Është rritur gjatë natës bilanci i aksidentit tragjik në Maqedoni, duke shkuar në 14 të vdekur. Po ashtu edhe numri i të plagosurve është konfirmuar në 32 nga 29 që flitej në orët e mbrëmjes. Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e së mërkurës në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë. Autobusi me udhëtarë u përmbys pas disa rrokullisjeve në rrugë, ku për të nxjerrë njerëzit u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për shkak se kishin mbetur të bllokuar brenda autobusit.
Ndërkohë në një mbledhje të jashtëzakonshme një orë pas mesnate, qeveria mori vendim për të shpallur dy ditë zie, 14 dhe 15 shkurt. Shoferi i autobusit mbeti i plagosur dhe prokurori publik tha se do të kryhen analizat e gjakut dhe të urinës ndaj tij.
Gjatë mbrëmjes edhe Kryeministri i vendit, Zoran Zaev shprehu ngushëllimet për familjarët e 13 viktimave të aksidentit tragjik, duke thënë se e dhimbja dhe pikëllimi nuk mundë të maten dhe se nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë aksidentin e rëndë që ishte fatal. Ndërsa ngushëllimet nuk munguan as nga autoritetet shqiptare.
Janë identifikuar tashmë 14 viktimat e tragjedisë së mbrëmshme të autobusit që u rrokullis në autostradën Shkup-Tetovë, në afërsi të fshatit Laskarcë. Pjesa më e madhe e viktimave janë të rinj, nën 30 vjeç, ndërsa bëhet fjalë për administratorë dhe studentë nga Gostivari dhe rrethina.
- Rametulla Abdurraimi, djalë i vetëm i familjes Abdurraimi
- Valdete Hamiti, (1989), nga Debreshti i Gostivarit, nënë e dy fëmijëve të mitur
- Jovica Tërpevski, djali i deputetit Bllagojçe Tërpevski nga Gostivari
- Besim Kamberi nga fshati Senakos i Gostivarit
- Onur Sadiku, 19-vjeçar nga Gostivari
- Esat Emruli nga Gostivari
- Ajdin Ismaili, 19 vjeç nga Gostivari
- Besim Fetai nga Vrapçishta
- Bejza Uzeiri nga Banjica e Poshtme
- Zoran Davidovski (1981), punonjës në Qytetin e Shkupit
- Tërpana Janevska, pensioniste nga Gostivari
- Boban Avramovski, student i FON-it
- Dejan Ristevski, i punësuar në Bankën Popullore të Maqedonisë
- Pavle Kostoski, nga Gostivari, i sapo diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup.