Categories
Diaspora Shqiptare

Fëmijë shqiptarë në Veneto duke mësuar shqip në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Sot nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Europë, festohet 21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka zgjedhur si foto të ditës në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare foto me fëmijët e komunitetit shqiptar në Veneto të Italisë gjatë një ore mësimi të gjuhës shqipe.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare (International Mother Language Day – IMLD) është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Si e tillë ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë. 21 Shkurti edhe zyrtarisht është pranuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me një rezolutë të veçantë. Data 21 Shkurt është caktuar për të përkujtuar ditën e protestave të studentëve të Univesitetit Dhaka me origjinë nga Bengali, të cilët u konfrontuan me policinë pakistaneze ndërsa protestonin për të drejtën e gjuhës së tyre bengaleze që të pranohej si gjuhë zyrtare.

Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot do të organizohen në vende të ndryshme.

Analizat e UNESCO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2500 gjuhë nga pothuajse 6000 që fliten në botë.

Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha “ajake”, të cilën e ka folur një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Alaskë.

Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshëm.

Emigrantët gjithashtu e përziejnë gjuhën amtare me gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë që të integrohen më mirë. Megjithatë, ka shembuj, më së shumti në Australi, ku gjuhët të cilat janë “nën kërcënim” i flasin të rinjtë, tha një përfaqësues i UNESCO-s.

Tridhjetë nga gjuhët që fliten në Francë midis të cilave edhe ato normane dhe bretone, janë “nën kërcënim të fuqishëm të zhdukjes”.

Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli me anë të së cilës shprehet shpirti dhe kultura e tij. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folura e tij, dashuria ndaj saj dhe promovimi i saj tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtarëve të atij populli dhe asaj shoqërie.

Gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej është shprehur se gjuha “pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është tregues i nivelit të kësaj kulture”./ATSH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *