Categories
Ekonomia

”Die Welt”: Infrastruktura shtylla kurrizore e rritjes ekonomike të Shqipërisë

Përmirësimi i infrastrukturës së transportit në Shqipëri është shumë i rëndësishëm për të vazhduar progresin ekonomik dhe thelbësor për të çliruar potencialin e gjerë të Shqipërisë për turizmin, shkruan gazeta e njohur gjermane ”Die Welt”.

”Me plazhe mesdhetare plot diell dhe vargmale të larta, plot vende historike mahnitëse, qytete joshëse dhe kulturë lokale të pasur, Shqipëria ka gati çdo gjë për t’u kthyer në një destinacion kryesor turistik në Europë. Megjithatë, në vitin 2018 vetëm 5,9 milionë persona vizituan këtë vend. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 16% në raport me një vit më parë.

“E perceptoj këtë ministri si kontribuesen kryesore në strategjinë turistike të Shqipërisë”, thotë ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ajo që ka penguar deri tani turizmin si dhe sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare ka qenë infrastruktura e transportit në vend. Ndërkohë, aeroporti i Tiranës, aeroporti i vetëm ndërkombëtar në vend, ka rritur numrin e fluturimeve.

Aktualisht nuk ka lidhje ndërkombëtare hekurudhore për pasagjerët. Pasi mbërrin në vend, rrjeti rrugor i Shqipërisë lidh qytetet më të mëdha dhe destinacionet kryesore, por disa zona mbeten të vështira për t’u arritur.

“Në vitin 2021, synojmë të tërheqim 10 milionë turistë të huaj në Shqipëri. Ky është një mision gjigant dhe duhet të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për ta arritur këtë”, thotë Sonila Qato, drejtoreshë e Autoritetit Rrugor Shqiptar duke theksuar se përmirësimi i lidhjeve është kthyer në një prioritet kryesor të qeverisë.

Në mënyrë që të rriten mundësitë e ardhjes nga ajri, në tavolinë janë dy projekte madhore. Ndërtimet pritet të fillojnë për një rikonstruksion të aeroportit aktual që është jashtë përdorimit, në Kukës, një qytet verior që ndodhet në mes të Alpeve Shqiptare.

I dyti është një aeroport i ri ndërkombëtar në qytetin jugor bregdetar të Vlorës, që sipas ministres shqiptare të Infrastrukturës, po kërkohet shumë nga investitorë të huaj potencialë në sektorin e turizmit.

Në vitin 2018, “Air Albania” u bë kompania e parë ajrore e vendit.

Duke iu përgjigjur kërkesës në rritje për udhëtim ajror, në vitin 2018, vendi pati kompaninë e parë ajrore, “Air Albania”, që u krijua nga një partneritet me “Turkish Airlines”. Drejtori i përgjithshëm i “Air Albania”, Sinan Dilek shpjegoi se kompania do të kujdeset si për numrin në rritje të turistëve që udhëtojnë drejt vendit si dhe për diasporën e madhe shqiptare.

“Ne do të mendojmë se si të rrisim fluturimet dhe destinacionet, por ky projekt ka të bëjë edhe me diçka më të madhe dhe kjo është ëndrra krijuese e Shqipërisë”, shtoi ai.

Duke menaxhuar tashmë rreth 1 000 fluturime në ditë që kalojnë përmes Shqipërisë, organizmi përgjegjës por kontrollimin e trafikut ajror në Shqipëri, “ALBCONTROL”, është përgatitur që të përballojë fluksin e një trafiku të ri ajror në vend. Duke operuar sipas rregulloreve të BE-së që prej vitit 2015, sot, ky institucion operon mbi mesataren në aspektin e shërbimeve për udhëtimin ajror.

“Rreth 30 vite më parë, nuk dinim asgjë mbi kontrollimin e trafikut ajror apo mbikëqyrjes së fluturimeve, por sot kolegët tanë po trajnojnë njerëz nga organizata të tjera”, thotë Mina Kusta, drejtoresha e përgjithshme e “ALBCONTROL”.

Hekurudhat janë një tjetër formë e transportit e përdorur pak që pritet të shohë një ripërtëritje madhore. Shqipëria ka një rrjet hekurudhor të rëndësishëm që është ngritur gjatë sundimit komunist kur blerja e automjeteve private ishte e ndaluar, megjithatë aktualisht është në gjendje të keqe.

Megjithatë, rilindja e hekurudhave është rrugës, pjesërisht falë fondeve të BE-së.

Aktualisht, Shqipëria po punon për një lidhje hekurudhore pasagjerësh me Malin e Zi (Një lidhje mallrash u inaugurua në vitin 2017) dhe është në bisedime për të ndërtuar një lidhje hekurudhore me Greqinë.

Një prej investimeve më serioze në sektorin hekurudhor prej dekadash është projekti prej 90,3 milionë euro për rehabilitimin e sektorit hekurudhor Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i një lidhje të re hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Linja e re hekurudhore do të lidhet në mënyrë strategjike me Portin e Durrësit, porti më i madhe tregtar në Shqipëri, me Malin e Zi dhe Kosovën. Porti gjithashtu po i nënshtrohet një transformimi serioz, me një projekt për të thelluar limanin dhe për të zgjeruar kanalet hyrëse.

“Tani për herë të parë kemi rrugë cilësore”, thotë drejtori i kompanisë “Geci”, Ram Geci.

Ndërkohë që rrugët kanë qenë për një kohë të gjatë nën fokus, vazhdimi i zgjerimit dhe përmirësimit të autostradave të vendit qëndron një prioritet kryesor. Për të plotësuar këtë detyrë masive, qeveria është duke u mbështetur gjithnjë e më shumë në ndihmën e sektorit privat nëpërmjet skemave PPP dhe koncesioneve.

“Nga këndvështrimi ynë si investitorë dhe konstruktorë, duket se kryeministri ka ide shumë të qarta në lidhje me progresit e Shqipërisë”, thotë Rrok Gjoka, drejtuesi i “Gjoka Konstruksion”, që drejton një projekt të tipit PPP prej 250 milionë euro për të ndërtuar autostradën sfiduese “Rruga e Arbrit”.

“Rruga e Arbrit është një tregues i kësaj sepse është një projekt që është premtuar nga çdo qeveri në 20 vitet e fundit”, shton ai.

Infrastruktura në shifra

1 aeroport ndërkombëtar që operon aktualisht.

18 300 kilometra rrjet rrugor.

22 milionë euro investime në përmirësimin e sigurisë rrugore (2014-2017).

35,5 milionë euro grante të BE-së për përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore.

62,5 milionë euro investime të vlerësuara në Portin e Durrësit.

Përveç përshtatjes me rregulloret e BE-së, strategjia rrugore e vendit ka arritur gjithashtu një rezultat ndërkombëtar në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbështet integrimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Një prej projekteve më të rëndësishme është autostrada Adriatiko-Joniane që do të lidhë Shqipërinë me korridorin mesdhetar TEN-T. Që pritet të përfundojë në vitin 2030.

“Marrëdhënia mes qeverisë dhe kompanive që ekzekutojnë kontratat është përmirësuar ndjeshëm. Tani, për herë të parë ne kemi rrugë cilësore”, tha Ram Geci, pronari i kompanisë “Geci”.

“Nevojiten më shumë investime, por qeveria ka politikat dhe mekanizmat e duhura që të sjellë ndryshime pozitive”, vazhdon ai.

Shumë kompani të tjera private infrastrukturore e komentojnë pozitivisht menaxhimin e ri të projekteve të reja infrastrukturore dhe shumë si Geci, janë duke u përfshirë në zhvillimin e turizmit duke i paraprirë bumit turistik.

Para dhe pas

Ndërkohë që vendi po futet në projektet masive infrastrukturore që pritet të revolucionarizojnë ekonominë e vendit, vlera transformuese e një pikturimi të mirë nuk është harruar. Gjatë kohës kur Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, shumë prej godinave të vjetra të qytetit morën prekje kozmetike plot gjallëri.

Drejt së ardhmes

Axhenda dixhitale ka qenë në shtyllën kurrizore të përpjekjeve të Shqipërisë për modernizim. Nga ofrimi i shërbimeve qeveritare online deri tek garantimi i lidhjes me internetin, duke zhvilluar sektorin e komunikimit, ka qenë çelësi për të zhbllokuar potencialin e vendit në industritë si turizmi, energjia apo bujqësia.

Madje, studimet e fundit kanë treguar se rrjeti 4G i telefonisë në Shqipëri është më i fortë se sa ai në Gjermani dhe Britani të Madhe. Pasioni i vendit për një botë më të ndërlidhur ka frymëzuar kompanitë e reja të teknologjisë, veçanërisht në kryeqytet. Me një popullsi të shkolluar që mëson si anglisht dhe gjuhë të tjera të huaja në shkollë, modeli i ashtuquajtur i Proceseve të Jashtme të Kompanive është duke u zhvilluar në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *