Categories
Lajme

Eurostat: Shqipëria dhe Maqedonia, me qiratë më të lira në Europë

Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet më të lira të rajonit për sa i përket tregut të qirave, sipas EUROSTAT, që publikon një anketë të veçantë të përvitshme për tregun e qirave, me qëllim krahasimin me Brukselin.

Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet më të lira të rajonit për sa i përket tregut të qirave, sipas EUROSTAT, që publikon një anketë të veçantë të përvitshme për tregun e qirave, me qëllim krahasimin me Brukselin.

Për të marrë me qira një banesë 3+1, në Maqedoni kushton mesatarisht 540 euro, rreth 130 euro më lirë se në Shqipëri. Qiratë e banesave me sipërfaqe 2+1 kushtojnë mesatarisht 330 euro, apo rreth 190 euro më pak se në Shqipëri. Për banesat më modeste në sipërfaqe, qiratë mesatare janë 230 euro, rreth 120 euro më lirë se në Shqipëri.

Bazuar tek anketa, e cila të dhënat i grumbullon për zona të njëjta, çmimet më të shtrenjta të qirave në rajon janë në Serbi. Për tipologjinë e banesave 3+1, çmimet mesatare në zonat më të mira të kryeqytetit serb janë 1200 euro. Për apartamentet me sipërfaqe 2+1, referuar të dhënave të anketës së Eurostat, çmimi mesatar i qirasë është 870 euro, ndërsa çmimi mesatar për sipërfaqet më modeste (1+1) llogaritet 640 euro.

Të huajt që kërkojnë të marrin një vilë me qira në Beograd kanë çmim mesatar prej 2350 euro. Në vend të dytë në rajon për sa u përket çmimeve të larta është Mali i Zi. Në varësi të sipërfaqes së apartamentit, çmimet mesatare në zonat më të mira të Podgoricës luhaten nga 370 për apartamente 1+1, 630 euro për 2+1, në 980 euro për 3+1. Qiratë e vilave në zonat më të mira janë rreth 1550 euro.

Në Sarajevë, niveli i çmimeve të qirave në varësi të sipërfaqes së banesës variojnë nga 360 euro për 1+1, rreth 10 euro më shumë se në Shqipëri. Për sipërfaqet më të mëdha, çmimet e qirave janë 540 euro për 2+1 dhe 740 euro për 3+1. Ndërsa qiraja e një vile kushton njëjtë si në Shqipëri, 1350 euro.

Bazuar në të dhënat krahasuese të Eurostat, me një vit më parë, Bosnja dhe Mali i Zi në vitin 2017 kanë parë rënie të çmimeve të qirave për apartamente me përkatësisht 10% dhe 3%. Ndërsa vilat kanë dëshmuar një rritje të çmimeve.

Segmenti i qirave të pasurive të paluajtshme ka njohur më së shumti rritje në Beograd, ku të dhënat e Eurostat tregojnë një rritje të qirave edhe për apartamente, edhe për vila, me përkatësisht 9% dhe 8%.

Në shqyrtim, qendrat kryesore të Ballkanit
Sipas të dhënave të raportit, pikë reference për Tiranën kanë shërbyer këto zona: Zona 2/1, ndryshe Rruga e Elbasanit, Zona 2/2, Zona 5/1, e cila përfshin ish-Bllokun, Zona 5/2, Zona 7/1, Zona 7/2, Zona 10/3, Selita, Kodra e Diellit dhe Sauku.

Në Shkup të dhënat janë mbledhur për zonat pranë qendrës së qytetit: Debar Maalo, Kapistec, Univerzalna Sala, Vodno. Për minibashkinë “Karpos”, janë marrë në shqyrtim zonat: Kozle, Mida Complex, Taftalidze (Mlecen, Pedagoska), Trnodol, Zdanec. Për minibashkinë “Kisela Voda” janë marrë në shqyrtim: Crnice dhe Przino.

Çmimet mesatare të qirave të marra në shqyrtim në Beograd janë në këto zona: New Belgrade, Centre, Vracar, Dorcol, Senjak, Dedinje.
Zonat ku është bazuar anketa në Sarajevë për apartamente janë: Qendra, Qyteti i Vjetër dhe Grbavica, e cila është lagjja e re e Sarajvës. Për sa u përket çmimeve të vilave në Sarajevë, anketa është bazuar në çmimet e zonës Ilidža.

Në kryeqytetin e Malit të Zi, janë marrë në shqyrtim këto lagje për apartamentet: Qendra Gorica C, Preko Morace, Rimski Trg, Delta City. Ndërsa për vilat, zonat e marra në shqyrtim janë Zagoric, Tolosi, Zabjelo, Donja Gorica, Gorica C.

Si është bërë vlerësimi nga Eurostat
Të dhënat mbi qiratë, në raportin Eurostat për vitin 2017 janë pjesë e një programi më të gjerë, objektivi i së cilës është që të krahasojë kostot relative të jetesës për zyrtarët e Bashkimit Europian, në vendet ku ato mund të punojnë, me Brukselin që shërben si pikë reference. Rezultati i kësaj pune, e cila është kryer në bashkëpunim me ISRP, OECD dhe Eurostat, me zyrat e statistikave të vendeve përkatëse, përdoret për të rregulluar nivelin e pagave për stafin që punësohet në institucionet e Bashkimit Europian, organizata të bashkëkoordinuara dhe të tjera organizata ndërkombëtare.

Metoda ka për qëllim që të krahasojë çmimet e të mirave të shportës dhe shërbimeve të blera nga zyrtarë ndërkombëtarë, me çmimin për të njëjtat të mira dhe shërbime në Bruksel. Për shkak të rëndësisë së kostove të shtëpive, në totalin e shpenzimeve të një ekonomie familjare, mbahen anketa specifike të përvitshme nëpërmjet agjencive të pasurive të paluajtshme. Çmimet e qirave mblidhen në mesin e vitit për lloje të caktuara në zona të zgjedhura më parë. Informacionet e grumbulluara, dhe ato që janë përdorur në anketat e mëparshme, përdoren për të përcaktuar ndryshimin e çmimeve të qirave për të njëjtën lloj prone.

Llojet e shtëpive
Agjentëve të pasurive të paluajtshme iu kërkohen qiratë mujore për lloje të ndryshme, duke përjashtuar tarifat e shërbimeve dhe taksat, për një pronë të pamobiluar. Cilësia e akomodimit duhet të jetë nga e mirë, në shumë e mirë, por jo luksoze.

Kategoritë:
Shtëpi 3+1
Shtëpi 2+1
Shtëpi 1+1
Vilat

Karakteristikat e përgjithshme
Vendndodhja: zonat rezidenciale me cilësi të lartë dhe moderne

Detaje të zonave
Vëmendje e veçantë i kushtohet zonës (apo lagjes), e cila është një nga përcaktuesit më të rëndësishëm për nivelin e qirasë. Meqenëse qëllimi i anketës është krahasimi, zonat apo lagjet e ngjashme, zonat zgjidhen të ngjashme. Këto lagje përshkruhen si zona rezidenciale të një cilësie të mirë.

Detajet e sipërfaqeve të banimit
Brenda secilit prej llojeve të akomodimit, ka madhësi të ndryshme për hapësirën e përgjithshme të banesës, në varësi të banesave të zakonshme që gjenden në qytetet e ndryshme. Çmimet e qirasë për banesat e anketuara në çdo qytet krahasohen me qiranë e banesave (të cilat kanë të njëjtat karakteristika dhe sipërfaqen e njëjtë) të gjetur në Bruksel, ku merret një mostër më e madhe e madhësive të banimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *