Për t’u përshëndetur janë disa iniciativa private të gjetjes dhe ruajtjes së vlerave të castrumit të Elbasanit. Këtyre projekteve i shtohen investimet për mozaikun dhe bazilikën në qendër të qytetit. Qëllimi është ngritja e një parku historik, në të cilin do të pasqyrohet gjithë historia e lindjes dhe zhvillimit të jetës në Scampa, një prej fortesave dhe qyteteve më të zhvilluara të vijës Egnatia…
Nga : Fatos Salliu
Elbasani është një qytet me rrjedhë të çuditshme në histori. Ai ka diçka të ngjashme me Romën, Parisin, Odesën. Është një vend me simetri inverse. Pra, me pjesën mbi tokë, dhe kopjen e nëndheshme.
Scampa ishte një ndër vendbanimet e hershme në Iliri. Shkëlqimi dhe rënia ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me kështjellën dhe vijën Egnatia. Mrekullisht gjithçka ndodhet e dokumentuar poshtë themeleve të sotme. Aty gjen ilirët, romakët, bizantinët, gotët, estrogotët, barbarët, vandalët, bullgarët, turqit, sllavët, austriakët, serbët, italianët dhe gjermanët.
Për historinë tokësore të Scampa-s është shkruar e thënë shumë. Koha do të vazhdojë të zbulojë të tjera thesare. Sa më thellë të zhytesh në këtë kumt, kupton sa pak dihet, ende pak. Ka shumë gjasa që “metrotë” që të dërgojnë në skajet befasuese të së panjohurës të jenë katakombet, ose ndryshe, autostradat e dikurshme të saj…
Katakombet sipas Enciklopedisë Kristiane
Zakonisht varreza të nëndheshme që përbëhen nga tunele ose galeri ku vendoseshin arkëmorte. Oda të hershme nëntokësore varrimi për të krishterët.
Ndërtimi
Toka e Romës së lashtë ka origjinë vullkanike. Ajo përbëhet nga tri shtresa. Shtresa e lartë që quhet “pozzolano”, një përzierje gëlqerore me të cilën romakët përgatisnin çimenton e tyre të shkëlqyer; tjetra është një shtresë e quajtur “tufa”, e përbërë nga dheu dhe gurë; dhe shtresa më e ulët e përbërë prej guri.
Para krishterimit këto galeri përdoreshin si vende varrimi për të vdekurit. Ato janë të lidhura mes tyre në mënyrë që të mund të futesh në qytetin e krishterë të të vdekurve pa paralajmërim emocionues. Katakombet janë, pra, tërësisht ndërtime të krishtera. Si rregull një shkallë të çon nën sipërfaqe në një thellësi prej 33-49 këmbë ose edhe më shumë; nga kjo pikë ndryshojnë galeritë, të cilat janë 10-13 këmbë në lartësi, dhe rrallë më të gjera.
Galeritë anësore zgjerohen nga jashtë duke formuar pasazhe të tjera të reja. Ky nivel eksplorimi të dërgon në nivele më të ulëta ku ka një rrjetë të dytë të galerive. Ka katakombe që kanë tre ose edhe katër nëndegë si, për shembull, katakombet e Shën Sebastianit. Labirinthi i galerive është i pallogaritshëm. Për shembull katakombet e Romës kanë një gjatësi sa, nëse do të ishte një vijë e drejtë, do të përshkonte tej e tej Italinë.
Përgjatë tyre ka pasazhe ose dhoma varrimi (cubicula) të hapura në të djathtë dhe të majtë, që krijohen nga gërmimi i shkëmbit me përbërje tufa. Varrezat në muret anësore janë me kate dhe në katakombet romake numri i varreve është vlerësuar dy milionë.
Varret, apo loculi, janë matur në mënyrë të tillë që t’i përshtatet gjatësisë së të vdekurve. Trupi, i mbështjellë me lecka apo sarkofag, vendoset në vendin e gërmuar dhe menjëherë pas tij vendoset një pllakë mermeri apo guri e mbyllur me llaç. Për të pasurit dhe heronjtë e vendit ka pasur edhe varre më të zbukuruara të njohura si arcosolia.
Një arcosolium ishte një hapësirë gërmuar në mur mbi të cilën hapej një vend pushim gjysmërrethor, në të cilën vendosej sarkofagu. Ngandonjëherë në vendin si govate vendosej kufoma dhe sipër saj një pllakë e sheshtë mermeri.
Në mënyrë që të merrnin dritë, dhe mbi të gjitha ajër të freskët, boshte të quajtur luminaria, apo oxhaqe, kanë qenë gjithnjë të pranishme.
Emri i krishterë i hershëm për këto vendvarrime ishte koimeterion, (coemeterium). Në Mesjetë murgjit në kishën e Shën Sebastianit në Vian Appia (dhe për Elbasanin rruga Egnatia) mbajtën coemeterium në anë të rrugës për të varrosur pelegrinët.
Katakombet zgjojnë habinë moderne për shkak të punës së paepur që është bërë për ndërtimin e tyre që shpesh shkonte deri në 3 shekuj, devotshmërinë e krishterëve të hershëm dhe dashurinë e tyre për të vdekurit. Në konsideratë duhet të merret edhe shuma e madhe financiare që shërbeu për ndërtim.
Historia
Romakët i digjnin të vdekurit dhe depozitonin hirin në një varr familjar (sepulcrum, memoria), ose në një zgavër apo varr të përbashkët (çerdhe). Por, judenjtë që jetuan në Romë, ruajtën metodën e tyre amtare të varrimit dhe imituan shkëmbet-varre të Palestinës. Në këtë mënyrë katakombet hebraike (gjurmët e të cilëve i hasim dendur në Scampa) u shfaqën para krishterimit në Romë.
Deri pas shkatërrimit të Jeruzalemit nga Titit (AD 70) të krishterët u konsideruan si një sekt i judenjve. Kështu, ata hebrenj të cilët ishin të konvertuar nga Apostujt në Romë, u varrosën në katakombet e bashkatdhetarëve të tyre. Kjo është origjina e katakombeve të krishtera.
Më vonë katakombet mbajnë emrat e familjeve që i ndërtuan si Caecelia, Prætextatus, Hermes, etj. Por përsëri, varri i heronjve përbën bërthamën e një katakombi, për shembull Shën Laurence, Shën Valentinit, apo Shën Castulus; një coemeterium i tillë mban gjithnjë emrin e dëshmorit.
Kështu, në rrjedhën e treqind vjetëve në Romë u ndërtuan pesëdhjetë katakombe të mëdha dhe të vogla dhe formuan një rreth të gjerë përqark qytetit, shumica në largësi deri në gjysmë ore nga porta e qytetit.
Është e vërtetë se Perandorët Decius dhe Diokleciani, në një kohë të mëvonshme, deklaruan terrenin e katakombeve pronë e shtetit, duke e bërë të pamundur për të hyrë në brendësi të tyre në mënyrat e zakonshme. Por, trashëgimtarët e Decius dhe Dioklecianit (në periudhën e të cilëve u ndërtua Scampa) i shfuqizuam këto ligje në kundërshtim me të gjithë frymën e shtetit romak. Perandori Konstandin i dha lirinë kishës për ngritjen e bazilikave. Të tilla si ajo e Shën Pjetrit dhe Palit, u bënë të zakonshme për nxjerrjen e varrezat mbi tokë, mundësisht në lagje e spote të tilla të shenjta.
Pastaj erdhi viti i fatkeqësisë 410 kur barbarët rrethuan Romën për muaj me radhë, shkatërruan vendin përreth dhe plaçkitën vetë qytetin. Kjo natyrisht i dha fund varrimit në katakombet. Në shekujt në vijim gotët, vandalët dhe lombardët e rrethuan në mënyrë të përsëritur dhe e plaçkitën sistematikisht Romën; murtaja shpopulloi qytetin; të dyja, kishat mbi varret e dëshmorëve dhe katakombet, u shkatërruan dhe barinjtë e Campagna madje e kthyen shenjtoren e braktisur në vathë. Për këtë arsye Papa Pali I (757-67) filloi të transferoi eshtrat e dëshmorëve në kishat e qytetit. Si rezultat katakombet humbën statusin për tërheqjen e besimtarëve, dhe në shekullin XII ata ishin harruar krejtësisht.
Për gati 40 vjet, nga viti 1593, Antonio Bosio ishte përkushtuar për gjetjen e varrezave të hershme kristiane. Megjithatë “Kolombi i katakombeve”, është cilësuar Giovanni Battista de Rossi. Veprat dhe publikimet e De Rossit kanë çuar në përhapjen e gjerë të njohurive të arkeologjisë dhe një nderim në rritje për katakombet. De Rossi ju dedikua për gati pesëdhjetë vjet eksplorimit të katakombeve dhe studimit të antikitetit të krishterë.
Zakonisht në katakombe hasen këto elementë:
Mbishkrimet
Një numër i vogël i mbishkrimeve në epokën pagane shpreh lidhjen mes njeriut dhe Zotit. Të tjera shprehin lidhje mes pronarit dhe pronës. Zëra elokuentë të dashurisë së çifteve të martuara, duke u ndalur në faktin se burri dhe gruaja kishin jetuar chastely (virginius, virginia) para se të martoheshin. Devotshmëria për shokun apo mikun e jetës në atë që duke qenë përjetësisht krah për krah besnikëria dhe dashuria do të rrisin ringjalljen.
Ka prej shkrimeve që shprehin dashurinë e prindërve për një fëmijë të vdekur dhe anasjelltas. Në mbishkrime gjen edhe tituj të tillë si peshkop, prift, dhjak, lektor, varrmihës. Ka referenca për mjekë, furrtarë, kovaçë shpesh me emblemat e profesioneve përkatëse. Veçanërisht interesante janë mbishkrime, të cilat hedhin dritë mbi konceptet fetare të kohës, të cilat flasin jo vetëm për shpresën e përjetësisë, por edhe se shpresa qëndron mbi të gjitha e që lidhet me besimin në një Zot dhe në birin e tij, Krishtin.
Varret romake të katër shekujve të parë të erës sonë japin prova të shumta, jo vetëm për dogmat themelore të Kishës Katolike, por edhe për një numër të madh të doktrinave të saj.
Përveç tekstit të mbishkrimeve idetë në shumë prej gureve të varreve janë përcjellë edhe nga fotot. Fotot shprehin zakonisht shpresën në jetën e përtejme për të vdekurit. Së pari vijnë fotot simbolike dhe shenja si: spirancë, palmë, pëllumb mbi degën e ullirit. Këto janë simbole alegorike të shpresës, fitores dhe paqes së përjetshme. Nga shekulli i tretë peshku simbolizonte Krishtin. Bariu i Mirë mbante qengjin mbi supet e tij. Së bashku ishin aludime të preferuara për gëzimin qiellor.
Gdhendjet në gurët e varrit në forma pikturash në katakombe paraqesin skena biblike, për shembull zgjimin e Lazarit, adhurimin e njerëzve të ditur. Figurat përcaktonin kryesisht gradën apo profesionin e të vdekurit. Për shembull kokrra gruri për bukëpjekës një kudhër dhe çekiç për një kovaç. Në qoftë se të vdekurit e kishin lidhur emrin me jetën e një kafshe në gur vihej pikërisht ajo kafshë. Kështu Leo (luan), apo Equitius (një kalë). Që nga koha e Konstandinit monogrami i Krishtit ishte një simbol i preferuar për përdorim në varre.
Pikturat
Pikturat në katakombet përcollën të njëjtat ide si mbishkrimet. Këto afreske zbukuronin hapësirat midis varreve të vetme, stoli që dekorojnë muret dhe tavanet e dhomave të varrimit. Është e vërtetë se pikturat nuk janë kuptuar aq lehtë si mbishkrimet. Ato japin informacion në lidhje me fillimet e krishtërimit.
Të krishterët në këto piktura kanë konceptuar shpirtrat e të vdekurve ose figura ku femrat luten në lumturi qiellore. Bariu i Mirë, që mbart qengjin e kopesë mbi supet e tij, shpreh arsyen e shpresës në përjetësi. Përfaqësitë e mrekullueshme të pagëzimit dhe të shumëzimit të bukëve janë aluzione, me të cilin qielli është arritur. Pas gjykimit të favorshëm, shenjtorët, avokatët apo ndërhyrësit, çojnë shpirtrat në gëzimet e qiellit.
Për të përshkruar besimin e të krishterëve të hershëm në një jetë të ardhme, arti i katakombet përgjithësisht zgjodhi episode nga Dhjata e Vjetër dhe e Re, episode për të cilat shumë aludime ende ndodhin në lutje. Ato tregojnë botën nëpërmjet mëkatit të Adamit dhe Evës, shpëtimi nga vdekja është treguar në foto nga Dhiata e Vjetër, tregojnë shpëtimin e Noes nga përmbytja, ruajtjen e Isakut nga thika sakrifikuese e të atit të tij Abraham , shpëtimin e tre hebraikëve me fëmijët nga furra e zjarrtë. Nga Dhiata e Re ngritja e Llazarit është përdorur si lloji i ringjalljes prej së vdekurish; mrekullitë e Shpëtimtarit, shërimi i të verbrit, janë të gjitha si prova të pushtetit të gjithëfuqishëm të Birit të Hyut.
Temat e përshkruara në pikturat dekorative të dhomave të varrimit, veçanërisht nga tavanet, janë marrë kryesisht nga konceptet karakteristike për krishterimin: pëllumbi me degën e paqes së ullirit, qengji si një simbol i shpirtit.
Që nga shekulli i dytë kisha e hershme (Jezu Krishti, Biri i Zotit, Shpëtimtari), konsideruan të rëndësishme bukën dhe peshkun, ushqimin, me të cilin Krishti kishte ushqyer turmat.
Ashtu siç është e një rëndësie të vendosen datat në mbishkrime, ashtu është e domosdoshme për të përcaktuar se çfarë moshe mbajnë pikturat. Ka raste ku mbi piktura ka shenja që shërbejnë si të dhëna. Varret e dëshmorëve janë pikturuar zakonisht me foto të shenjtorëve të grupuara pranë Shpëtimtarit.
Sarkofagët
Në Romën e lashtë varrezat e qytetarëve të rangut të lartë kishin një strukturë të tillë; struktura sipër tokës (monumentum) që ishte e stolisur me statuja dhe mbishkrime, ndërsa trupat depozitoheshin në arkivole prej guri (sarkofagë) ose, kur digjeshin vendoseshin në një zgavër nëntokësore ose hypogoeum. Varret e familjes fisnike zakonisht vendoseshin në një kopsht që përmbante statuja dhe ornamente të tjera dhe poshtë tyre gjendeshin sarkofagët.
Në brendësi kishte stela ose pllaka prej guri që zakonisht mbanin emrat e të vdekurve. Kalimi nga gurë të thjeshtë në monumente u bë në faza më të mëvonshme të krishterimit për shkak të kostos së monumenteve. Ndaj ato ishin një privilegj i të pasurve. Dominonin skenat mitologjike si dhe mesazhe nga jeta baritore, të korrat etj.
Një sarkofag që i përket kohës së Konstandinit, ka si dekor kryesor historinë e Jonas; rreth kësaj skene janë grupuar përfaqësime të Noes, ngritjes së Llazarit, Moisiu që godiste shkëmbin në shkretëtirë, një skenë baritore, dhe skenat krejtësisht laike të peshkimit.
Ashtu si dhe figurat, skulpturat dhe relievet e sarkofagëve kanë përcjellë imazhe dhe skena biblike. Por, ndryshe nga afresket mesazhet simbolizojnë edhe jetën e përditshme.
Objekte të vogla të gjetura në katakombet
Stolitë të cilat të krishterët e hershëm i vendosnin në varre, llamba dhe shishe me parfum, monedha, copa prej qelqi, unaza etj, të gjithë këto mbetje të krishtërimit të hershëm janë shpesh me vlerë artistike dhe shkencore. Për shembull monedhat me stampën e punishtes orienton për periudhën, në të cilën është ndërtuar varri.
Shumë diskutime ka lindur për ampulat që përmbajnë gjak. Këto janë shishe të vogla prej dheu dhe enë prej qelqi që përmbajnë një depozitë të kuqe në kafe në anën e brendshme. Këto janë gjetur kryesisht në varret e martirëve. Djegia e disa prej tyre përmban ende aroma të forta që nënkupton se në enë të tilla depozitoheshin edhe erëza për të kapërcyer erën e kalbjes së kufomave. Në disa varre janë gjendur edhe rroba dhe disa lloj pëlhurash, me të cilat romakët e vjetër mbështillnin kufomën. Rrobat shpesh janë qepur me fije ari.
Katakombet jashtë Romës
Ishte e pamundur për të ndërtuar katakombe në Vatikan, sepse toka nuk është e formimit vullkanik, por përbëhet nga depozitimet aluviale. Si pasojë nuk ka katakombe rreth varrit të Shën Pjetrit, edhe pse mjaft besimtarë dëshironin të varroseshin pranë tij. Shpesh katakombet nuk kishin asnjë mbrojte e përdhoseshin nga turmat e tërbuara. Barbarët kryen masakër të vërtetë edhe në katakombe dhe varreza të vjetra të krishtera në Romë.
Një numër i katakombet vogla ndodhen larg Romës, për shembull ato të Shën Aleksandrit në Via Nomentana dhe në Albano (emër me origjinë shqiptare). Të dyja kanë rëndësi për shkak të mbishkrime që mbartin, sidomos ai në Albano për pikturat që zotëron.
Katakombet e Scampa-s
Vija Apia (nga Roma në Brindizi) dhe vazhdimi i saj drejt lindjes nga Dyrrahu deri në Lindjen e Largme, Mesapotami, (rruga Egnatia), duket se ndikoi në zhvendosjen e kulturës së ndërtimit të katakombeve edhe në qytete të tjera të perandorisë.
Çuditërisht i vetmi qytet ku ato hasen dhe kanë ngjashmëri me katakombet e Romës janë ato të Skampës. Të gjitha gjurmët dhe objektet e gjetura vitet e fundit në Skampë (ose në Elbasanin e sotëm) dëshmojnë për ndikim të fuqishëm të kulturës romake në Iliri.
Po përse Elbasani imitoi Romën?
Siç bën të ditur Enciklopedia Kristiane, katakombet në Romë u ndërtuan në një territor vullkanik. Edhe nëntoka e Scampës ka një përbërje të ngjashme. Ndërsa galeritë u ndërtuan me gurë nga Zaranika dhe lumi (Genius) Shkumbini.
Lulëzimi i katakombeve arriti kulmin në shekujt e parë pas Krishtit në Romë, dhe është pikërisht kjo periudha që korrespondon me erën romake të ndërtimit të kalasë dhe zhvillimin e Skampës si njësi administrative e perandorisë.
Gërmimet në Real Scampis kanë zbuluar objekte me dekoracione emocionuese të kësaj periudhe. Një kishë e vogël me altar u zbulua brenda mureve rrethuese. Kjo kishë, ndoshta më e vjetra në Iliri, mendohet se shfrytëzohej për rite gëzimi apo hidhërimi nga legjionarët. të cilët ishin të vendosur në këtë vend me mision për të ruajtur vijën Egnatia. Më pas ajo u shfrytëzua edhe nga banorët e mansios (kalasë).
Gërmimet në kullën lindore të kalasë, e njohur si Kulla e Zindanit, zbuluan tre rozeta që mendohet se i përkasin varreve të familjeve të pasura në Skampë dhe që kanë të njëjtën moshë si dhe rozetat e katakombeve në Romë.
Më pas, në sinkron me zhvillimet në kryeqytetin e Perandorisë , u ndërtuan bazilikat që shërbyen për ceremonitë e varrimit dhe si varreza për ushtarët dhe popullsinë.
E tillë është bazilika në Tepe, në perëndim të qytetit, rrënojat e së cilës duken edhe sot dhe që i përket shekullit të IV të erës sonë. Në vitin 518, pas një tërmeti shkatërrues, varrezat u përqëndruan përreth katedrales së Shën Pjetrit që u ndërtua në atë kohë në Skampë.
Mjaft rëndësi ka ekzistenca e fragmenteve të katakombeve në Real Scampis dhe në pika të ndryshme të lagjes Kala.
Epiqendra e tyre është pikërisht territori në kala dhe hyrjet për në brendësi janë ruajtur deri kohët e fundit nga mjaft familje elbasanase të tilla si familjet Shuteriqi, Buda, Marku, Lazri, Popa, Xhuvani, Haqaqi, Paparista etj.
Katakombi i kishës Shën Maria
Më i rëndësishëm prej katakombeve që hasen sot në Skampë është ai në kishën Shën Maria. Sipas At Nikolla Markut, poshtë kishës ndodhet katakombi kryesor, me të cilin lidhen katakombet familjare dhe të institucioneve të ndryshme të qytetit. Aq e vërtetë është ekzistenca e katakombeve në këtë vend sa, sipas arkeologëve, poshtë saj ndodhen 600 skelete eshtrash të besimtarëve që u vendosën në këtë vend me rindërtimin e kishës.
Hyrja për në katakomb ndodhet pikërisht në vendin më të shenjtë, poshtë fronit ku qëndron Kryepeshkopi, pas altarit. Ndërsa përpara altarit ndodhen ende 4 vrima që shërbejnë si oxhakë ventilimi për katakombet dhe që janë funksionalë edhe për tymrat që krijohen nga djegia e temianit në kishë.
Nga hulumtimet e kryera rezulton se brenda kalasë në mjaft shtëpi ndodhen katakombe të periudhës iliro-romake. Në të dy anët e kishës ka katakombe që bashkohen në një pikë në altar. Ky rrjet lidhet mes tyre dhe përfundon në pika të ndryshme si në Kullën e Zindanit aty ku sot ndodhet teatri Scampa, një në godinën e vëllezërve Hajrullaj, një tjetër në dalje në lumin Shkumbin.
Por, dalja kryesore besohet se është në Kodër Krastë aty ku aktualisht ndodhet një “vend i mirë”. Kësisoj, ndryshe nga katakombet në Romë, ato në Skampë në fakt kishin dy funksione. Së pari; u shfrytëzuan për varre dhe, së dyti; për t’ju fshehur barbarëve. Funksioni i dytë u kushtëzua nga sulmet e shpeshta të vandalëve që shfrytëzonin vijën Egnatia për plaçkitje dhe ekspedita luftarake. Kështu historia e Skampës ka qenë sa e përrallore, aq e përgjakshme dhe shfarosëse.
At Nikolla shprehet me mjaft pasion për katakombet e Elbasanit. Sipas tij, brenda tyre fshihet një pasuri e rrallë arkeologjike, dëshmi e qytetërimit të hershëm në Skampë e Iliri. Por, sipas tij katakombet e Elbasanit kanë pasur edhe një mision tjetër me shumë rëndësi. Ato kanë shërbyer si vende për t’u shpëtuar pushtuesve në shekuj. Madje këtë funksion ata e kanë luajtur deri në Luftën e Dytë botërore. “Nuk është e rastësishme që hyrja ndoshta për në katakombin kryesor në Skampë ndodhet pikërisht në vendin ku ulet Kryepeshkopi. Ky është një vend i shenjtë dhe një armik, sado barbar të jetë, nuk guxon të prishë atë vend. Nga këtu popullsia u fshihej armiqve. Ky katakomb lidhet me një labirinth të gjerë galerish që zënë fill në familje të ndryshme të lagjes Kala. Disa prej tyre përfundojnë në lumin Shkumbin, një tjetër edhe sot e kësaj dite del në Kodër Krastë. Pra, në vende jashtë qytetit të mbuluara me pyje, larg syve të armiqve. Parë në këtë këndvështrim katakombet e Elbasanit shërbyen edhe si ndërtime për të siguruar mbijetesën e popullsisë. Pra ato kanë edhe karakter kombëtar dhe historik. Perëndia duhet të na falë këtë mëkat sepse, në fund të fundi, paraardhësit tanë e bënë këtë për të shpëtuar jetë njerëzish. Bënë më të mirën para Zotit ndoshta edhe për të shpëtuar një komb.
Sipas at Nikollës katakombet kanë qenë funksionale deri në vitet 1800. Më pas ata janë dëmtuar gjithnjë e më shumë. Por jeta e nëndheshme e Elbasanit mbetet ende e pazbuluar. “Kjo për mua është një nga perlat e antikitetit botëror. Kjo tregon se edhe populli ynë ka kontribute të paçmuara në këtë qytetërim. Deri më tani ne jemi thjesht në majën e zbulimit të historisë së qytetit tonë”.
Njeriu i Zotit e sheh me optimizëm të ardhmen. “Nëse do të merret një iniciativë për t’i zbuluar duhet të pranojmë se ka një kosto të madhe financiare. Por, nëse kjo do të ndodhte, unë mendoj se Kalaja e Elbasanit do të merrte vlera monumentale. Akademia e Shkencave dhe Institutet e Monumenteve duhet që t’i kushtojnë rëndësi. Tashmë ka mjaft të dhëna që e vërtetojnë se jeta në Scampa është ndër më të pasurat në gjithë historinë”.
Katakombet në familje u shfrytëzuan edhe si frigoriferë natyralë
Poshtë në bodrume në mjaft shtëpi në lagjen “Kala” në Elbasan katakombet kanë ekzistuar deri vonë. Madje ato kanë shërbyer si “frigoriferë” natyrorë për ruajtjen e ziareve dhe ushqimeve. Por, përgjithësisht ato janë mbyllur pasi ishin burim lagështie, parazitësh apo ngaqë mbanin erë të rëndë.
Një prej katakombeve ndodhet në shtëpinë Lazri. E moshuara Marjeta Lazri, 82 vjeçe tregon: “Ja këtu në bodrum ishte hyrja për në katakomb. Ai lidhet me katakombin e shtëpisë së Met Haqaqit dhe të mjaft familjeve të tjera. Prej andej ky rrjet lidhet me katakombin kryesor dhe del në Krastë. Gjyshja më ka treguar se bashkë me gjyshin kanë tentuar që të futen në thellësi të katakombeve. Kanë zbritur 3-4 metra me shkallë. Pastaj janë lidhur me litarë dhe nisën të depërtojnë në thellësi. Aty kanë parë një portë. Kanë tentuar ta hapin, por u është fikur feneri. Nuk e shpjegonte pse i ishte fikur. Nga era, nga mungesa e oksigjenit, apo nga ndonjë arsye tjetër. Ata janë tmerruar aty pasi u ndodhën krejt papritur në errësirë disa metra në thellësi të tokës, por për fat, kanë qenë të lidhur me litarë dhe janë orientuar deri sa janë kthyer tek hyrja. Pas këtij rasti ata nuk kanë guxuar të hyjnë asnjëherë në katakomb.” Bestytnitë për krijesa të frikshme dhe gjëra të kësaj natyre janë treguar shpesh nëpër familjet që kishin katakombe.
Luiza Lazri, 84 vjeç tregon se gjatë shekullit të kaluar katakombet janë shfrytëzuar si frigoriferë natyralë. “I kemi përdorur për të konservuar dhe ruajtur ushqimet në gjendje të freskët. I vendosnim që në verë dhe i shfrytëzonim në dimër. I ruanin shumë mirë. Por ma pas dolën frigoriferët dhe e humbën këtë qëllim”.
Më tej ajo tregon: “Në kohën e Enverit kunata ime u interesua dhe u lidh me ata që merren me gërmime arkeologjike, por ata i thanë se nuk ka fonde për t’i zbuluar. Unë mendoj se është gjë shumë e mirë për Elbasanin dhe turistët pasi aty ka gjëra antike. Se çfarë është fshehur atje brenda mbetet enigmë”.
Scampis
E dhëna e parë për Elbasanin e sotëm jepet nga Ptolemeu rreth viteve 150 pas Krishtit. Në një nga fragmentet e shkrimeve të tij haset shprehja: Në tokën e Eordëve, Scampis… Në shekullin e III dhe të IV ekzistencën e kësaj qendre të lashtë e japin dy burime. Në itinerarin e Antoninit qyteti përmendet dy herë si Scampis në Tabelën e Peutingerit. Ndërsa në itinerarin e Bordosë qendra citohet si “Mansio Hiscampis”
Dëshmia shkencore për ekzistencës e qytetit në periudhën antike është guri i varrit të legjionarit romak Mark Sabidi. Ky është i vetmi monument epigrafik nga ku mund t’i referohesh jetës në Scampa, megjithëse studiues të tjerë shkojnë akoma më herët në shekujt IV dhe III para erës sonë duke e lidhur këtë vendbanim me tregtarët hebrenj, të cilët ndërtuan aty bujtina, ndërsa udhëtonin drejt perëndimit për arsye tregtie. Madje, burime arkeologjike supozojnë faktin se ishte pikërisht udha që përshkonin ata, mbi të cilën u ndërtua më pas vija Egnatia.
Në fund të shekullit IV emri i qytetit lidhet me legjionin Pseudocomitatenses Scampenses. Në vitin 458 përmendet nga Artemi, peshkopi i Scampa-s që citohet bashkë me peshkopët e Epirit të Ri.
Në vitin 479 Malhu përshkruan kalimin e barbarëve gotë me në krye Teodorikun për në Epirin e Ri dhe lidhur me Skampën citon se “banorët e kishin braktisur me kohë qytetin”.
E dhëna e fundit i përket shekullit VI, kur Bizanti ndodhej nën sundimin e perandorit Justinian. Në Sinecdemos Hieroclit, Scampa figuron mes qyteteve të zhvilluara të Epirit. Në listën e Prokopit të Çezaresë Sceminites (Scampa) përshkruhet si një qytet i mbrojtur nga një linjë muresh.
Në vitin 519 në dy dorëshkrime përmendet peshkopi Trojus për pritjen e ngrohtë që i rezervuan klerikët e këtij qyteti të deleguarit të Papës, Hormisdas, në katedralen e Shën Pjetrit.
Guri i varrit të legjionarit Mark Sabidi
Mbishkrimi në gurin e varrit të legjionarit i përket shekullit të dytë të erës sonë, pikërisht viteve 160. Monumenti epigrafi i deshifruar përmban këtë tekst: Një ushtar romak banues në Scampa, që ka kryer shërbimin ushtarak në Moesi (Bullgari), Siri, Palestinë, që luftoi për 3 vjet kundër Judejve në Jeruzalem. që ka kaluar nëpër Daki (Rumani) dhe pas 40 vjetësh shërbim ushtarak është kthyer në Scampa. Pas vdekjes banorët (scampenes) i kanë ngritur këtë gurë varri me emrin e plotë Marc Sabidius Emilia Maximus.
Via Egnatia
Përmendet për herë të parë në vitin 120 para Krishtit nga Polibi. Më vonë për të shkruajti Straboni, i cili informoi se Vija Egnatia kishte dy pikënisje; një nga Durrësi dhe dega tjetër nga Apolonia. I njëjti autor thekson se një pjesë e kësaj vije quhet Rruga e Kandavisë emër që mbanin malet e Polisit të sotëm në Librazhd. Mori këtë emër për nder të perandorit Egantius. Rruga Egnatia është vazhdim i vijës Apia, e cila fillonte në Romë, kalonte në Beneventum dhe më pas në Brindizi. Në fillim rruga ka pasur destinacion ushtarak. Në atë kohë Roma kërkonte të nënshtronte Maqedoninë deri sa ajo u kthye në provincë të saj. Më pas rruga Egnatia u bë arteria më e rëndësishme e kohës që lidhte gadishullin Apenin me Evropën , Ballkanin e Jugut, Azinë e Vogël deri në Lindjen e afërme e Mesapotami.
Kalaja e Elbasanit
Sipas dokumentave të kohës kështjella u ndërtua në periudhën e perandorit romak Dioklecian në vitet 284-305 të erës sonë. E njohur si castrum statum ajo ishte qendër e rëndësishme e një legjioni romak, i cili kishte për detyrë të ruante vijën Egnatia.
Kështjella ka përmasat 308 x 348 m. Një hendek 3 m i thellë qëndronte vazhdimisht i mbushur me ujin e Zaranikës dhe shërbente si pengesa e parë për të depërtuar brenda në kala. Kalaja ka 4 hyrje dhe 26 kulla vrojtimi.
Njihen tre periudha ndërtimi: E vonë romake, e hershme bizantine dhe osmane. Muret e periudhës romake ndodhen në të gjithë kështjellën, ngrihen mbi themele dhe kapin lartësinë deri në 5 m. Trashësia e murit 3 m. Lartësia e mureve ka qenë 9 m.
Jeta në Skampë ndërpritet në 378 pas dyndjes së barbarëve visigotë dhe më vonë të ostrogotëve në shekullin V. Në vitet 527-565 kështjella u rindërtua nga Perandori Justiniani I. Në vitin 519 Elbasani kthehet në qendër të madhe peshkopale ushtarake me katedrale, kisha e bazilika.
Jeta urbane lulëzon në shekujt VII-VIII ku Elbasani bënte pjesë në temën e Durrësit, Epidamnin. Shpesh peshkopët e zhvendosnin qendrën e tyre në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit, i cili ishte në rivalitet me Akademinë e Voskopojës.
Në shekullin VII qyteti dhe kështjella pëson goditjen e fortë të rradhës nga dyndjet e avarosllavëve. Në shekullin IX pushtohet e grabitet sërish nga fiset bullgare. Në mesjetë kalon në ndikimin e feudalëve të mëdhenj të kohës si Topiajt, Muzakajt dhe Arianitët.
Pas pushtimit turk kalaja rindërtohet nga Sulltan Mehmeti i II në vitin 1466.
Basorelievet ose rozetat Ilire
Tre basorelieve të mrekullueshme ilire janë zbuluara në kullën lindore e quajtur “Kulla e Zindanit” në Kala. Rozetat me figurat e një burri dhe një gruaje mbajnë dy emra ilirë Brigus (figura e burrit) dhe Tata (figura e gruas). Ato mendohet se i përkasin shekullit të parë të erës sonë. Sipas arkeologëve dy figurat tregojnë një nivel të lartë zhvillimi qytetar nisur nga shkalla e punimit të tyre. Rozetat mendohet se i përkasin varrezës në katakombe të një familje të pasur në Scampa.
Amfiteatri Antik
Arkeologët shkojnë më tej në parashikime duke supozuar se brenda në kala ka edhe një amfiteatër të vjetër, për të cilin duhen bërë testime dhe gërmime. Në kohën e Romës në kështjellën e Kalasë qëndronin 1500 legjionarë romakë të specializuar për të ruajtur vijën Egnatia. Pas popullimit të lagjes, veç ndeshjeve të natyrës së gladiatorëve, në amfiteatër jepeshin edhe shfaqe dhe zhvilloheshin ceremoni të kohës. Zbulimi i amfiteatrit do të ndryshojë tërësisht konceptimin e lagjes “Kala” në Elbasan.
Për t’u përshëndetur janë disa iniciativa private të gjetjes dhe ruajtjes së vlerave të castrumit të Elbasanit. Këtyre projekteve i shtohen investimet për mozaikun dhe bazilikën në qendër të qytetit. Qëllimi është ngritja e një parku historik, në të cilin do të pasqyrohet gjithë historia e lindjes dhe zhvillimit të jetës në Scampa, një prej fortesave dhe qyteteve më të zhvilluara të vijës Egnatia.
Katakombet e Scampës janë një pasuri me vlera të jashtëzakonshme që i kalon përmasat kombëtare. Sot, në Romë e Paris ato janë realitet i prekshëm. Për rastin shqiptar ndoshta do të duhen ende shumë mote.