More

    Dialogu Kosovë-Serbi, ekipi negociator kosovar shkon në Bruksel të martën

    Ekipi negociator i Kosovës takohet të martën në Bruksel, me të ngarkuarën e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

    Grupi negociator i Kosovës, që kryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi i tij në Kuvendin e Kosovës, në nëntor të vitit të shkuar, me gjithë kundërshtimin e partive opozitare.

    Çështja e të zhdukurve është tema e vetme e konfirmuar që do të diskutohet në Bruksel, ndërsa thuhet se ky takim, i pari i këtij lloji, cilësohet më shumë si një takim konsultues sesa negociues.

    Ekipi dialogues i Kosovës kundërshtohet nga partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Sipas tyre “ky delegacion nuk përfaqëson vullnetin e shumicës qytetare”, pasi përbëhet nga parti shumë të vogla.

    Sidoqoftë, dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi është për momentin i ngrirë, për shkak të taksës 100 për qind mbi mallrat serbe që hyjnë në Kosovë.

    Autoritetet e Serbisë thonë se, ato nuk marrin pjesë në dialog derisa Prishtina ta heqë taksën. Ndërsa qeveria në Prishtinë, sipas kryeministrit Ramush Haradinaj “nuk e ka ndërmend ta heqë taksën, derisa Serbia të ndalë agresionin politik e diplomatik ndaj shtetit të Kosovës”.

    Sidoqoftë, disa shenja më optimiste vijnë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

    “Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe, nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”, ka thënë ai për “Washington Post”, duke kërkuar që SHBA të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për marrëveshjen paqësore finale, që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia.

    “Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyra jonë historike – që ta bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, shkroi në profilin e tij presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.


    Lajmet e fundit
    Lajme të ngjashme

    PËRGJIGJU

    Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
    Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu