parë Botërore Traktati i fshehtë i Londrës. Në të vërtetë, edhe kësaj radhe ekzistonte një marrëveshje e fshehtë midis qeverive mbretërore greke e jugosllave në mërgim, e lidhur në fillim të vitit 1942, për t’i shkëputur Shqipërisë territore të tjera, por qeveria jugosllave e pasluftës kishte deklaruar se nuk e njihte atë.

Por, edhe tani, kishte dy rrethana të pafavorshme për shqiptarët. Së pari, Beogradi dhe Athina, si në vitin 1913 e në vitin 1919, përsëri ndodheshin në radhën e fitimtarëve. Në rrethana të tilla, ato vështirë se do të pranonin të lëshonin territoret që i kishin aneksuar prej vitesh. Historia nuk njeh ndonjë rast që fitimtarët të lëshojnë territore në favor të një shteti tjetër, qoftë ky dhe shteti amë, siç ishte Shqipëria.

Së dyti, megjithëse Shqipëria qe angazhuar në luftë kundër agresorëve nazifashistë dhe ishte pranuar si anëtare e koalicionit antifashist, Athina zyrtare vazhdonte ta konsideronte e ta akuzonte si pjesëtare të boshtit e si agresore, njësoj si Italinë, për rrjedhojë këmbëngulte në pretendimet e vjetra territoriale, në zgjidhjen e të ashtuquajturit ‘Vorio-Epir’, që nënkuptonte, as më shumë dhe as më pak, por aneksimin e krahinave jugore të Shqipërisë. Këto pretendime, Kryeministri grek Caldaris i parashtroi në Konferencën e Paqes në Paris, duke kërkuar njohjen dhe mbështetjen nga fuqitë aleate.

Në përgjigje të akuzave greke, kryeministri shqiptar, Enver Hoxha, deklaroi në Konferencë se shteti shqiptar nuk kishte asnjë pëllëmbë tokë të huaj brenda kufijve të tij, përkundrazi ishin të tjerët që kishin grabitur toka shqiptare; se Shqipëria i kishte kryer obligimet e veta ndaj Luftës Antifashiste dhe Aleancës Antifashiste; se ajo nuk kishte asnjë lidhje me kolaboracionistët që i qenë bashkuar Italisë në agresionin kundër Greqisë, përkundrazi ajo kishte mbështetur e ndihmuar luftën e drejtë të popullit grek.

Në fund të debatit për këtë çështje, Konferenca rrëzoi akuzat greke dhe mbylli përfundimisht pretendimet greke për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Mirëpo, për fat të keq, bashkë me të u mbyll dhe çështja e Çamërisë. Çamët, megjithëse kishin marrë pjesë në luftë, nuk arritën të merrnin atë që meritonin, të fitonin të drejtat që u takonin. Çështja çame, edhe kësaj here, do të sakrifikohej për të ruajtur ekuilibrat që dëshironin Fuqitë e Mëdha.
SITUATA NË KOSOVË. QËNDRIMI I SHQIPËRISË.
Zhvillimet pas lufte do të ishin dramatike dhe në Kosove. Shqiptarët aty qenë angazhuar në luftë dhe i kishin kontribuar fitores mbi fashizmin,duke shpresuar se regjimi i ri demokratik, që mendohej të vendosej në Jugosllavi, do të respektonte vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në Rezolutën e Bujanit, që mbështetej në parimet e Kartës së Atlantikut, por nuk binte ndesh as me vendimet e AVNOJ-t.

Mirëpo, shpejt do të shihej se, në lidhje me shqiptarët, në qëndrimin ndaj çështjes shqiptare, Jugosllavia e Titos kishte pak ndryshime nga Jugosllavia e vjetër monarkiste e Karagjeorgjeviçëve. Pa mbaruar ende lufta, madje në kohën kur dy divizione partizane të Shqipërisë luftonin ende në Jugosllavi kundër forcave gjermane, qeveria e Beogradit, përmes një mbledhjeje të inskenuar të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, të thirrur në Prizren, në korrik të vitit 1945, anuloi Rezolutën e Bujanit dhe e zëvendësoi me një rezolutë tjetër, në të cilën gjoja shprehej vullneti i mbarë popullsisë së Krahinës, që “Kosova t’i bashkohej Serbisë Federale si pjesë përbërëse e saj”.

Në rrethanat e krijuara, forcat atdhetare, nga radhët e Lëvizjes Antifashiste apo dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nuk arritën të përcillnin në Konferencën e Paqes vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Megjithëse kishte pak gjasa që Fuqitë e Mëdha ta merrnin në konsideratë, ngritja e kësaj çështjeje në një forum të tillë, do të kishte rëndësi, pasi do të kishte zënë vend, që në atë kohë në dosjen e çështjeve të pazgjidhura që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë mënyrë “topi” do të qe hedhur që në atë kohë në fushën e politikës së Fuqive të Mëdha, për të qëndruar si një gjyle e rëndë, që t`u kujtonte se kjo çështje priste prej tyre një zgjidhje.

Ndërkohë në Kosovë qe vendosur administrata ushtarake dhe kishte nisur “gjuetia e shtrigave”, pre e së cilës do të ishin qindra patriotë kosovarë, pjesëmarrës në luftë, madje dhe udhëheqës të saj. Me pretekstin e likuidimit të mbeturinave te reaksionit, të bashkëpunëtorëve të fashizmit, dhuna dhe terrori po bënin kërdinë mbi shqiptarët. Çështja e tyre kombëtare po synohej të asgjësohej.

Një shpresë se kjo gjendje do të kapërcehej u duk në korrik 1946, kur Jugosllavinë e vizitoi një delegacion i nivelit të lartë nga Shqipëria. Në bisedimet e zhvilluara në Beograd, Enver Hoxha i kërkoi Titos që Kosova t`i kthehej Shqipërisë, pasi ishte krahinë shqiptare, e banuar në shumicë nga shqiptarët, e shkëputur me vendimet e konferencës së Ambasadorëve më 1913. Një bisedë e tillë është konfirmuar nga të dy palët dhe është pasqyruar në dokumentet e kohës. Në këtë rast, Tito pranoi se “Kosova është krahinë shqiptare e banuar në shumicë nga shqiptarët, e se kërkesa për bashkimin me Shqipërinë ishte e drejtë, por tani për tani, ajo ishte e pamundur të realizohej, asi nuk do të kuptohej nga serbët”.

Por, në pamundësi për të realizuar shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, Enver Hoxha duhet të kërkonte nga Tito zbatimin e vendimeve të AVNOJ-it edhe për shqiptarët; pra të kundërshtonte copëtimin e trojeve shqiptare, përfshirjen e tyre në disa republika dhe të kërkonte bashkimin në një republikë më vete, në republikën e Kosovës apo në republikën e shqiptarëve në Jugosllavi, në kuadër të Federatës Jugosllave.

Një zgjidhje e tillë nuk binte ndesh me vendimet e Jaltës, pasi ruheshin të paprekura kufijtë e para të luftës, për të cilët ishin të preokupuar aleatët. Megjithëse qeveria e Beogradit me siguri nuk do t`i pranonte kërkesat e palës shqiptare, shtrimi i tyre në këtë rast do të tregonte se Shqipëria nuk heq dorë nga përkujdesja për bashkëkombësit e vet. Megjithatë, edhe aq sa u kërkua, nuk ishte pak, po të kihet parasysh sidomos situata në të cilën ndodhej vetë Shqipëria.

Ajo vërtetë doli nga lufta me një kapital politik, por dhe me probleme të mprehta, me një ekonomi të rrënuar, me varfëri të llahtarshme, me trashëgimi të rënduar në marrëdhënie me fqinjët, sidomos Greqinë, e cila vazhdonte të provokojë, të kërcënojë e të këmbëngulë për të marrë krahinat jugore të Shqipërisë.

Në përballimin e kësaj situate, ndër më të vështirat në të gjithë periudhën paslufte, Shqipëria shpresonte shumë dhe në mbështetjen e Jugosllavisë, aleates së saj në vitet e luftës, prandaj ishte e interesuar që të ruheshin marrëdhëniet e vendosura me të.

Në rrethana të tilla, raportet me Jugosllavinë, miqësia që nisi të trashej me të, iluzionet për udhëheqësit e saj, do të reflektoheshin dhe në qëndrimin ndaj Kosovës, të paktën deri në vitin 1948, kur marrëdhëniet me këtë vend fqinj do të merrnin kthesën dhe kahun e duhur, duke u dhënë fund abuzimeve të palës jugosllave.

Shqiptarët e Kosovës, nga ana e tyre, e kanë mirëkuptuar kompleksitetin e situatës qe kalonte Shqipëria, politikën dhe qëndrimet e saj në ato vite të vështira, e kanë mbështetur e mbrojtur atë, duke u bërë dhe pritë e rreziqeve që nisën të vinin prej andej, të bindur se vetëm një Shqipëri e pavarur, e stabilizuar dhe e zhvilluar do të ishte një mbështetje e sigurt për ta, për shqiptarët kudo që ndodheshin, për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Në rrethana të tilla, me një gjykim të tillë të shëndoshë, shqiptarët e Kosovës nuk e humbën as durimin, as shpresën dhe as vullnetin politik.

Shumë shpejt, në përshtatje me kushtet e vështira të pasluftës, ata do të gjenin forca për t’u organizuar e për t’u ngritur në një luftë të vështirë, e cila pavarësisht problemeve e vështirësive që ka patur vetë Shqipëria, është mbështetur vazhdimisht e pa lëkundje prej saj, një luftë që ka vazhduar me dekada, që ka kërkuar sakrifica të mëdha, por që nuk e humbi kurrë orientimin dhe besimin, për të ardhur, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, në ngjarjet e fundit të viteve 80 dhe fillimit të viteve 90, që shënojnë dhe kulmin e kësaj lufte, e cila, duke patur ndihmën e fuqishme të aleatëve, të SHBA, BE dhe NATO-s, do të çonte në çlirimin e Kosovës nga zgjedha shumëvjeçare serbe e më pas dhe në shpalljen e pavarësisë së saj.

Me pavarësinë e Kosovës do të bëhej një hap shumë i rëndësishëm drejt zgjidhjes së plotë të Çështjes Shqiptare.

Kjo zgjidhje, në kushtet e sotme, në integrimet e sotme, në Evropën e Bashkuar, së cilës synojnë t’i bashkohen dhe shqiptarët, ka sigurisht specifikën dhe problematikën e vet, analiza e të cilave nuk është në objektin e kësaj trajtese./shqip.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *